Nora Malaj: Se fëmijët janë të parët!
Se fëmijët janë të parët!
Të trembur, të emocionuar dhe të pasigurtë!
(Si të menaxhojmë situatën post traumatike, pasi çdo minutë që kalon duke ndenjur në pasivitet, bëhet një dëm i pariparueshëm për popullsinë)
Të trembur, të pasigurtë, të frikësuar dhe të stresuar. Këto janë siptomat që ka lënë pas tërmeti,me të cilën tashmë duhet të përballemi të gjithë si shoqëri, qeveri dhe institucione.
Momenti i parë kur ra tërmeti, askush nuk ishte në gjendje të bënte bilacin se çdo të linte pas.
30 sekonda dhe askush nuk pati luksin të shihte ç’po ndodhte me jetën e tij dhe ata që kish përreth. Situata ishte traumatike. Pastaj filluan orët e ankthit, për të parë shkatërrimet rreth e qark, rrënojat dhe jetën që tashmë ishin kapur si në çark. Të gjithë ishin si të ngrirë. Njerëzit të terrorizuar, gazetarët që mundoheshin të pasqyronin gjithçka, qytetarët që nuk i besonin syve tek shihnin shtëpitë, hotelet, dyqanet që po ktheheshin në gërmadha, persona tē traumatizuar që kërkonin ndihmë dhe policia, zjarrfikësit, pa mjete të specializuara, që ishin të papërgatitur për këtë situatë, pa mjete, pa pajisje, po me lopata e duar, me shpirt dhe me vetmohim, mundoheshin të shpëtonin dhe të ndihmonin qytetarët që u gjendën nën rrënoja.
Pas valës së parë, frika si rezultat i trembjes dhe vijimësisë së goditjeve që vazhduan pas valës se parë të tërmetit fatal, tashmë ka zënë vend te qytetarët dhe banorët e zonave të prekura nga tërmeti. Frika vjen nga pasiguria
pasi qytetarët:
1. Janë të lodhur me dalje pa kriter dhe me shfaqje të shëmtuara nga përfaqësuesit e qeverisë, të cilët po e kalojnë masën me daljet e tyre shou. Një thënie latine thotë: “Çdo gjë që e kalon masën kthehet në të kundërtën e saj”. Sot qytetarët e Durrësit, Thumanës, Krujës, Fushë-Krujës, Laçit, Lezhës, Mamurrasit, Manzës gjenden të pasigurtë dhe të paqartë se çfarë do të bëhet me jetën e tyre dhe të fëmijëve të tyre.
2. Ata duan trasparencë dhe garanci nga qeveria e tyre për të ditur sesi do të venë fatet dhe jetët e tyre në ditët në vijim.
3. Një pjesë e mirë e tyre kanë dalë nga shtëpia me rrobat e trupit dhe asgjë tjetër. As dokumenta, as para, asnjë gjë. Tërë jeta e tyre në 30 sekonda është bërë shkrum e hi dhe për ta fillon “viti zero”, kjo atyre iu krijon një stres të madh, që duhet menaxhuar.
4. Një pjesë e tyre kanë fëmijë të vegjël dhe e kanë të pamundur të qendrojnë në mjedise që nuk iu realizojnë dot kushtet minimale, për të kryer shërbimet për foshnjat e vogla dhe kanë nevojë për shërbime të dedikuara dhe kujdes parësor për bebet e vogla, si në zonat urbane, po edhe në ato rurale.
Por pasiguria “post tërmet” po i kalon qytetarët dhe shoqërinë në ankthin dhe në frikërat se ata nuk e dinë se cfarë do t’iu ndodhi me të nesërmen.
5. Kemi një situatë postraumatike, që po nuk u menaxhua si duhet, tani që është momenti, më pas pasoja do të jenë shumë të renda për shoqërinë e brezat që do vijnë. Kjo është përgjegjësi direkte e qeverisë, institucioneve dhe e gjithë specialistëve e shoqërisë.
6. Sot, prindërit dhe mësuesit janë targeti më i prekur dhe traumatizuar nga tërmeti, se jo vetëm që janë qenie humane, që edhe ato kanë frikërat e tyre, po njëkohësisht duhet tē bëjnë edhe prindërimin, duke u qëndruar pranë fëmijeve të tyre, po njëkohësisht duhet edhe të rregullojnë mbijetesën në këto kushte tejet të vështira.
7. Prindërit duhet të garantohen nëpermjet një raportimi të rregullt dhe të nënshkruar nga specialistët për mjediset shkollore apo kopshtet e çerdhet ku fëmijët do të vijojnë procesin e edukimit, të arsimimit dhe vijimësinë e jetës. Ndaj e rëndësishme është që institucionet e arsimit dhe kopshtet e çerdhet të jenë të pajisur me ekspertizën dhe raportin e shkruar nga grupi i inspektimit, për çdo mjedis arsimor dhe edukimi, si dhe me garancinë inxhenierike që këto mjedise bëjnë për fëmijët e tyre, që prindërit dhe mësuesit të jenë të qetë në sigurinë e garancisë së jetës së fëmijeve dhe nxënësve.
8. Domosdoshmërisht duhet një plan kombëtarë post traumës, pasi prindërit, mësuesit dhe fëmijët, sidomos të zonave të prekura nga tërmeti e kanë dosmosdoshmëri ngritjen e një qendre post traumës në Universitetin e Durrësit dhe se bashku me institucionet dhe departametet e të gjitha univesiteteve publike dhe jo publike të shkencave sociale, të krijojnë qendrat e terapive për t’u dhënë asistencë në fillim mësuesve, prindërve dhe pastaj fëmijëve për të menaxhuar frikërat dhe stresin post traumës.
9. Ministria e Arsimit dhe Ministria e Shëndetësise të mbështesin këtë plan mbarë kombëtar për t’iu kthyer buzëqeshjen, normalitetin dhe qetësinë fëmijëve.
10. Të krijohen emisione të dedikuara në media që të flasin sa më shumë specialistët, për të ndihmuar prindërit, fëmijët dhe mësuesit.
Sot nuk ka kohë për show, por për punë të mira që bëhen me dashuri për të kaluar situatën past traumatike nga të gjithë!
Çdo fëmijë duhet trajtuar me përparësi dhe me investim të dedikur!
11. Këshilli kombëtarë i prindërve duhet të thërrasi mbledhjen e jashtëzakonshme për të hartuar dhe menaxhuar situatën pastraumatike, në sistemin arsimor.
Godinat ndërtohen, muret pasi shemben ngrihen, por jeta e fëmijëve dhe adoleshentëve nuk zhbëhet nëse nuk po të investojmë të gjithë së bashku tani, sa nuk është vonë!
Të parët janë fëmijët!
Nderi i kombit fillon te fëmijët dhe përfundon te të moshuarit!