Halil Rama: Një palë opinga për Hrushovin?!
Për romanin fitues të Çmimit të madh të Panairit të Librit 2019, me të cilin Besnik Mustafaj u shpall “Autori më i mirë i vitit”
Ditën e fundit të Panairit të Librit 2019, të dielën e 17 Nëntorit, m’u desh të shkoja tri herë në Pallatin e Kongreseve. Dy herët e paradites, mungonte, pasi ishte shitur tri ditët e para, ndërsa në mesditë erdhi i ribotuar romani fitues i këtij panairi “Dëmtuar gjatë rrugës”. U ndjeva me fat që e mora me autografin e autorit Besnik Mustafaj. Por më me fat u ndjeva pasi e lexova këtë roman, vërtetë me fund të lumtur.
Personazhi, me fund të lumtur është Nëna e autorit. Një fund i lumtur pas një makthi që e kishte pushtuar atë prej tri dekadash se mos një ditë do t’i hapeshin petët e lakrorit….
Ajo kishte shkelur për herë të parë kur ishte 24-vjeçe në një zyrë të vërtetë të pushtetit “atje ku ndihet si frikë deri në kockë hija e rëndë e shtetit”. Siç pohon autori që në krye të herës “është një histori, të cilën ajo e ka mbajtur brenda kokës së vet si një tumor (fjalët e saj) për tridhjetë vjet”.
Dhe ky “tumor” s’ishte gjë tjetër veçse brenga që i çelën një palë opinga, që ajo u detyrua atë pranverë të largët të vitit 1959 nga më i madhi i partisë së krahinës, t’i qëndiste si dhuratë për Nikita Hrushovin, në vizitën e tij të parë në Shqipëri. Që nga marrja e porosisë prej ish-Sekretarit të parë të PPSH të rrethit për të krijuar një palë opinga artistike, që do të përbënin “sekret shtetëror”, personazhi kryesor i romanit “do të mendonte me bindje të rrënjosur një herë e përgjithmonë se sidomos zyrat e politikanëve të lartë janë të mbushura me mistere djallëzore, ku njeriu i pamësuar zbulon pafuqinë e vet, duke pësuar në shpirt gjymtime të papërfytyrushme”.
Në thelb, subjekti ka dy pamje: Pamjen gazmore kur pasi iu pëlqyen “opingat” artistike që kasta e atëherëshme ia dhuroi Hrushovit, të cilësuar si “babai i popujve”, nëna u bë “Shoqja S” dhe përzgjidhej si politikane e re “yll në ngjitje” në tribunat e mitingjeve ku brohoritej “Rroftë Hrushovi”, dhe pamjen e zymtë gjatë gjithë viteve të mëpastajme, kur ajo dyshonte se mos shpallej armike, pikërisht pse kishte krijuar “opingat artistike” për Hrushovin që ishte shpallur armik i revolucionit bolshevik nga mbrojtësi i flaktë dhe i vetëm i tij, Enver Hoxha.
Përshkrim brilant i lëmshit torturues të lotëve të një nëne
Autori, si rrallëkush tjetër ka ndërtuar profilin e nënës së tij, nëpërmjet dialogjesh me të vjerrin dhe monologjeve me vetveten, gjatë procesit të thurjes së opingave “sekret shtetëror” dhe në vijim për frikën se mos pas “tradhtisë” së Hrushovit edhe ajo mund të shpallej armike dhe ta pësonin i biri, vëllezërit dhe gjithë farefisi i saj.
Të krijosh një roman kaq të arrirë artistikisht vetëm mbi këtë subjekt është vërtetë një meritë e veçantë e këtij autori, që si askush tjetër përshkruan lëmshin torturues të lotëve që ia kishin zënë lëfytin e hollë të grykës, kësaj nëne fisnike që s’mendote për asgjë tjetër (nëse do ta arrestonin) veçse për të ardhmen e djalit foshnjarak (në djep). Dhe kur u bind se nuk kishte më asnjë rrugë shpëtimi “një zë, që ishte zëri i saj, edhe pse nuk dilte nga goja e saj, zuri të këndonte vajtueshëm: “Nji amanet po jua la:/Kur në mur-o t’më murosni,/Syn’ e djathtë t’ma leni jashtë,/Kambn’ e djathtë t’ma leni jashtë,/Gjin’ e djathtë t’ma leni jashtë:/Se kam lanë djalin e vogël/E kur t’nisi djali gjamën,/Me njan’ sy ta shikoj,/Me njan’ dorë ta limoj,/Me njan’kambë ta lurtoj,/Me njan’ gji ta nergoj.”. Amaneti i një nane që “opinga artistike” mendonte se duheshin thurur veç për burrin e saj dhe për asnjë burrë tjetër në botë.
“Mrekullia, që duhej të nxirrte Nëna ime nga duart e veta ‘vetëm me një grep e pe të bardhë’ishin një palë opinga burrash”. Por për të “Fqinjëria e fjalëve SEKRET dhe SHTETËROR krijonte një bashkim tingullor tepër të frikshëm”. Madje sipas saj “vetëm zyrat mund të bënin sajime të tilla gjuhësore, që t’i përshkonin veshët dhe trurin si turjela”. Piërisht mbi rrëfime të tilla brilante autori ndërton intrigën për “pyetjet e përsëritura edhe pse të mbetura pa përgjigje si dhe dyshimet e njëpasnjëshme dhe gjithnjë të pasqaruara” që ngadalësojnë tej mase rrjedhën e kohës. Dhe gjithshka “për shkak të atij të mallkuarit, sekretit shtetëror!”. Ishte ajo kohë e mistershme dhe e kobshme kur mund ta haje po të nxirrje sekretin e thurjes së një palë opinga artistike, pasi përbënte “rrezik të madh të gënjehet Partia”.
Pikërisht në këtë kontekst e paraqet auroi edhe marrëdhënien e nënës së tij me Dritën, kushëririën e burrit të saj që vetevetiu “ do ta fusnin shoqja shoqen në skurat më të fshehta të shpirtit”. Drita, “ e fejuara e damkosur e një armiku të klasës” dhe Selmani, më i arsimuari i zonës që s’pajtohej me qëndrimet staliniste të PPSH janë dy personazhet, marrëdhënia me të cilët, jo vetëm që nuk e zbehin, por përkundrazi e fisnikërojnë profilin e Nënës së B.Mustafajt.
Skaneri i një partie që ndërhynte edhe në trillet e fshehta dashurore
Me mjeshtri të rrallë artistike, me një guhë të pasur e mjete shprehëse interesante autori ekzaminon atë Parti që “kishte për detyrë të ndërhynte edhe në trillet e fshehta dashurore të anëtarëve të saj”, qoftë dhe duke përshkruar atë hallakatje të pavullnetshme ndër përhitje të nënës së tij që ruajti në shpirt një gjurmë të re malli për të shoqin komunist që Partia e kishte dërguar për studime në Tiranë. Ndaj dhe modeli i opingave artistike që i pari i Partisë së krahinës ia kishte porositur si “sekret shtetëror” do të ishte modeli që i përkiste vetëm një burri, që në këtë roman paraqitet si babai i autorit. Ato do të ishin opinga “më të bukurat e të bukurave”. Ndonëse sipas porositësit, masa e këmbës që do t’i vishte nuk kishte asnjë rëndësi, Nëna ishte zhytur në një makth nga i cili s’po dilte dot. E mundonte pyetja e tmerrshme për këmbën e burrit të mistershëm, këmba e të cilit futet në çdo këpucë… “I tillë është vetëm djalli e i biri i djallit. Unë s’kam punë me të. Zot i madh m’i ruaj mendtë në kokë!”. Ndaj dhe s’u besoi veshëve kur mësoi se opingat që kishte thurur ishin për Hrushovin që kishte zënë vendin e Stalinit në Moskë…Ndaj dhe i shpërtheu një e qeshur e vrullshme, e papërmbajshtme kur mësoi nga i Vjehrri se Hrushovi do të vishej me opinga si barinjtë e Tropojës! Në fillim ajo “nuk pati ndonjë lëndim në sedër si krijuesja e shpërfillur e dhuratës simbolike për “babanë e popujve”, kur nuk e përfshinë në delegacionin që do të shkonte nga Tropoja në Tiranë për ta takuar atë. Por më pas kuptoji se “brenda saj rridhte pavetëdijshëm një përrua zemërimi, pse krerët e Partisë në rreth nuk e kishin marrë me vete në Tiranë”. Por gjithsesi, ato ditë kur pjesëmarrja në mitngje ishte e detyrueshme, prodhuesja e opingave artistike për Hrushovin do të shihte vehten dhe do të detyrohej të fliste në tribunën e mitingut të organizuar në qendrën e qytetit Bajram Curri. Dhe për sa kohë, tanët e patën mirë me “babanë e popujve” Nëna, ndonëse e njihte fare pak politikën do të ishte më e preferuara e drejtuesvëe të saj në rreth. Por rrjedha ndryshoi në të kundërtën, kur pas “tradhtisë” së Hrushovit, shoqja Rushe, si ziliqare që ishte do ta kërcënonte se tani do t’i hapeshin petët lakorit, ç’ka nënkuptonte se Nëna (ose shoqja S e romanit) do të ndëshkohej si hrushoviste (ajo do të burgosej ndërsa do ta pësonte i shoqi komunist dhe tre djemtë e saj). Por autori, edhe në këtë rast ka meritën e përshkrimit të një Nëne që “krenohej me bukurinë e saj të jashtme, gjë që ishte e papajtueshme me vijën e partisë, sipas së cilës nuk ishte dukja, por thelbi, domethënë bota e brendëshme, shpirti revolucionar që përbënte pasurinë dhe bukurinë e njeriut të ri”.
Koherenca me realitetin objektiv
Nëse ngjarjet i përkasin kohës mënxyrë kur partia porosiste që lufta e klasave të zhvillohej edhe brenda familjes, autori i sjell ato në koherencë me realitetin objektiv, qoftë edhe kur pohon “Udhëheqësit kishin një gjuhë të caktuar për të folur me njëri-tjetrin e një tjetër gjuhë për të folur me popullin”. (A nuk ndodh edhe sot kësisoj me klasën tonë politike të dalë boje?!!!”). Apo edhe kur pohon se ka gërmuar gjatë nëpër arkivat e Agjencisë Telegrafike Shqiptare për të gjetur fotografinë e nënës së tij në tribunën e mitingut të organizuar në Tropojë gjatë vizitës së Hrushovit në vendin tonë. Nga ai miting Nëna ishte dekoruar me “Urdhrin e Yllit me Pesë Cepa” nga Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, dekoratë kjo që do ta stresonte e mbante nën ankth gjatë gjithë viteve të mëvonshme pas “tradhtisë” së Hrushovit, kur mendonte se do t’i hapeshin një ditë petët lakrorit! “Në të vërtetë – shkruan autori – ky arsyetim në kokën e Nënës sime do të sqarohej më vonë, ngadalë, gjatë përplasjeve të vështira që do të kishte ajo me veten për të ndarë sa më mirë nëse ishte viktimë, apo fajtore në këtë histori”. Është një histori e rrallë mbi të cilën autori ndërthur mjeshtërisht ngjarje e personazhe që na bëjmë të kuptojmë më së miri sistemin e kalbur të diktaturës komuniste. Ndonëse e përshkruan si hamendje të Nënës së tij, në të vërtetë është koha kur pas ngjarjesh e arrestimesh të bujshme për tradhti imagjinare e kalime të paligjshme kufiri, qyteti Bajram Curri jetonte dita-ditës me një bombë me sahat në gji.
Shthurjen dhe dekadencën e atij sistemi autori na e paraqet mjaftë bukur qoftë dhe me profilizimin e personazhit të Vasilikës, që ndonëse e kishte sjellë Partia të përhapte të renë e civilizimin në qytetin verior në zemër të maleve, qytetarët thonin: “Na qelbi vendin ajo bishtpërdredhura e dreqit!”. Dhe kur për këtë “bishtpërdredhurën” shkon fjala deri tek shoku Enver (nëpërmjet një letre anonime) se ajo “shkonte në shtrat jo vetëm me djemtë më të pashëm të qytetit, qofshin ata beqarë apo të martuar, por edhe me kuadrot e Partisë e të pushtetit, pa parë moshën e tyre, si dhe me oficerët e Sigurimit në rreth”, Udhëheqësi do t’i kërcënonte ato se “puna e madhe dhe delikate e Partisë duhet përqëndruar kësaj here tërësisht tek burrat, për kalitjen e forcës së karakterit të tyre”. Autori që pohon se letrën anonime, bashkë me shënimin e Enver Hoxhës që e ka gjetur në Arkivën Qëndrore të Shtetit gjatë përgatitjeve për shkrimin e këtij romani, argumenton më së miri për këtë “qëndrim krejt të përligjur të Enver Hoxhës që e kishte kuptuar më në fund se nuk kishte mënyrë tjetër veç anonimatit, për t’ua varë njerëzve të thjeshtë lepurin e frikës, i cili me ata dhëmbët e tij prerës, po ia hante shpirtin popullit, siç hante lakrat natën në vjeshtë, në kopshtet e fshatarëve. Babai i atij lepuri të tmerrëshëm ishte hija e Stalinit”. Këtë tezë e mbron edhe me pohimin e Nënës së tij që i kishte pohuar se “hapi që bëri për t’u përfshirë në politikë, në të vërtetë e kishte hedhur në një greminë ku do të gjente një vetmi të ngulur si tumor i fshehtë, i ngulitur në trurin e saj”.
Enigma për “këpucën” me të cilën Hrushovi goditi tribunën e OKB-së
Dhe si për ta përligjur këtë ngulitje, autori përshkruan më pas me realizëm ngulmimin e Nënës që ai të gërmonte në Arkivin e OKB-së për këpucën më të cilën Hroshovi paskësh goditur tribunën e intistitucionit më të rëndësishëm botëror me pretekstin se nuk i kishin dhënë fjalën për një replikë rastësore. Autori nuk arrinte ta merrte dot me mend se çfarë lidhje shihte Nëna e tij midis opingave, që kishte bërë dikur për Hrushovin, dhe këpucës, me të cilën kishte goditur ai tribunën e sallës plenare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, siç ishte bërë e njohur botërisht dyzetepesë vjet më parë (12 tetor 1960)…,kur flitej për sherret e Hrushovit me kryetarin e asaj Asambleje, Frederick Boland-in, si dhe me kryetarin e delegacionit të Filipineve, një farë Lorenzo Sumulong, i cili kishte thënë se popujt e Europës Lindore, të përpirë nga Bashkimi Sovjetik, nuk gëzonin të drejta civile e as politike.
Pikërisht kjo mungesë lirish të drejtash civile e politike si të drejtat bazë të lirisë njerëzore përshkojnë si fill gjithë romanin “Dëmtuar gjatë rrugës” të Besnik Mustafajt. Ai e ka treguar mjaftë bukur në roman se çfarë e bëri Nënën të ketë aq frikë nga zyrat e pushtetit. “Nëna” në romanin tim nuk është një personazh që e bën politikën. Ajo vetëm e pëson politikën. Rrjedhimisht, përjetimet e saj janë ato të një personazhi të pafuqishëm përballë politikës. Vetëdija e pafuqisë është dërrmuese për njeriun. Në këtë roman unë kam synuar ta tregoj ekzistencën e shqiptarit të thjesht nën diktaturë jo duke e kërkuar dramën në vatrën e dukshme të dhunës e që ishin burgjet apo internimet, por në atë pjesë të skenës që paraqitej si suksesi i regjimit e ku jetonte shumica absolute e popullsisë”,-shprehet Mustafaj.
Pikërisht pse ai arrin ta qartësojë Nënën për këtë realitet të trishtë, apo edhe për pakon e ardhur pas shumë vitesh nga Munihu me shënimin e postës së Tiranës “Dëmtuar rrugës”, ky, mund të konsiderohet vërtetë një roman me fund të lumtur. Pas arritjes me këtë roman të llojit dhe stilit të veçantë, Besnik Mustafaj është në të drejtën e tij ta lëjë mënjanë politikën dhe t’i përkushtohet totalisht me gjithë potencialin e talentit te tij prozës. Pasi është vërtetë befasues prezantimi i tij i fundit me këtë roman fitues të Çmimit të madh të Panairit të Librit 2019 dhe me të cilin ai u shpall “Autori më i mirë i vitit”.