Tri video nga Andrea Gudha: ADN e mjekësisë, mjekësia & arti, muzikoterapia
Andrea GUDHA lindi më 19 nëntor 1951 në Korçë.
Vitet e fëmijërisë dhe të rinisë i kalon në qytetin e Gjirokastrës, ku merr edukimin arsimor dhe kulturor.
Në vitin 1975 diplomohet “Mjek i Përgjithshëm” në Fakultetin e Mjekësisë, Universiteti i Tiranës dhe specializohet në Pediatri për Pediatër Reanimator – në Spitalin Pediatrik, Tiranë (1978 – 1979).
Për 20 vjet punon si mjek pediatër në Gjirokastër.
Në vitin 1995 transferohet në Tiranë në Ministrinë e Shëndetësisë, ku jep një kontribut të ndjeshëm në politikat shëndetësore në disa fusha si: në ristrukturimin e Sistemit Shëndetësor Spitalor, në zhvillimin e Burimeve Njerëzore, në ngritjen e Komitetit Kombëtar të Etikës Mjekësore, në formimin pedagogjik e profesional të Infermieristikës shqiptare etj.
Ka kryer disa kurse kualifikimi pranë AP-HP, Paris, si dhe ka qenë ekspert permanent në Komitetin e Bioetikës dhe në Komitetin Europian të Shëndetit në KE – Strasburg (1996-2003).
Është angazhuar në mësimdhënie si lektor i jashtëm në Fakultetin e Mjekësisë në UT, në ILA jopublik dhe, në vitet e fundit, si lektor i brendshëm në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës.
Në vitin 1990 ka mbrojtur gradën shkencore “Doktor i Shkencave” dhe aktualisht mban titullin “Profesor”.
Ka publikuar disa libra dhe tekste mësimore si: në fushën e shkencave mjekësore, të historiografisë mjekësore e muzikës. Hobi i tij është muzika: violin dhe kompozimi.
Është kryetar i Shoqatës “Mjekësia, Letërsia, Arti” në Shqipëri.