Albspirit

Media/News/Publishing

Julian Deda: Të gjithë bashkë do ia dalim!

Image may contain: one or more people

 

A qajnë shqiponjat…?!

“Tërmet, babi çohu, tërmet”, kjo ishte britma e fëmijëve të mi në orën 03:54 të datës 26 Nëntor. Ishte i fortë, i frikshëm, i paprovuar më parë, prandaj nuk pata kohë të bëja asgjë tjetër përveç se të qetësoja fëmijët ndërkohë që lëkundjet vazhdonin.

30 sekonda lëkundje në kat të pestë dukeshin si 30 ditë vuajtje. Nuk po mbaronte, nuk po ndalte. E vetmja gjë, tek e cila kemi besim është toka, ne i besojmë asaj gjithë qënien tonë, prandaj mbështetemi tek ajo, lëshohemi tek ajo. Toka u drodh, u lëkund dhe bashkë me të edhe besimi ynë tek ajo. Këtu fillon paniku, tmerri dhe padija për një situatë të tillë.

Toka na “tradhëtoi”, nuk na mbajti në mirëbesim, ajo na goditi. Toka i goditi shqiptarët. Toka goditi atdheun.

Shqipëria është vend i vuajtur, jemi goditur, jemi rrahur me vaj e me uthull, jemi lëkundur, jemi pushtuar dhe varfëruar, jemi fyer dhe tallur, kemi hequr keq si popull, edhe tërmetin kishim mangut. Çfarë tragjedie…!

Bilanc tragjik, bilanc lufte, njerëz të pafajshëm ranë viktima të “tradhëtisë” së tokës. Më vjen keq, ah sa keq më vjen, që nuk mund ta ndaloj. E kujt nuk i vjen keq? Të gjithë ndjehemi njësoj, çdo shqiptar vuan dhe është pjesë e kësaj ngjarje.

Ashtu është, shqiptarët vërtete i ndau politika, apo kufijtë por i bashkoi tragjedia, u bënë bashkë nga halli. Sot jemi të gjithë këtu, në Shqipëri, dikush fizikisht, dikush me shpirt e me zemër, dikush me kontribute, pak rëndësi ka se si, por shqiponjat janë sot në vendin e tyre, të gjithë bashkë përballë “tradhëtisë” së tokës.

O Zot, vër dorë mbi këtë vend, mos na sprovo më, se nuk mbajmë shumë. Jemi lodhur, jemi dërrmuar dhe çdo lëkundje, e çfarëdo lloji, na e bllokon frymëmarrje. O Zot, të lutem shikoje Shqipërinë, është vend i bukur, Ti vetë e ke bekuar si të tillë, me njerëz të varfër por që bëjnë shumë për njeri – tjetrin, shikoje dhe mos ja hiq sytë për një kohë të gjatë.

Bashkëatdhetarë fshijini lotët, shqiponjave nuk u “lejohet” të qajnë, ato kanë vetëm një detyrë në këtë jetë, të hapin krahët, të mbajnë kokën lart dhe krenarë të ngrihen përsëri majave. Është në ADN-në tonë të mos dorëzohemi. Të gjithë bashkë do ia dalim. Ju du fort…!

Please follow and like us: