Sonila Meço: Ditë zie kombëtare
Dhimbje gjer në palcë për viktimat e tragjedisë, që na ra mbi krye. Dheu u qoftë i lehtë!
Respekt e mbështetje për ekipet e kërkimit, shqiptarë e të huaj, që shpresën na mbajnë gjallë deri në dekikë të fundit.
Lutje për të mbijetuarit ende në betejë me vdekjen.
Solidaritet prej vëllau për të prekurit nga tragjedia, që humbën të afërm, shtëpi e pasuri.
Durim për të përballuar traumën, që kryeneçe prej natyre do lundrojë gjatë në gjendjen psikologjike të shqiptarit.
Ndërgjegje për të kuptuar deri ku vepron mallkimi i natyrës e nga nis krimi i njeriut në përmasat e tragjedisë.
Mirënjohje për Kosovën e zemrës dhe çdo vend, që nisi ndihmën logjistike, profesionale e në njerëz për vendin e papregatitur për të përballuar katastrofa të këtyre përmasave.
Përulje për çdo individ, organizatë a grup që po i gjendet çdokujt mbetur nën qiell të hapur.
Falënderim çdo gazetari, operatori e tekniku në terren, që mes gërmadhash po kërkon të vërtetën e po bëhet misionar i interesit publik, pa pretenduar asnjë meritë, pa bërë show-n e ditës a mbrëmjes.
Mençuri për të situr në kaosin e pas tragjedisë, të vërtetën nga manipulimi e mashtrimi i mjeshtrave të propagandës.
Dashuri për veten, mjaftueshëm për të mos mbetur asnjë grimcë tolerancë për kë abuzoi e abuzon mbi sigurinë e jetës së tjetrit.
Raport të ri me jetën, lehtësinë me të cilën neglizhojmë rrezikun, pandjeshmërinë ndaj tjetrit.
Mend të reja për të mos u bërë spektatorë shfaqjesh delirante pushtetarësh, por aktorë, që vendosim fatin e veprës ku na ka rënë për hise të jetojmë.
Revoltë të drejtë për të detyruar drejtësi, në vendin ku drejtësia është privilegj i kastës.
Dhe guxim, po shumë guxim për të mos u bërë sfond maskaradash të paturpshme të atyre që kishin e kanë në dorë shumë për të minimizuar turfullimat e natyrës, por mbeten mallkim edhe më i madh se dufi i saj.
Zot mba dorën, njeri mblidh mendjen!