Studentët e Universitetit të Tetovës dhurojnë 6 mijë euro për familjet e prekura nga tërmeti në Shqipëri
Një delegacion i Parlamentit Studentor të Universitetit të Tetovës, më 28 nëntor vizituan Durrësin dhe Thumanën, që u goditën nga tërmeti i 26 nëntorit, i cili shkaktoi viktima në njerëz dhe dëme materiale. Studentët me këtë rast u solidarizuan me të gjithë të prekurit nga kjo tragjedi natyrore dhe dhuruan donacionet e grumbulluara tek Shtabi i Emergjencës Civile në Durrës të Republikës së Shqipërisë, si veshmbathje, mjete higjienike, pako me ushqime, batanije e tjera.
Ndërkaq mjetet financiare në vlerë prej rreth 6 mijë euro, Parlamenti Studentor i UT-së ditëve në vijim do t’i dërgojë përmes adresës unike shtetërore që është krijuar nga Qeveria shqiptare për adresimin e çdo kontributi përmes https://e-albania.al/dhuro
Nga Parlamenti Studentor i Universitetit të Tetovës shprehin falënderimet e tyre për çdo student, profesor dhe për qytetarët shqiptarë, të cilët e kanë mbështetur aksionin e studentëve, duke u solidarizuar bashkë me ata për t’u dalë në ndihmë vëllezërve në Republikën e Shqipërisë.