Dule Malindi: Vlerësoj poetët Xhevahir Spahiu, Arben Duka dhe Jorgo Papingjin
Intervista/ Flet këngëtari i mirënjohur i Skraparit Dule Malindi: Vlerësoj poetët Xhevahir Spahiu, Arben Duka dhe Jorgo Papingjin
– Ilir Meta ishte shtysa që u ktheva nga Stambolli
– Nxitësi në muzikë mbetet Demir Zyko
– Në Australi një emigranti invalid nga dëshira për të kënduar i erdhi zëri
– – Për muzikën kryesisht kam punuar me Klodian Qafokun dhe Alban Hoxhën
Albert Z. ZHOLI
Një artist korrekt, kërkues dhe shumë njerëzor. Fillesat e tij si këngëtar përkojnë tek Shtëpia e Pionierit Skrapar, kur ishte rreth 12-13 vjeç, Këngët e para ishin ato patriotike, polifonike. Kur mbushi 20 vjeç, shkoi në një kurs për klarinetë dhe kështu filloi aktiviteti i tij artistik në zonën e Skraparit. Ndërsa fillimi i këngës solo përkon me vitin 2002-shin. Albumin e parë e ka bërë me 10 këngë të vjetra të Skraparit, në vitin 2003. Aktualisht ka 5 albume me nga 10 këngë të cilat thuajse janë përpirë nga fansat e tij të cilët e vlerësojnë shumë.
Kur e ka filluar veprimtarinë e këngës Dulja dhe kush ju zbuloi si talent në këngë?
Këngën e kam filluar që fëmijë, ose si i thoshim atëhere që pionier. Zëri është dhuratë nga Zoti. Pra atij ja dedikoj fillimin tim si këngëtar në grup. Mirëpo varet, kush e përpunon këtë zë. Unë në fakt pasi fillova të këndoja, fillova gjithashtu të dashuroja fizarmonikën, klarinetën. Kam pasur kunatin, burrin e motrës nga Përmeti. Ai I binte klarinetës, unë fizarmonikës. Më pas shkova në një kurs 6 mujor në vitin 1984 dhe pas përfundimit të kursit kam punuar me rininë gjithë kohës me shfaqet artistike të rinisë, me koncertet që organizonte rrethi i Skraparit. Pra në sistemin monist unë isha i lidhur vetëm me artin, festivalet, koncertet, këngët polifonike, etj.
-Cila ishte shtysa juaj në këtë rrugë të bukur por dhe të vështirë?
Mbi të gjitha unë vlerësoj cilësimin “bilbilin e Skraparit”, Demir Zikon, Ai ishte nxitësi im. Sa herë e dëgjoja më jepte kurajë, forcë. Ishte hyjnor. Sot shumë më thonë se i ngjaj shumë, por vetë nuk e them këtë kurrë pasi për mua është i paarritshëm, i pazëvendësueshëm. Por vlerësimet duke më krahasuar me të janë një shtysë e madhe në rrugën time. E cilësoj në fillimet e mia kam kënduar në grup, polifoni dhe si nxitës për të dalë solist ka qen i madhi Demir.
-Ju pas rënies së sistemit monist shkuat në Turqi, përse?
-Për disa arsye, e para doja të shikoja botë me sy. Pastaj aty kam pasur dikur shumë njerëz nga fisi im. Në Stamboll, ndenja gati 12 vjet atje. Atje kam punuar me muzikë me gjithë shqiptarët e diasporës. Filluam me koncerte, aktivitete, dasma, festat e flamurit çdo vit. Gjatë kohës si emigrant në Stamboll kam punuar dhe punë të tjera, por kryesorja ishin këto aktivitete. Aty donin më shumë këngët e vjetra dhe të para, të viteve 1900-1944. Pra kam kënduar në grup edhe si instrumentist aty.
Kur e keni kënduar këngën e parë solo?
Këngët solo i kam filluar kur kam ardhur në 2002, nga emigracioni në Stamboll.
Përse u kthyet?
Eh, emigracioni mbetet emigracion. Këtu kisha miqtë shokët të afërmit. Pra me vete kisha mallin për atdheun. Por e theksoj që nxitje për mua që të kthehesha u bë Ilir Meta. Pra në vitin 2001 kur u bë Ilir Meta kryeministër, , unë kam qenë në Stamboll. Kur dëgjova për këtë lajm se besova. Pra një djalë i ri 30-vjeçar nga Skrapari bëhet kryeministër i Shqipërisë. Një ndjenjë krenarie më mbërtheu Në këto momente emocionesh që Dule edhe ti aty e ke të ardhmen. Guri i rëndë në vend të vet. Ai u bë nxitës. U ktheva dhe bëra mirë. Ndoshta fitoj më pak por jam es njerëzve, jam me miqve, këndoj këngë shqiptare, këndoj për atdheun tim.
Kur e kini realizuar kripi juaj i parë dhe me ç’ngjarje të jetës suaj përkon?
Këngën e parë klip e kam bërë në 2002, kur jam kthyer. Pas saj fillova albumin e parë, në fillim të vitit 2003, kryesisht me këngë të vjetra të Skraparit.
Sa këngë kishte ky album?
Kishte 10 këngë.
Tekstet e këngëve kush i ka bërë në përgjithësi?
Tekstet e këngëve i kam bërë në fillim me Xhevahir Spahiun, ndërsa shumicën e repertorit të teksteve e kam me Arben Dukën dhe Jorgo Papingjin.. Për muzikën kryesisht kam punuar me Klodian Qafokun Alban Hoxhën dhe me kompozitorë të tjerë.
Sa albume keni realizuar deri më sot?
Deri më sot kam 4-5 albume me nga 10 këngë. Në YouTube janë 17 këngë të miat.
Keni marrë pjesë në festivalet e Gjirokastrës?
Në festivalin e Gjirokastrës kam marrë pjesë dy herë, në dy festivalet e fundit.
Në ç’vende keni shkuar për të dhënë koncerte?
Duke filluar që nga Australia e largët, në Amerikë, në Angli, Itali, Gjermani. Emigrantët pëlqejnë më shumë këngën e kurbetit.
Keni ndonjë peng deri më sot nga muzika?
Jo, absolutisht jo.
Do të mund të jetoni pa muzikë?
Unë me muzikë kam jetuar, e them se do e ngrys me muzikë.
– Ju keni qenë në shumë vende të botës, cilat kanë qenë momentet më prekëse në këto vende dhe cilat këngë duan emigrantët?
Janë shumë momentet orekse. Por unë do veçoj dy: Kur isha njëherë në Itali me Mirush Kabashin dhe zëri i tij magjik u kombinua me këngën time. Pashë një artist të rrallë dhe një atmosferë të ndezur. Njerëzit me vlera të japin kurajë dhe të nxisin për rezultate. Më emocionoi recitimi i tij dhe nën atë shembull dhe unë u mundova të këndoj bukur. Së dyti nuk harroj diçka që jetova në një koncert me bashkatdhetarët në Australi. Emigrantët aty janë shumë të malluar. Duan vetëm këngë malli, këngë të vjetra, këngë atdhetarie. Në atë koncert siç mora vesh erdhi për të më dëgjuar, një i moshuar i cili para disa vjetësh, i kishte rënë një paralizë. Kur isha në mes të shfaqjes dikush nga sall shkëputet dhe më thotë shko te ajo tavolinë. Pra tek ajo tavolinë ndodhej emigranti i paralizuar. Pranë tij unë këndova me zërin e zemrës këngën legjendë të Skraparit “Mbeçë more shokë, mbeçë”. Për të respektuar invalidin këngën e këndova në versionin e Demir Zikos, vençe. Invalidi dëgjonte dhe lotonte. Bashkë me të lotonin të gjithë. Ai kishte vite që nuk fliste. Unë herë pas here nga instinkti i afroja mikrofonin dhe atij. Ai mundohej por….Kur unë isha nga fundi i këngës dhe ja afroj sërish mikrofonin ndodhi e pabesueshmja. Invalidit i erdhi zëri. Salla u emocionua së tepërmi. Të gjithë lotonin. Një moment ia paparë.
Kënga është pasion, talent, thjeshtësi por më shumë punë
– Për të arritur majat e suksesit nuk mjafton vetëm pasioni e talenti i lindur. Aspak. Ai është vetëm fillimi. Muzika do sakrificë duhet pasi dhe realizimi i vidioklipëve, nuk është i lehtë. Që të arrija deri këtu shpesh herë më ka zënë gjumi duke kënduar, duke krijuar ndonjë melodi, ndonjë ide, tekst, vijë melodike. Pra jetoj vetëm me muzikën pasi aktualisht tregu muzikor në Shqipëri është shumë i fortë, i ashpër, konkurrenca është e madhe. Dihet që ka raste që të ulin moralin të sulmojnë padrejtësisht. Por tek kjo konkurrencë gjej forcën e shpirtit për të bërë një punë më të mirë, më me vlera, më me nivel. Ndaj që të shmang gojët e liga keqdashëse unë gjithnjë këndoj live. Kam besim te zëri im, te forca ime për të parë përpara. Gjithmonë kam parasysh që të jesh artit i mirë në radhë të parë duhet të jesh njeri i mirë. Mendjemadhësia, shpirtngushtësia, e deformojnë natyrën e artistit. Artisti duhet të jetë artist në të dy dimensionet si në skenë edhe në jetë. Kam njohur shumë njerëz që kanë talentin e lindur, por kanë ngecur, nuk kanë carë pasi nuk kanë njerzillëkun, nuk kanë respektin për njerëzit në tërësi. Si çdo njeri kam kaluar situata të vështira ku edhe kur dikush është munduar të më gjuajë me gurë, unë ia kam me pambuk. Në konceptin tim jetësor secili duhet të shpalos vlerat e veta. Mos të bjer pre e provokimeve, mos të bjerë pre e mashtrimeve dhe njerëzve që kanë ligësi në vetvete. Paqe, punë, kulturë dhe art.