Irma Kurti rrëmben çmimin e parë në Itali
– Një tjetër vlerësim për poeten shqiptare
Vazhdon të vlerësohet në Itali krijimtaria e poetes shqiptare Irma Kurti. Këtë radhë libri i saj me poezi “Il sole ha emigrato”(Dielli ka emigruar), botim i Edizioni Convalle vlerësohet me çmimin e parë në Konkursin Letrar Ndërkombëtar “Leandro Polverini” në Anzio të Romës. Vetëm pak muaj më parë Kurti u nderua sërish me çmim të parë në Konkursin Letrar Ndërkombëtar “Scriptura” në Napoli me poezinë “Usuale” (E zakonshme).
Në parathënien e shkruar nga kritiku italian Lorenzo Spurio shkruhet: “Termi ‘emigron’ është zgjedhur me kujdes nga poetja për të nënkuptuar jo vetëm natyrën e dyfishtë të saj si grua shqiptare të naturalizuar në italiane, por mbi të gjitha sentimentin e vetmisë dhe trishtimit, të mungesës së ndriçimeve të një moshe të pasur dhe plot dritë të jetuar në shoqërinë e prindërve të dashur, të cilëve u është dedikuar vëllimi. Ky libër vazhdon në rrugën tashmë të ndërmarrë në vite të një poetike intime, ku kujtimet personale përbëjnë motivin kryesor”.
Irma Kurti njihet nga publiku shqiptar si autore e suksesshme e shumë teksteve të këngëve shqiptare. Ka botuar tetëmbëdhjetë libra në gjuhën shqipe, dymbëdhjetë në italisht dhe katër në anglisht. Banon prej vitesh në Bergamo të Italisë.