Albspirit

Media/News/Publishing

Artur Spanjolli: Natyra rrebelohet! Faji i njeriut?

 

 

Nuk është vetëm faji i natyrës që jep shenja jete, duke na treguar që, aq sa është e gjallë dhe bujare, zemërgjerë dhe e bukur, natyra e saj mund të shndërrohet me tërbim, inat, ndëshkim. Atë që kanë harruar shqipëtarët këto 30 vjetët e fundit gjatë ndërtimeve është fakti që Shqipëria, bregdeti Adriatik ndjek linjën e zjarrit, pllakën tetonike të Adriatikut, aty ku bashkohet ajo e Afrikës me atë Euroaziatiken.

Liria e viteve 90, i ra si një pije e rëndë shqiptarëve në kokë dhe të tërë po rendnin të pasuroheshin. Të kishin më në fund atë oportunitet që për 45 vjet sistemi ia kishte mohuar. Pronat u rishpërndanë keq, një pjesë rendën drejt dyerve të Europës, një pjesë iu fut politikës, dhe një pjesë tjetër gjetën format për t’u pasuruar dhe filluar bizneset. Ajo që ndodhi me sistemin piramidal nuk i shërbeu fare si mësim shqiptarëve. Një pjesë e popullit tim me një nivel të ulët kulturor, por sidomos me një mentalitet aq sa bujar, human, plot vitalitet dhe entusiazëm, po aq dhe të pashkolluar, plot prakticitet të stilit mafjoz, e shkeli me këmbë moralin njerëzor duke shpërdoruar dhe abuzuar atë deri në maksimum. Në 30 vjet, Shqipëria duhej të bëhej! Jo të bëhej si është bërë, me përbindësha 20 katesh, pa asnjë respekt urbanistik dhe me abuzime të tmerrshme, por të bëhej me prodhim të brendshëm, me vende pune, me konsum të brendshëm, me struktura publike, infrastrukturë dhe me një turizëm ku të vinte e tërë Europa për pushime. Po përse nuk u bë!?

Fajin kryesore e ka mentaliteti feudalo-komunist, ai koncept egoist, individual dhe mafioz që i ka rrënjët thellë në mendësinë shqiptare.

Peshku qelbet nga koka -thotë një proverb i yni. Atëhere, këta politikanët e viteve 90, duke vijuar dhe më pas, shkuan atje sipër, më shumë se për t’i shërbyer popullit, shkuan për t’i shërbyer vetes së vet dhe kastës së tyre. Të ndershmit o u larguan, o u mënjanuan ose u nxorrën jashtë loje nga politika. Duke përdorur sistemin e abuzimit të postit, e rryshfetllëkut, e ndërgjegjes së ulët, këta politikanë pa moral, bosat e rinj të stilit mafioz, e kanë mbajtur në zgjedhë dhe kanë lozur kumar për vite të tëra me fatin e shqiptarëve. Duke bërë allishverishe milionash mes tyre: një politikan naftën, një tjetër çementon, një tjetër cigaret, një ndërtimin, sistemin gjyqësor dhe avokaturat e korruptuara dhe shumë sektorë të tjerë shoqërisë, i kanë grabitur të ardhmen popullit tim. Kjo gangrenë kanceroze 30-vjeçare është dhe e keqja më e madhe e shqipërisë.

Abuzimet me ndërtimet, ndërtimet pa inxhenierë, ngritjet e kateve të larta pa leje, dobësimi i strukturave në themel duke hapur mure ndarës, mos studimi i terrenit, të tërë këto elemente kanë demostruar babëzinë e pashoqe njerëzore shqiptare për të pasur, për t’u zhdëpur në ‘para’, duke e njohur materien si të vetmin zot, apo perëndi ekzistuese.

Pangopëria shqiptare, arroganca e pushtetarëve, abuzimi deri në palcë i rregullave të shoqërisë, mos respektimi i natyrës, mentaliteti arrogant dhe shfrytëzimi i postit pa asnjë kriter ka sjellë në një degjenerim të shoqërisë.

Ai vend nuk do të bëhet ndonjëherë me këto bosat lapangjozë, që janë majmur me biznese të ndyra dhe i kanë grabitur të ardhmen vendit. Turp. A kanë moral këto njerëz? A besojnë në Perëndi?

Moral nuk kanë përderisa në vend që t’u vijë turp, mburren me milionat e vjedhura, me vilat e tyra të ndyra, me dashnoret super seksi, me pushimet në Europë, me florinjtë e vjedhur natën me avionë presidencialë.

Ai vend nuk bëhet me hajdutë me kollare që abuzojnë me pushtetin sikur ta kenë pronën e babës. Në një sistem gjys diktature, arrogant, me mafioza klanesh politike lidhur pazgjidhshmërisht mes tyre, që lozin teatër ndyrësisht me fatin e të mjerëve.

Respekt dhe heshtje për të vrarët nga tërmeti, por reflektim dhe rrebelim për kastat e pushtetit. Përçmim për mentalitetin e ulët që gjendet në vend.

Shqiptari nuk i njeh rregullat. Nuk i ka njohur kurrë. Iu nënshtrua rregullave të komunizmit vetëm për arsye të dorës së hekurt diktatoriale të Hoxhës, por më vonë ai e tregoi që është një popull i papërkulshëm, kokëfortë, mendjemadh, që do të bëjë me kokën e tije. Por shoqëria ka nevojë themelore për rregullat. Pa rregullat, pa respektimin e rregullave, nuk ka bashkëjetesë. Duke gjetur forma të tërthorta, (abuzim i postit të punës) rryshfetllëqet dhënë mjekëve, (turp, mjeku duhet të jetë human para së gjithash, jo lekist) punonjësve të administratës, posteve drejtuese, i gjithë mentaliteti i shtrembër ka kontribuar në ushqimin e sistemit të korruptuar shqiptare.

Çfarë lidhje ka kjo me tragjedinë e tërmetit të 26 Nëntorit? Natyrisht, ka shumë lidhje. Sepse gjithë ato abuzime, që bënë të mundur 50 e kusur të vdekur, ishin dhe rrjedhojë e këtij mentaliteti shoqëror që nuk pajtohet me respektimin e rregullava.

Ndërtimet pa kriter, pa ekspertë, me leje të blera duke korruptuar zyratarët e posteve përkatës, ku zyrtarët brohorasin “sa mirë, tani do të bëj para duke abuzuar me postin tonë dhe duke dhënë leje ndërtimi shkel e shko” ose “ta shfrytëzoj postin duke marrë rryshfete sa të jetë në qeveri partia të cilën unë e mbështes”, etj; tërë kjo mënyrë e të menduari që shtrihet në çdo fushë ka dorë në tragjedinë e mbarë Shqipërisë.

Nuk bëhet ai vend, nëse nuk ndërrohet mënyra e të menduarit!! Korrupsjoni në pushtet është një problem mbarë njerëzor, por e ulur në një mënyrë kaq ordinere, kaq për tokë, kaq pa stil dhe e drejtpërdrejtë, ësht një turp i madh për një komb të qytetëruar si Shqipëria që do të futet në Europë.

Faji na qënkërka i njerëzve atëhere. I njerëzve të pandërgjegjshëm

Të cilët duke ndërtuar keq bënë të mundur të evitueshmen për të mos thënë të pamundurën.

Po mirë! A kanë ndëgjegje këta politikanë të pandërgjegjshëm (nuk bëj përgjithësime) të cilët mendojnë si e si të bëhen miliarderë duke abuzuar me flukset e parave, me lumenjtë e të hollave që i vërshojnë poshtë hundëve? A mendojnë se ka një Perëndi, se ka një gjykim mbi ne? Duke dhënë një shembull të tillë negativ, ato nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se përligjin formën e gabuar të civilizimit!

Por natyra rrebelohet. Natyra mund të rrebelohet me format e saj! Ta quajmë si të duam ne. Ta quajmë Perëndi, ta quajmë rregull kozmik që bazohet mbi respektin dhe dashurinë, ta quajmë thjesht natyrë njerëzore, krijesa me intelekt. Çdo gjë e cila degjeneron shumë, është e destinuar të shkatërrohet. Ky është një ligj i natyrës vetë. Është një ligj i shoqërisë vetë. Në të kaluarën shumë shoqëri, shumë civilizime më të zhvilluara kanë rënë nga kalbja e brendshme, si ajo e komunizmit para viteve 90.

Atëhere shqiptari nuk qenkërka i denjë të ndërtojë një shoqëri si duhet? Atëhere ëndërrat e rilidasve, ëndërrat e politikanëve si Noli, ëndërrat e intelektualëve të vërtetë dhe të ndershëm shqiptar si I. Qemali, Konica, etj. nuk do tu realizokerkan kurrë, sepse vetë shqiptari qenka i mbrapshtë!? I shtyrë drejt përbuzjes së rregullave, krenar dhe prepotent, injorant dhe i paaftë të jetojë në një komunitet ku rrespektohen rregullat.

Mbi kë do të peshojë gjaku i 50 e më tepër të rënëve nga tërmeti? Janë këto atëhere viktimat, kurbanet e një sistemi “feudal, gjysëm diktaturë” që i shtypi me pandërgjegjshmërinë e saj? Le të vënë gishtin në kokë, ato që kanë mundësi, por nuk bëjnë asgjë për t’i bërë gjërat për së mbari. Na dhemb të gjithëve ajo që ndodhi dhe po ndodh.

Por mua më shqetëson më tepër e ardhmja. Prap kush më garanton mua që ndihmat materiale dhe ekonomike do të shpërndahen si duhet? Në dorë të cilëve njerëz do të shkojnë paratë? Do të mbetet i pastrehuari akoma jashtë, në pranveren e vitit tjetër. Natyrisht hotelet që i strehojnë, nuk do të pretendojnë para pa fund nga shteti dhe iu duhet godina për sezonin tjetër të pushimit.

Perëndia pattë mëshirë për njeriun shqiptar!

Please follow and like us: