Kryeakademiku i Kosovës Mehmet Kraja, letra e dytë për Akademinë e Nobelit
Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, i ka shkruar edhe një herë Komitetit të Nobelit, pasi që i ishte përgjigjur Krajës, që kishte kërkuar anulim të çmimit Nobel për Peter Handken, shkruan Gazeta Express.
Më 10 tetor, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, kishte reaguar ndaj ndarjes së çmimin Nobel për Peter Handke, përmes një letre të nënshkruar nga kryetari i ASHAK-ut, Mehmet Kraja, ku ai theksonte se Handke ishte pasionant i Millosheviqit dhe vrasjes.
Një muaj më vonë, akademia suedeze ia ktheu letrën akademikut Kraja, derisa ishte përgjigjur në kërkesën për të anuluar çmimin Nobel për shkrimtarin austriak pro-serb.
Në letrën që Akademia Suedeze i kishte kthyer Krajës thuhet se çmimi Nobel për Letërsi i është dhënë Peter Handkes për veprën që ka krijuar dhe jo për atë që Handke është personalisht, derisa theksohet se ndarja e një çmimi të tillë është bërë në përputhje të plotë me testamentin që e kishte lënë Alfred Nobel.
Kësaj letre të Akademisë suedeze sot gjatë ditës i është përgjigjur edhe një herë Kraja. Ai tha se ka mbetur i zhgënjyer, për faktin se nuk janë zmbrapsur nga çmimi që i dhanë mbështetësit të gjenocidit.
Akademiku tutje, ia ka përmendur fjalimin e Handke në ditën e varrimit të Millosheviqit.
“Duke mos qenë afër zhvillimeve në Ballkan, ju duket se nuk e keni ndërmend të kuptoni se duke mbrojtur Handken, ashtu siç bëni në letrën tuaj, ju mbroni Millosheviqin dhe, duke mbrojtur Millosheviqin, ju mbroni gjenocidin dhe, duke mbrojtur gjenocidin, ju jeni pozicionuar në anën e errtë të historisë, duke ngritur në piedestalin më të lartë një shkelës të egër të vlerave humane”, ka thënë ai.
“Përpjekja juaj asnjëherë e suksesshme për të ndarë personin e Handkes nga vepra e tij letrare edhe kësaj here është dëshpëruese: nëse ai bëri një zbulim në letërsi, siç pretendoni ju, për bindjen tonë ky zbulim konsiston pikërisht në arritjen e tij të pashembullt, që bindjet politike t’i kamuflojë si “letërsi e pastër”. Themi kështu, sepse Handke përdori mbështetjen e gjenocidit si afishe propagandistike për të afirmuar letërsinë e tij, gjithnjë duke manipuluar rëndë me vlerat demokratike dhe me të drejtën për mendim ndryshe. Njohjet përmes letërsisë, ku bën pjesë edhe kontributi juaj i jashtëzakonshëm, i kanë krijuar Peter Handkes sfondin e nevojshëm propagandistik për idetë e tij gjenocidale.
Gjithnjë duke mbetur në të drejtën tonë për të mos u pajtuar me ju, më lejoni që edhe kësaj radhe të shpreh konsiderata e mia”, ka shkruar Kraja.