Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Ethet e 8 dhjetorit

Image result for shqiperia ne proteste"

Nuk e di përse cave u duket kaq vulgare thirrja e Ilir Metës për protesta pikërisht më 8 dhjetor. E quajnë revolucion dhe se revolucionet janë të dëmshme. Megjithëse duhet theksuar që ulërasin kështu bijtë e revolucionarëve dhe ata që mbajnë sytë për ndonjë kockë. Por në fund të fundit vendi i paradokseve jemi dhe mund të ndodhi që të shporrim Ilir Metën me Ilirin a me presidentit. Ja disa shpjegime pse jemi vend i paradoksit.
Thirrja që një president i bën shoqërisë për të dalë në protestë afërmendsh është e pa precedentë. Konteksti me protesta apo imazhi anti-qeveri në një vend me kulturë të freskët ku qeveria vetëm duartrokitet etj., në një vend me kulturën e 1 majit piknik dhe jo të indinjatës, në një vend me kulturën e 5 majit të dëshmorëve dhe jo martirëve etj., afërmendsh stonon. Tek ne qeveria ka gjithmonë të drejtë edhe kur na shkërdhen, edhe kur na mbyt me të dyja duart, madje ne i japim forcë me solidaritet e urra aq sa e vdesim me pasionin më të madh jo shokun e shkollës, jo vetëm fqinjin a fqinjën, por edhe vëllain a motrën. Po ç’vëlla? Edhe nënën e babën, gjyshin, gjyshen. Kurse dajës, hallës a xhaxhait dhe kushurinjëve ua lërojmë me prag shtëpie ku t’i kenë.

Kësisoj për kulturën tonë bastarde është e logjikshme të të duket po aq bastarde që një president i kërkon popullit të ngrihet e të protestojë kundër qeverisë në mbrojtje të kapjes së Kushtetutës. Kësisoj në shoqërinë tonë bastarde thirrja e Presidentit është afërmendsh bastarde, afërmendsh është thirrja e armikut të klasës që kërkon të na prishin unitetin parti-popull, afërmendsh është revolucion bastard i imperialistëve amerikanë dhe social-imperialistëve sovjetikë etj. Dhe këtë ta thonë pikërisht ata që në emër të popullit e në faqe të Zotit, me revolucion bastard trodhën çdo vlerë kombëtare, pra bastardët. Ata që ia morën pronën tjetrit duke i thënë dil përjashta se je armik, se je borgjez, se je bastard se dua unë bastardi. Kështu dhe nuk e luan topi.

Por është thirrja më normale. Madje më e domosdoshmja, sidomos kur mendon se si opozitarizmi që paguhet për opozitarizëm, qesh dhe mjaftohet duke denoncuar. Aq sa sot thuajse e gjithë fryma opozitare është një shoqëri kineze e denoncimit dhe aq. Një kulturë virtuale e memeve me diçitura bajate dhe aq. Edi Rama prapë vret e pret si i do qejfi. Prapë qeveris dhe kërcënon me gisht pavarisht se bekoi me shpurë juristësh, me dhunë, jo një por disa të kërkuar ndërkombëtarë të drejtësisë disa mashtrues ordinerë në faqe të gjithëve përmes një palë votimeve palaço nga koha e diktaturës së proletariatit. Dhe kurrë nuk u skuq, kurrë nuk pranoi madje i mbrojti. Do vazhdoj të qeverisi e të na japi show me shallvare a bollka, show me gjuhën jashtë e me gishtin në bythë. Një opozitarizëm i tëri i përfshirë në një kulturë bastarde të bërjes sehir dhe aq, sikur të jenë të gjithë pa këmbë e pa dhëmbë. Megjithëse fryma e antibarstardimit ka filluar të shfaqet deri me banderola stadiumesh, IK, prapë presim.

Shumë njerëz pyesin dhe me të drejtë, se, kush është është sot kryeopozitari real Lul Basha apo Ilir Meta ? Nuk ka asnjë diskutim që është Ilir Meta, prandaj dilni, biles shkoni tek presidenca dhe priteni atje tek kangjellat. Ose shkoni dhe nxirreni nga deklaratat se është koha e veprimit. Mjaft me ta shohësh, bastardizmi u ka infektuar kolektivisht. Fillojeni që sot 8 dhjetorin se për Lulzim Bashën 8 dhejtori do kaloj me një denoncim dhe me përshëndetjen e studentëve për një Shqipëri si Europa dhe kaq. Sepse ka hallin e vet, jo të shoqërisë.

Jo në 8 dhjetor, por sot shqiptarët duhet t’i bashkohen Ilir Metës jo më për ‘të por për veten e tyre. Por edhe për të rrëzuar versionin Ilir Meta. Në një farë mënyre Ilir Meta mund të rrëzojë edhe vilaxhiun Ilir Meta. Këtë nuk po bën as Rama e as Luli të paktën ky po thotë eja të shembim të vjetrën. I pari po u hedh hi syve duke u folur se si do ruaj kopenë me ujqër të stërvitur mirë. I dyti po fle gjumë me buzëqeshje duke pritur dardhën nën dardhë. Ju thoni që janë një soj të gjithë, të paktën Ilir Meta u thotë ejani të rrëzojmë sojin tim ata nuk e thonë. Ata u thonë ose prisni ose vazhdojmë gam-gam ose gërrëvërruni, zgjedhim nënkryetarët se kryetarë jemi vetë. Beteja për kushtetutën nuk është as për njërin e as për tjetrin vilaxhi apo pallatexhi, nuk është për djemtë e apartamenteve 1 dhomë e guzhinë e sot vilaxhinjë a bij bastardë të bastardëve, por është për Shqipërinë.

Në peshoren e poshtërsive janë baraz si njëri edhe tjetri. Kësisoj më mirë aty në protestë me Ilir Metën se sa me sehirxhinjtë. Se sa me këta që nga njëra anë flasin për vilat e Metës për vilat e Ramës, për pallatet e Lulit, me këta skuthët e bastardizimit. Se edhe këta mutër janë, këta skuthët se ashtu si të parapermendurit, kanë edhe ata vilat e tyre. Por nuk i përmendin i kanë me ”djersën” e ballit, të thonë kot që ke ikur në Amerikë, Amerika është këtu.

Please follow and like us: