Rexhep Shahu: Shteti nuk është kishë e xhami!
Ta ngresh Komitetin Kombëtar të Rindërtimit me etj, etj dhe jo me drejtues institucionesh të shtetit, ta kapitullosh shtetin dhe institucionet e tij kjo është e frikshme, të shfaqësh arrogancë e frikë deri në atë se vetëm një shtetar ka vendi, vetëm kryeministrin ka vendi, kjo është dorëzim, është mjerim, është frikë, është frikë e thellë dhe tentativë me fshehë.
Të mos sqarohet publiku se pse zhduken ndërtesat e shembura që janë prova të krimit të ndërtimit të keq në rastin më të vogël, të lejeve të ndertimit të shitura, të projekteve false, të ndëryrjeve injorante në ndërtim, në shtesa etj, etj, kjo është e frikshme dhe shumë e frikshme.
Nuk e di çfarë po ndodh…
Kryeministri aktron qan, qesh, përqafon, pozon, nuk flet pa kamera dhe mendon se i di të gjitha, e sheh shtetin si pronë të tij private dhe krijon struktura paralele me OJF e fondacione fetare…
Çfarë shteti po bëjmë ne, çfarë komiteti rindërtimi po bëjmë ne kur në ballë të oxhakut kemi eksponentë të fesë, jo të zgjedhurit e institucioneve fetare? Çfarë mesazhi do të na japë kryeministri me pasanikët e fesë…
Kur e çon shtetin në atë derexhe sa me i vu kushte kryeministrit të vendit një eksponent fetar si Elvis Naçi me gazetarin Marin Mema duke i thënë se ‘ne ikim nëse nuk bën si duam ne’, duhet të ikë natën nga ky vend kryeministri që shpërfill institucionet vitale të shtetit dhe krijon komitet rindërtimi si brigadë private ilegale ndërtimi.
Unë nuk jam kundër feve, por fetë nuk janë shteti, fetë le të rrinë në institucionet e tyre, le të ndihmojë aty ku janë, por me shtetin nuk kanë asnjë punë. Shteti nuk është OJF, shteti nuk është as kishë, as xhami.
Shteti janë institucionet shtetërore në të cilat besojnë njerzit.
Shteti është shtet dhe duhet të kërkojë llogari, ndonëse vonë, për ndërtimet e këqia, të marrë masa që ata që kanë abuzuar të çdëmtojnë. Nuk knaqet as nuk dëmshpërblehet askush nëse fut në burg njëqind ndërtues, por njerëzit duan dëmshpërblim nga ata që kanë bërë dëmin, nga ata që kanë dhënë lejet, nga ata që kanë zbatuar, nga ata që kanë vjedhë hekurin apo çimenton, nga ata që nuk kanë kontrolluar apo supervizuar, nga ata që kanë dhënë lejen e përdorimit të banesave apo pallateve duke marrë lekë në dorë e nën dorë.
Komiteti kombëtar i rindërtimit nuk është komitet kultesh, është e duhet të jetë komitet shtetëror.
Në vend të institucioneve të vendit, për në komitetin e rindërtimit të vendit, në vend të shkencëtarëve të ndërtimit, projektimit, urbanistikës, në vend të profesorëve të Fakultetit të Inxhinierisë në vend të politikanëve me ndikim, të agjensive ligjzbatuese të vendit, të inxhinierëve që duhet të masin dëmin dhe pasojat, në vend të ekspertëve juridikë që të verifikojnë ligjshmërinë e lejeve të ndërtimit, të shesheve të ndërtimit, të caktimit të zonave ku ndërtohet, të dhënies së lejeve të ndërtimit, të lejeve të shfrytëzimit të pallateve e godinave, pra në vend të këtyre e shumë të tjerave si këto, merr në tavolinën kryesore për të zgjidhë problemin më të rëndë të vendit dy persona që nuk kanë lidhje me asgjë sa fola më sipër, Elvis Naçi e Marin Mema. A nuk është kjo më shumë se papërgjegjshmëri, më shumë se karagjozllëk, z. kryeministër. A nuk tregon kjo se ti ke frikë të përballesh në tavolina me njerëz që dinë dhe nuk të bëjnë fresk…
1 dhjetor 2019.