Albspirit

Media/News/Publishing

Dashamir Uruçi: NJË KUJTESË MODESTE PËR QEVERINË SHQIPTARE DHE KRYEMINISTRIN EDI RAMA!

 

 

NDT-NON-DESTRUCTIVE SYSTEM

(Sistemet jo shkatërruese)

 

(A DUHET BËRË TESTIMI I BANESAVE NË SHQIPËRI, ME METODEN NDT…?)

 

Menjëherë pas tërmetit të këtyre ditëve të fundit, inxhinieri i mirënjohur Zef MAZI foli për një problem inxhinierik krejt të veçantë, të patrajtuar më parë nga asnjë prej institucioneve të shtetit shqiptar.

Qytetarët kaluan tërmetin e parë të 21 Shtatorit 2019, të cilin nuk e morën seriozisht dhe pas dy muajsh u goditëm nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 nga ku pësuam dëme të pariparueshme të të gjitha llojeve.

Mbi të tëra humbëm 51 njerëz dhe më shumë se 900 të plagosur.

Pas kësaj sa ka ndodhur, problemi qëndron në dilemën e madhe se si duhet të sillen shqiptarët dhe çfarë duhet të bëjnë në të ardhmen?

Gjatë ditëve të tërmetit, ne pamë në ekranet e televizioneve të gjitha llojet e analizave dhe të gjithë llojet e analistëve.

Askush nuk u mor me artikullin e Zef MAZIT mbi NDT i cili hidhte dritë mbi një problem madhor që lidhej me të ardhmen tonë, me jetën e atyre që mbetën gjallë nga tërmeti shkatërrues i 26 Nëntorit 2019.

Në ekranet tona përveç njerëzve dhe analistëve rondokopë ne dëgjuam edhe njerëz shumë seriozë e shumë specialistë të nivelit Luljeta BOZO e Gëzim BEQAJ, të cilët me përgjegjësi të lartë qytetare spjeguan se çfarë ka ndodhur dhe si duhet të sillemi në të ardhmen.

Ajo që dua të trajtoj në këtë artikull të shkurtër është pikërisht ajo se çfarë duhet të bëjnë shqiptarët në të ardhmen, çfarë masash duhet të marrim për të parandaluar sa më shumë tragjedinë që sjellin tërmetet dhe për të ruajtur sa më shumë të jetë e mundur jetët njerëzore.

Është koha t’i drejtohemi shkencës, të punojmë me metoda shkencore, është koha që të aplikojmë edhe tek ne, NDT-të, NON-DESTRUCTIVE SYSTEM, sistemet jo shkatërruese me të cilat me metoda shumë moderne, testohet gjendja e të gjitha banesave, veçanërisht pas goditjeve të rënda që pësuan të gjitha llojet e ndërtimeve në Shqipëri.

Shqiptarët për fat të keq, pësuan dy tërmete të rënda për një periudhë kohore dy mujore.

Duhet thënë se nga tërmeti i Shtatorit 2019 nuk u nxorën konkluzionet e nevojshme dhe për rrjedhojë masat profilaktike për të ardhmen ishin të niveleve shumë të ulta.

Rezervat shtetërore dhe emergjencat civile ishin të papërgatitura e kësisoj ndihma për të dëmtuarit nga tërmeti më 26 Nëntor 2019 ishte shumë dëshpëruese.

Sot gjendja e ndërtimeve në Shqipëri është e njëjtë si në Shtator ashtu edhe në Nëntor 2019.

Mos qoftë e thënë, por një goditje e tretë do të ishte më shumë se tragjike për këtë popull të vuajtur e të hallakatur sidomos në këto 30 vjet.

Jam i mendimit dhe kërkoj në emër të Unionit të Shoqërisë Civile që krahas rindërtimit të banesave e të zonave të goditura nga tërmeti, në mënyrë paralele dhe intensivisht të fillojë testimi i të gjitha banesave në këto zona për të përcaktuar në mënyrë shkencore gjendjen e tyre reale ndaj goditjeve të mundshme të tërmeteve në të ardhmen.

Testimi i objekteve me metodën e “SISTEMEVE JO SHKATËRRUESE” është njëri prej tyre. Ky testim mund të përcaktojë në mënyrë definitive, sjelljen ndaj objekteve që nuk janë prekur nga tërmeti si dhe masat që duhet të marrim për të ardhmen.

E di se kjo që shtroj sot në këto pak rreshta ndaj qeverisë shqiptare, Akademisë së Shkencave dhe instituteve të specializuara në këtë fushë është një detyrë shumë e rëndë dhe me një kosto shumë të lartë.

Nga ana tjetër jam i bindur se ky testim i përgjithshëm i ndërtimeve në SHQIPËRI duhet bërë për të parandaluar tragjedi të reja të cilat askush nuk mund t’i parashikojë se mund të ndodhin ose jo në të ardhmen.

Dëshiroj shumë që qeveria shqiptare kryeministri Rama si dhe institucionet adekuate të merren me këtë problem të kategorisë së parë, të ngrënë në këmbë grupe të posaçme pune, të porosisin e të sigurojnë paisjet e specialistët e nevojshëm për këtë çështje prioritare me të cilën është e lidhur direkt jeta e qytetarëve të Republikës së SHQIPËRISË.

 

UNIONI SHQIPTAR I SHOQËRISË CIVILE-USHC

Tiranë, 4 dhjetor 2019.

 

https://www.gazetadita.al/cfare-jane-ndt-ky-termet-kerkon-me-urgjence-testimin-e-godinave/

 

Please follow and like us: