Albspirit

Media/News/Publishing

Jani Malo: EDI RAMA NUK MUND TA BËJË KËTË

Image may contain: one or more people and closeup

Kryeministri Rama, këto ditë të pastërmetit, në stilin e tij arrogant dhe imazhist po u hakërrehet ndërtuesve abuzues duke i paralajmëruar se, ose do rindërtojnë një më një pallatet e dëmtuar, ose do japin llogari e do shkojnë në burg, duke u premtuar se ai vetë do jetë dëshmitari i parë në procesin kundër tyre.
Deri këtu mirë. Madje shumë mirë, aq sa të duket i tepërt dhe simbolik akti i tij i mbathjes së opingave për të kërkuar ndihma sa andej këtej nëpër botë. Ndoshta edhe trokitjen në derë të vëllait të tij të madh Erdogan apo të miqve të shumtë që ka në disa vende të pasura të Afrikës nuk do qe keq të mos e konsumonte kësaj here dhe, pse jo, ta linte për ndonjë nevojë familjare apo personale (që mos pastë kurrë).
Për më tepër, po u jep rol protagonisti ca njerëzve rreth i tij dhe në këmbim kërkon të mjelë prej tyre popullaritetin e fituar në vite me aq mund, falë sharmit dhe karizmës personale.
Sido që të jetë, kjo që thotë kryeministri ynë është shumë e bukur për ta dëgjuar dhe në dukje e lehtë për t’u realizuar.
Për ndërtuesit abuzues shqiptarë, që nuk janë të paktë, rindërtimi i ca pallateve të dëmtuar është një sport i lehtë, pse jo edhe në të mirë të tyre. Ata janë majmur kaq shumë në këta vite sa me dhjamin e depozituar mund të ndërtohet një Shqipëri e Re nga e para.
Por në realitet gjërat janë ca më të koklavitura. Aq sa duket sikur, teksa dëgjojnë kryeministrin, vetë ndërtuesit njërin sy ia shkelin njëri-tjetrit dhe tjetrin Edi Ramës.
Të thjeshta në këtë rast janë vetëm ca pyetje që mund të bëhen. Por edhe dy pyetje mjaftojnë për të kuptuar se vetë Kryeministri po përgatitet të udhëheqë një lojë kungulleshkash me përgjegjësinë.
E para: Kush i dha lejet që të ndërtohet vend e pa vend e bythë më bythë në të gjithë Shqipërinë?
E dyta: Kush e kishte detyrë kontrollin e respektimit të standarteve të ndërtimit?
Pas përgjigjes së këtyre dy pyetjeve qëndron një ushtri e tërë njerëzish që në rastin më të mirë i kanë bishnuar përgjegjësisë duke bërë një sy qorr dhe në rastin më të keq kanë abuzuar me përgjegjësinë duke përfituar nga kjo.
Prandaj është thellësisht e padrejtë që të paguajnë ndërtuesit në emër të tyre. Duhet të gjithë këta të paguajnë. Të gjithë të shkojnë në burg.
Por kështu shansi për të gjetur një qeli bosh në burgjet shqiptare pakësohet ndjeshëm. Prandaj burgu nuk është zgjidhja.
Nga ana tjetër, duke përjashtuar burgun nuk është se i vihet shkelmi nismës së kryeministrit Edi Rama për rindërtimin e pallateve të dëmtuara.
Ndërtuesit abuzues nuk duhen detyruar të rindërtojnë sepse ata prapë keq do ndërtojnë, ca nga padija, po më shumë nga babëzia. Mbase është më mirë që ata, dhe bashkë me ta, edhe ajo ushtria e madhe e mbështetësve të tyre, të vihen në dietë për të humbur kilet e tepërta të pasurisë. E meritojnë këtë si shpërblim të sakrifices së tyre për këtë popull. Sekuestrimi i pasurisë të tyre do ishte më e mira që mund të bëhet në këtë rast. Madje edhe për vetë ata.
Dhe së fundi, për ta marrë më me sportivitet gjënë, nuk do ishte keq që të gjithë këta njerëz që e kanë lënë pasdore veten duke shtuar në shumë raste edhe peshën fizike, për t’i shërbyer sa më mirë komunitetit, të detyrohen të kujdesen më në fund edhe për shëndetin e tyre, për të hequr ca nga pesha e tepërt në trupat e tyre obezë.
Pra, vërini të punojnë si punëtorë ndërtimi, të bëjnë llaç, të ngrenë struktura betoni e mure, të suvatojnë dhe lyejnë pallatet e reja që do ndërtohen fatkeqët e mbeturit jashtë nga tërmeti, por edhe fatkeqët e tjerë, jo të paktë në këtë vend.
Po Edi Rama nuk mund ta bëjë këtë.
Për 1001 arsye.
E përderisa të jetë kështu, derisa të gjendet dikush që ta bëjë, ky vend fatkeq do vazhdojë të kërkojë heronj.
Dhe do t’i gjejë vetëm kur t’i kërkojë ata jo ndër heronjtë e vetëshpallur, por tek njerëzit normalë.

Please follow and like us: