Irma Kurti: Kohë për t’u dashur
Skicë
Kur im shoq më telefonoi dje sapo kishte dalë nga shtëpia për të ikur në punë, në orën gjashtë të mëngjesit, për të më treguar se çfarë kishte ndodhur në Shqipëri, unë nuk i mbajta dot lotët. U ngrita si somnambul dhe mora telefonin, hyra në Facebook dhe u njoha me ato sekonda dramatike që kishin shkaktuar viktima të pafajshme dhe kishin terrorizuar njerëzit e vendit tim.
Unë e di se ç’do të thotë të jetosh një tërmet me një intensitet të tillë. Në 14 prill 1979, ende e vogël, udhëtova për në Shkodër me mamin dhe me motrën time Ilirianën, që do të këndonte në Festivalin Kombëtar për Fëmijë. Të dielën, në datën 15 prill i gjithë gëzimi ynë do të shndërrohej në eksperiencën më të frikshme dhe më dramatike.
E kujtoj si sot atë mëngjes, tronditjen e fuqishme prej 6.9 ballësh, lëkundjen e shtëpisë si në një vallëzim të dehur, ndërtesat e shkatërruara, gërmadhat, lotët. Kujtoj natën tjetër që e gdhimë jashtë në grupe teksa të rriturit mundoheshin të na qetësonin duke bërë shaka apo duke u munduar ta çdramatizonin atë që kishte ndodhur. Por ato imazhe koha nuk ka mundur t’i fshijë dot.
Në vitet në vazhdim sa herë që shtrihesha për të fjetur më dukej sikur shtrati lëvizte dhe unë brofja në këmbë e trembur. Edhe sot, nëpër udhëtimet e mia preferoj katet e para të hoteleve. Janë eksperienca që nuk mund të harrohen lehtë dhe jam e bindur se kështu do të jetë dhe për njerëzit e mi në atdhe.
Në këto dy ditë tejet të trishtuara, çdo mendim i imi shkon tek viktimat e pafajshme, tek familjarët e tyre dhe plagët që nuk do të mbyllen kurrë. Mendoj për të afërmit, për miqtë, për shumë të tjerë që më duket se i njoh prej kohësh.
I shoh të trembur, të terrorizuar duke u përpjekur të mbledhin copëzat e një jete që u shpërbë brenda pak sekondash.
Është koha për të qarë ata që humbën jetën, po edhe për t’i kthyer lotët në forcë.
Është koha për të lënë mënjanë urrejtjen, bindjet, mllefet; duke perifrazuar librin tim të fundit me poezi, kjo tani është: “Kohë për t’u dashur”.