Albspirit

Media/News/Publishing

Margarita Kola: ‘Ra ky mort dhe u pamë’ për të kuptuar se së bashku jemi më të fortë

 

Image may contain: Margarita Kola

“Ra ky mort dhe u pamë” është titulli i një libri të Kadaresë. Si në ciklin e unazës së zjarrit gjëma ripërsëritet në forma të tjera.

Ra ky tërmet dhe pamë se sa të pafuqishëm jemi përpara Zotit të gjithëpushtetshëm.

Ra ky tërmet dhe pamë se sa e rëndësishme është dashuria njerëzore për të na mbajtur në këmbë kur toka na dridhet nën këmbë.

Ra ky tërmet dhe pamë se shkundja na duhet për të rigjykuar rëndësinë e mirënjohjes për atë që kemi.

Ra ky tërmet dhe pamë se paratë dhe pasuria nuk na ndihmonin dot t’i shpëtonim katastrofës.

Ra ky tërmet dhe pamë se afër vdekjes ishim të gjithë njësoj, pa ngjyra, pa ofiqe dhe pa pushtet.

Po “Ra ky mort dhe u pamë” shkruan Kadare, pikërisht në momentin historik kur shqiptarët e Kosovës rrezikoheshin në mbijetesën e tyre.

Ky tërmet që ra na kujtoi se vëllezërit tanë në Kosovë e ndajnë të parët dhimbjen me ne siç ne e ndamë me ata dikur.

Ky tërmet që ra na tregoi se Rruga e Kombit nuk kishte nevojë për trarë se është rruga e ndihmës së vëllait për vëllain dhe kësisoj pengesat bien me çdo kusht.

Ky tërmet që ra na mësoi se “mini-shengeni” që na duhet është ai shqiptar që kalon nëpërmjet solidaritetit kombëtar.

Po “Ra ky mort dhe u pamë” mes vetit të frikësuar për pamundësinë që kemi të vetëm për të përballuar forcat madhore.

Po “Ra ky mort dhe u pamë” për të kuptuar se së bashku jemi më të fortë.

Po “Ra ky mort dhe u pamë” për të na paralajmëruar se kemi harruar të duam çfare duhet të duam dhe dueht të përbuzim.

Po, fatkeqësisht ra kjo gjëmë dhe ky mort që të shkundesh arroganca dhe zbulohej brishësia njerëzore, të lartësohej humanizmi, të përçmohej ndasia dhe të binin kufijtë.

Na u ndal turravrapi… jemi ulur… të kërrusur nga pazotësia për të ndalur gjëmën… i kemi shtrirë dorën njeri-tjetrit… është kohe e mortit për të mbledhur rrënojat e shpirtit… dhe të rindërtojmë dashurinë nga pikëllimi.

Na “Ra ky tërmet” në Shqipëri… dhe u pamë me njeri-tjetrin në zi.

Please follow and like us: