Guxim Alimani: Kur shteti është më i pashpirt se tërmeti!
Kur shteti është më i pashpirt se tërmeti!
Përtej një ngjarje dhe portreti
Ai quhet Eltjon Patushi. Tashmë jo vetëm me shpresë të vrarë, por dhe me frikën e një junte totaliare në pushtet ka marrë rrugën e rëndë të azilantit. Sot ai duhet të ishte në mortin e disa njerëzve të familjes që humbën jetën nga tërmeti, por e ka të pamundur pasi e pengon pushteti. Edhe familjen e ka në qiell të hapur. Por djaloshi matjan e quan më fatkeqësi pushtetin sesa termetin. Fjalët e tij më intriguan dhimbshëm: “Tërmeti vret e shkatërron në disa sekonda të një dite…ndërsa pushteti po vret e shkatërron çdo ditë”. Ndoshta jeta e përjetimi i një djaloshi si Eltjoni duket diçka e thjeshtë, por e marrë në kompleksin e kontekstit ku jemi është shumë. Ndërsa po mësoja për rastin e përndjekjes së Eltjonit thjesht per shkak të pjesëmarrjes së tij në protestat e opozitës një tjetër rast i rëndë ma errësoi ekranin e televizionit…ishte ikja e profesorit të nderuar Agron Tufa. Këto ngjarje po i tejkalojnë dhe limitet e skajshme të durimit. Nuk e di si do të bëhet veçse e di që kurre nuk duhet të ndodhë kështu dhe kurrë s’duhet të përgjumemi si sot…nesër është vonë. Fatit dhe shpresës sonë duket se do t’i mungojë koha e ardhme.