Thanas L. Gjika: Të panjohurat e Lasgush Poradecit në takimet personale
(Kujtime)
Me Lasgushin te Petro Martini dhe tek Instituti i Historisë dhe Letërsisë
Petro Martini ishte një nga intelektualët e vjetër më fatkeqë që kisha njohur në Tiranë. Ishte i verbër, kurse gruaja e tij zvicerane ishte e paralizuar, shumë e dobët si një skelet. Ata nuk kishin fëmijë, sepse e shoqja kishte dështuar disa herë me dashjen e saj. Gjatë viteteve të luftës të dy kishin vendosur ta linin punën e fëmijëve pasi të mbaronte lufta. Mirëpo pas luftës ndodhi përmbysja e madhe: shteti ua konfiskoi të vetmen pasuri që kishte kjo familje, shtëpinë me dy kate e me dy hyrje anës rrugës Bardhyll tek Unaza afër spitalit. Ky pallat i vogël ishte përfunduar më 1942 prej specialistëve italianë dhe quhej Pallacina Martini. Kishte tetë apartamente që ishin lëshuar me qira. Gruaja e Petros ishte tmerruar nga arrestimet, burgosjet dhe internimet e shumë shokëve dhe kolegëve të Petros. E mbetur pa shtëpi e pa të ardhura, zonja zvicerane vendosi të mos bënte fëmijë, duke menduar se nuk duhej të krijonte fëmijë fatkeqë…
Petroja kishte vetëm një vëlla më të madh, Sotir Martinin. Ky kishte qenë një nga oborrtarët e Madhërisë së Tij Zogut të I dhe ishte larguar nga Shqipëria bashkë me familjen mbretërore pas 7 prillit 1939. Këta dy vëllezër ishin me origjinë nga Borova e Kolonjës. Ishin larguar herët nga fshati si kurbetllinj në Bukuresht. Aty, krahas punës kishin kryer dhe shkollën e mesme. Sotiri ishte kthyer në Shqipëri, kurse Petroja kishte shkuar në Zvicër ku kishte kryer studimet për drejtësi në Zurih (Zurich), kantoni ku flitej gjermanisht. Gjatë jetës studentore ky ishte dashuruar dhe martuar me një vajzë vendase, një bjonde e bukur. Kishin ardhur të dy në Shqipëri aty nga viti 1937. Petroja kishte hapur një zyrë private avokatore të cilën e mbajti hapur edhe disa vjet pas ardhjes në fuqi të partisë komuniste, kur i filloi verbimi nga glaukoma. Gruaja kishte qenë gjithnjë shtëpiake.
Duke qenë se asnjëri nuk kishte punuar në punë shtetërore, ata nuk merrnin pension, por shteti u jepte të dyve nga një asistencë prej 1.000 lekësh të asaj kohe. Vëllai i tij nuk ishte në gjendje të mirë ekonomike dhe nuk u dërgonte dot ndihma. Njerëzit e gruas u dërgonin dy ose tri herë në vit nga një pako me veshje, të cilat Petroja ua shiste komshinjve. Ky çift fatkeq jetonte me qira në katin e dytë të një shtëpie privare te Rruga e Barikadave karshi gjimnazit “Sami Frashëri”.
Fisi Martini, që jetonte në Borovë, ishte shuar gati i gjithi gjatë masakrës që kryen forcat gjermane si përgjigje ndaj aksionit sulmues të forcave partizane. Petroja me bashkëshorten jetonin të vetmuar, ishin pa farë e fis, madje dhe shokët e pakët e kishin braktisur, por nuk e kishte braktisur Lasgushi, me të cilin ishte njohur gjatë emigracionit në Bukuresht.
Në shtator të vitin 1965 nëna ime dhe unë e njohëm Petron prej gruas së një kushëriri të tim eti, e cila punonte si shitëse buke afër shtëpisë ku banonte ky çift hallemadh. Nëna ime ishte fetare e përkushtuar dhe kur njihte ndonjë rast të tillë përpiqej ta ndihmonte me sa mundej. Këtë frymë ishte përpjekur të na i kultivonte dhe ne fëmijëve të saj. Kështu, kur vinte nëna jonë në Tiranë, tek apartamenti i Viktorit, ku banoja dhe unë, më merrte me vete dhe i bënim nga një vizitë çiftit Martini. Kur nëna kthehej në Korçë unë i vazhdoja vizitat te Petroja. Më tërhiqte enciklopedizmi i tij, urtësia, mosankimi për gjendjen e rëndë, etj.
Pikërisht në atë dhomën e palyer prej kushedi sa vitesh, ku jetonte Petroja, me zonjen e paralizuar, e takova Lasgushin dy herë.
Herën e parë e ndjeva veten si në ëndërr. Takoja nga afër njërin nga tre poetët e adhuruar. Deri atëhere, ishte dimri i vitit 1965-1966, adhuroja, Lasgushin, Fan Nolin dhe Migjenin. Prej dy të parëve dija përmendësh disa poezi, kurse prej Migjenit nuk dija plotësisht përmendësh asnjë poezi.
Kisha nja 15 minuta që dëgjoja Petron. Ishte koha e Rankoviçit, prandaj Petroja më fliste për persekutimin e shqiptarëve në Jugosllavi, sipas lajmeve dhe komenteve që kishte dëgjuar në radiostacionet zvicerane në gjuhën gjermane. Midis tjerash më tha me një farë pesimizmi se mesa po kuptonte ai, problemi i Kosovës nuk do të zgjidhej shpejt, madje do të zgjidhej kur kufijtë e shteteve nuk do të kishin më rëndësinë që kishin kur po bisedonim.
E shoqja e Petros rrinte shtrirë dhe nuk fliste. Ndonjëherë Petroja i drejtohej gjermanisht për ta pyetur se mos kishte ndonjë nevojë. Te shkallët u dëgjua trokitja e një shkopi: pam, pam, pam.
“Erdhi Lasgushi, kështu troket ai me një shkop që e le prapa portës” – tha Petroja.
Unë nuk e dija se ata ishin shokë e miq të vjetër. Lasgushi hyri si në shtëpinë e tij dhe pasi i dha dorën Petros, përshëndeti bashkëshorten e tij gjermanisht. Pastaj më dha dorën mua pa u prezantuar se kush ishte dhe pa më pyetur se si quhesha. U soll sikur të ishim njohur që më parë. Më pyeti vetëm se a isha mirë me shëndet. Mendova se Petroja do t’i kishte folur Lasgushit për mua në ndonjë takim të mëparshëm.
Unë isha student në vitin e katër të degës për letërsi dhe gjuhë shqipe. Poetin më të madh lirik të viteve të paraluftës, në vend që ta takoja e njihja gjatë ndonjë ore mësimi në Fakultet, ku duhej të na e prezantonin pedagogët e letersisë, erdhi rasti ta njihja në këtë dhomë të vogël, të nxirrë nga tymrat e sobës.
Lasgushi nuk e hoqi pallton, u ul te karrikja tjetër. Pas pak filloi biseda. Lasgushi filloi të tregonte sesi në vitet e Mbretit Zog shqiptarët i kishin qilarët plot me zaire, butet plot me verë, njerëzit mund të shkonin jashtë shtetit, etj. Ai fliste pa bërë asnjë koment nga ana e tij. Kur fliste nuk më shikonte në sy, shikonte nga dritarja. M’u duk sikur nuk fliste me mua, por sikur meditonte. Pas ndonjë ore u largova, pa kuptuar nëse Lasgushi fliste me nostalgji për kohën e rinisë kur kishte arritur apogjeun e tij si poet, apo donte të më thoshte se tani në kohën e partisë, populli shqiptar bënte një jetë më të varfër, pa zairera, pa bute me verë, një jetë të izoluar nga bota.
Një kryqëzim në rrugë. Pas ca kohe, aty nga pranvera e vitit 1967, sa kisha dalë nga dyqani i madh MAPO dhe kisha marrë kthesën e po ecja në Rrugën e Barikadave. Pas pak më doli përballë Lasgushi me dy vajzat e tij. Të madhen e mbante për dore, kurse të voglën po e mbante kalakiç, si thoshim nga Korça kur dikush e mbante fëmijën mbi zverk.
Fillova ta shikoja drejt e në sy për ta përshëndetur, por ai as më pa fare dhe kaloi me një farë nxitimi. Mendova se po shkonte te dyqani MAPO, për të blerë veshje të reja për vajzat.
Herën e dytë e takova Lasgushin te Petroja në pranverën e vitit 1970, kur kisha filluar të punoja në “Institutin e Historisë dhe të Gjuhësisë”, i cili dy vjet më vonë u nda në dy institute në “Institutin e Historisë” dhe në “Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë”.
Lasgushi sa mori vesh se ku kisha filluar punën me tha: “Kam dy dokumente me vlerë për historinë e letërsisë dhe të gazetarisë shqiptare. Kam një poezi të Asdrenit të shkruar me dorën e tij dhe numërin e parë të gazetës ‘Shqipëtari’ të Nikolla Naços. Ky numër është botuar me bojë të kuqe, sepse ishte numër special”.
U gëzova dhe i thashë se të tillë dokumente me vlerë është më mirë t’i ketë shteti, i cili i ruan më mirë se çdo privat. Lasgushi nuk e zgjati, po më tha se do të vinte në institut të bisedonte.
Kësaj radhe dolëm bashkë nga shtëpia e Petros dhe ishim duke ecur në rrugë kur i thashë se më vinte shumë keq për gjendjen e shokut të tij. Ai m’u përgjigj: “Petroja me të shoqen nuk donin të kishin fëmijë. Perëndia u dha disa herë fëmijë, por ajo zvicerania shkonte e i dështonte. Tani nuk ka kush t’u japë një gotë ujë. Kurse unë me Nafien për shumë vjet nuk mundëm të bënim dot fëmijë, por u interesuam te doktorët për të realizuar bërjen e fëmijëve. Dhe ja, edhe pse me vonesë, i bëmë dhe i kemi dy vajza si drita që na e mbushin shtëpinë dhe zemrën me gëzime”.
Kur u ndamë e kujtova që të vinte në institut për të biseduar për ato dokumentet.
Tek Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë. Lasgushi erdhi pas disa javësh pikërisht te zyra ku punoja unë me disa kolegë, midis të cilëve ishte dhe zv.shefi i sektorit të letërsisë, i ndjeri Jorgo Bulo. Me Jorgon, Lasgushi ishte njohur që më parë, sepse Jorgua e kishte gruan nga Pogradeci dhe kalonte atje pushimet e verës. Lasgushi nuk deshi të ulej te një kolltuk që kishim për vizitorët. Po rrinim të tre në këmbë dhe unë e hapa me njëherë bisedën për dokumentet që ruante Lasgushi. Jorgua i tha se do të ishte nder për institutin tonë që t’i kishte ato dokumente në arkivin e tij. Lasgushi e pyeti:
“Sa paguani ju për sejcilin nga këto dy dokumente”?
Jorgua u ndje ngushtë dhe i tha se instituti nuk kishte mundësi të paguante, prandaj ai i mirëpriste dokumentet si dhuratë.
“Kanë kaluar mbi 25 vjet dhe akoma ky shtet nuk ka pare të paguajë për dokumente me vlerë kombëtare”? – Pyeti Lasgushi duke e parë Jorgon me ato sytë e tij që dukej sikur lëshonin shkëndia. Pastaj shtoi: “Po kur do të kini pare për të tilla vlera”? Jorgua ngriti supet. Lasgushi u largua pa thënë gjë…
Te shtëpia e Lasgushit në Tiranë
Në vitin 1972, gjashtë vjet pasi kisha mbaruar fakultetin dhe kisha punuar në Radio Tirana dhe në ‘Institutin e Historisë dhe të Gjuhësisë’, m’ u dha në krah të majtë të lumit Lana një apartament me një dhomë e një kuzhinë. Që nga viti 1967 që filloi puna vullnetare për ndërtim pallatesh, ky ishte i gjashti, ku kisha derdhur djersën. Ky ishte një pallat pesë katësh anës Unazës përballë gjimnazit Ismail Qemali, në lagjen Ali Demi.
Një ditë tetori kisha dalë në ballkonin nga ana e lumit dhe po shikoja malin e Dajtit, i cili me ngjyrat vjeshtake dukej dhe më i bukur. Kur papritur anës Lanës pashë Lasgushin veshur me pallton dhe kapellën e tij të zezë duke ecur me qenin e tij të vogël të bardhë. E kishte nxjerrë për shëtitje. Ai e mbante dhe e trajtonte konkën e vet si në Europë, jo si shqiptarët e tjerë. E mbante brenda në shtëpi si pjesëtar të familjes, i fliste me emër dhe qeni e kuptonte dhe reagonte sipas urdhrave që i jepte ai. Marrëdhëniet e Lasgushit me qenin e tij përbënin një aspekt europian të jetës së tij, por unë gabimisht e mendoja si një teke lasgushiane. Pas ndërrimit të regjimit edhe shumë shqiptarë filluan të mbanin qenër dhe konka brenda shtëpive të tyre, madje dhe brenda apartamenteve të ngushtë, duke i trajtuar si pjesëtarë të familjes dhe jo si më parë, që i linin jashtë shtëpive thjesht si kafshë mbrojtëse.
U kujtova për dorëshkrimin e poezisë së Asdrenit dhe për numërin e parë të gazetës Shqipëtari të Nikolla Naços. Pasi pyeta se ku banonte poeti, mësova se ai e kishte shtëpinë aty pranë te rruga Asdreni. Në vijë ajrore ishim nja 200-250 metra larg njëri tjetrit. Shtëpia e tij ishte një vilë e vogël me tulla të kuqe një kat e gjysëm e rrethuar me avlli. Kishte një oborr të vogël përpara dhe shumë pak tokë rreth e rrotull. Modeli i saj ngjante me disa shtëpi që kisha parë në Pogradec.
Shkova dhe trokita te porta, të cilën ma hapi një vazë e re, e gjallë, e qeshur me sy të mëdhenj dhe fytyrë ovale. Ishte vajza e vogël, ajo që e kisha parë kalakiç mbi zverkun e babait te rruga e Barikadave. Flokët e saj ishin bjonde në gështenjë. Më ftoi të hyja brenda.
Qeni ishte në oborr, lehu pak dhe kur Marieja i bëri një shenjë, heshti. Ishte pasdite e një të djele vjeshte dhe bënte pak ftohtë. Vajza e madhe Kostandina e tërhoqi nga brenda derën e shtëpisë duke thënë: “Urdhëroni”. Kjo ishte krejt bionde me fytyrë rrumbullake, e qeshur gjithashtu. Hyra në një sallon të madh dhe me lartësi mbi tre metra, që shërbente si dhomë ndënje dhe pritje. Apartamentet tanë nuk kishin asnjë nga dimensionet e këtij ambjenti.
Lasgushi u ngrit nga divani dhe më dha dorën. Kishte pamje ëgjëllore, me dy mollza të kuqremta dhe sy gjithë dritë. Kurse zonja Nafie pasi më përshëndeti dhe qirasi me karamele, kaloi në një nga dhomat matanë duke ngjitur nja tre shkallë, sepse dhomat dhe banja ishin mbi nivelin e sallonit. Ajo nuk doli më. Kisha dëgjuar se ajo ishte rreth 20 vjet më e re, por në pamaje të parë m’u duk vetëm nja tre a pesë vjet më e re se bashkëshorti.
Sjellja e saj më dha të kuptoja se duke shkuar pa lajmëruar po bëja një vizitë të papërshtatshme.
Për të mos e zgjatur hyra drejt e në temë. I kujtova Lasgushit ato dy dokumentet dhe iu luta që të ma vinte në dispozicion sa për ta lexuar numërin e parë të gazetës Shqipëtari / Albanezul të Nikolla Naços. Doja të mbaja disa shënime që të shkruaja një artikull. Në Bibliotekën Kombëtare nuk kishte asnjë numër të kësaj gazete. Numëri i parë i saj kishte dalë shqip e rumanisht më 16 korrik 1895. Ky numër ishte me vlera historike sepse shënonte daljen e gazetave shqiptare të Rilindjes. Mirëpo Lasgushi më tha se këtë dokument dhe të tjera i ruante te shtëpia e tij në Pogradec dhe se ato nuk i kishte të sistemuara dhe kushedi se kur mund t’i gjente.
Pastaj filloi të tregonte për vajtjen e tij në Bukuresht kur ishte djalë e ri. Tregoi se shkoi te një kushëriri i tij që shiste birra në një kafene-birrari. Për të fjetur kushua i shtroi disa plaçka në një gade birre bosh që rrinte shtrirë te një qoshe e dyqanit. I hodhi diçka për mbulesë dhe vijoi punën. Mirëpo Lasgushin, edhe pse ishte i lodhur, nuk po e zinte gjumi.
Nuk ishin bisedat dhe zhurmat e njerëzve që e pengonin të flinte, por pozicioni me këmbë shumë të mbledhura.
“Tërë natën u përpëlita duke u kthyer sa majtas djathtas, por nuk fjeta dot”, tha Lasgushi dhe sqaroi: “Njeriu nuk fjetka dot po të mos i shtrijë këmbët.”
Pas këtij rrëfimi u ngrita dhe ika duke ia dhënë dorën me ngrohtësi. Deshi të delte te porta, por unë i thashë se bënte ftohtë dhe nuk ishte e nevojshme të më përcillte. Më pa me ato sytë e tij që të zhbironin dhe u kthye te divani. Vajzat erdhën deri te porta dhe pasi u përshëndetëm, e mbyllën portën.
Jam mjeshtër i poezisë, si im atë – usta i punimit të bakrit
Një herë tjetër shkova te Lasgushi bashkë me Julian. Ishte pranvera e vitit 1977 ose 1978. Julia kishte shkruar një poezi dhe donte t’ia recitonte. Ishte një poezi peisazhi.
Lasgushi, pasi e dëgjoi, nuk e kritikoi faktin se poezia nuk kishte varg të rregullt dhe rimë, por theksoi: “Ambjentin e ke përshkruar mirë, por mungojnë lëvizjet. Peisazhi poetik pa lëvizje, pa jetën e gjallë, është i vdekur.”
Menjëherë më erdhi në mend poezia e tij “Poradeci”:
“Perëndim i vagëlluar mi Liqerin pa kufir.
Po përhapet dal-nga-dalë një pluhùrë si një hije.
Nëpër Mal e në Lëndina shkrumb i natës që po bije,
Dyke sbritur që nga qjelli përmbi Fshat po bëhet fir…
E kudo krahin’ e gjërë më s’po qit as pipëlim:
Në katund kërcet një portë… në liqer hesht një lopatë…
Një shqiponjë-e arratisur fluturon në Mal-të-Thatë…
Futet zemr’ e vetëmuar mun në fund të shpirtit t’im.
Tërë fisi, tërë jeta, ra… u dergj… e zuri gjumi…
Zotëroi më katër anë errësira…
Po tashi:
Dyke nisur udhëtimin mes-për-mes në Shqipëri,
Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shëndaumi”.
Kështu ishin plot jetë edhe poezitë e tjera të peisazhit të tij si “Kroi i fshatit tonë”, etj. ku peisazhi ishte i mbushur me jetë njerëzore, me lëvizjet e njerëzve dhe të qenieve të gjalla.
I thashë: “Ke të drejtë, Lasgush”.
“Kam të drejtë sepse jam mjeshtër i poezisë, unë e di si krijohet poezia dhe askush nuk mund të më kritikojë pse e kam shkruar në këtë ose atë formë një poezi” – tha me një farë krenarie dhe shtoi: “Im atë ishte usta i mbaruar si punues i bakrit. Unë nuk mund t’i bëja atij asnjë vërejtje sesi i kishte krijuar tenxheret, kusitë, tepsitë, pjatat prej barkri të cilat pasi u jepte format e duhura i kalliste nga brenda dhe i lyente nga jashtë me një ngjyrë të errët. Im atë ishte usta i punimit të bakrit, kurse unë u bëra usta, mjeshtër i poezisë”.
M’ u kujtua sesi një herë, kur u ndodha në zyrën e Dionis Bubanit te revista Hosteni ra zilja e telefonit. Në telefon fliste Lasgushi. Dionisi i drejtohej jo me emër as me formën e respektit “zoti Lasgush”, por me fjalët: “Po mjeshtër…, mjeshtër të lutem”, etj.
Dionisi e kishte kryer shkollën e mesme në Bukuresht dhe dinte ta vlerësonte Lasgushin si e meritonte, kurse unë me kolegët e mij, të diplomuar në Universitetin e Tiranës, i drejtoheshim këtij poeti të shquar thjesht me emrin e tij, Lasgush, sikur të ishte shoku ynë.
Dionisi më tha se Lasgushi ishte i vetmi poet në Shqipëri që kishte gradën shkencore Doktor në Flozofi, pra PhD, si e shkruajmë sot. Lasgushi, si dhe Eqrem Çabej, ishin njerëz të thjeshtë në sjellje dhe biseda. Ata nuk i përmendnin titujt, veprat dhe arritjet e tyre, por në sjelljen e tyre fisnike ndjehej krenaria e të qenit njerëz të shquar, njerëz të formuar në botën Perëndimore. Dhe ku, në Austri.
Shkollim marrin të gjithë, por kulturë hiç fare
Një herë tjetër shkova përsëri me Julian. Lasgushi ishte në oborr bashkë me Ing. Petraq Kolevicën. Sapo ishin ngritur nga karriket. Petraqi i dha dorën dhe u bë gati për të dalë. Unë kisha qejf të rrinte dhe ky intelektual i shquar e poet, që ta dëgjonim së bashku mikun tonë. I bëra shënjë me dorë, por gjestit tim iu përgjigj me ngritjen e dorës së djathtë duke treguar orën, pra i kishte vajtur ora për një punë a takim tjetër.
Petraq Kolevica kishte qenë një nga ata nxënësit e shkëlqyet (exelence) që kishte nxjerrë gjimnazi i Korçës që nga vitet kur kishte qenë Lice Francez dhe deri më 1990. Të gjithë këta ishin shquar më vonë në fusha të ndryshme. Petraqi e tregoi veten intelektual i shquar në disa drejtime si arkitekt, shkrimtar, poet, përkthyes dhe pastaj si botuesi i librit me shënime “Lasgushi më ka thënë”, punë të cilën duhej ta kishim bërë një nga ne studiuesit e letërsisë shqiptare të së kaluarës. Por ne luftonim të realizonim planin që na ngarkonte drejtoria, kurse për ndonjë punë jashtë planit, si mbledhje kujtimesh nga Lasgushi, Ali Asllani, Mitrush Kuteli, Vedat Kokona, etj as na shkonte në mend. Nuk na shkonte në mend sepse ishim punonjës shkencorë pa shkëndia dhe të patalentuar…
Pasi hymë brenda, pas disa bisedash, Lasgushi tha duke qeshur: Unë jap karakterizime shumë të shkurtra për njerëzit. Ja dëgjoni si e karakterizoj Skënder Luarasin: ‘Shumë patriot, shumë demokrat, shumë nevrik’.
“Të lumtë se e ke qëlluar, i thashë unë që e njihja Skënderin nga afër” dhe shtova: “po për profesor Eqrem Çabejn a mund të japësh ndonjë karakterizim”?
“Pa tjetër, tha Lasgushi dhe duke u drejtuar, sikur do të recitonte, deklaroi: “Njeri shumë zotni, shkencëtar shumë i zoti”.
E duartrokitëm ne dhe vajza e tij, Maria, që ndodhej aty. Për ta ngacmuar e pyeta: “Po vetes a i njeh ndonjë të metë”?
Lasgushi qeshi dhe tha: “Mos kujtoni se jam engjëllush. Jam Lasgush, por dhe djallush”.
Qeshëm të gjithë. Pastaj ra biseda për shkollat dhe shkollimin masiv të popullit.
Ai menjëherë tha: “Sot Shqiperia është mbushur me shkolla, shkollim merret nga të gjithë, ama kulturë, shqiptari nuk ka hiç fare”.
Këtë shprehje kritike ndaj gjendjes së ulët të kulturës sonë ai e përsëriti edhe një herë tjetër disa vjet më vonë, kur i shkova për vizitë bashkë me mjekun dhe shkrimtarin Misto Marko dhe me ish-shokun tim të fakultetit, Kristaq Nanushin.
Ne që u diplomuam prej shkollës socialiste nuk na vjen mirë ta dëgjojmë këtë thënie të Lasgushit, por koha pas ndërrimit të regjimit tregoi dhe po tregon se sa kulturë të dobët kishim dhe kemi, të gjithë ne që nga pushtetarët e deri tek qytetarët me diploma të shkollave të mesme e të larta.
Te Biblioteka Kombëtare
Lasgushi vinte rallë te Biblioteka Kombëtare, te godina e re përballë xhamisë qendrore. Mirëpo ndodhi që një herë, kur isha duke kërkuar të dhëna për një libër te skedari i katit të parë, pashë që po hynte Lasgushi. Iu afrova. U përshëndetëm dhe si e kishte zakon, nuk u zgjat në bisedë, por nisi të më thosh një lajm, që më çuditi:
– Po të më dërgojnë mua në Zvicër për kërkime bibliografike, unë jam në gjendje të gjej në një bibliotekë të atjeshme një libër shqip të botuar para ‘Mesharit të Gjon Buzukut’.
-Po ç’ pret, i thashë, pse nuk vete tek Aleks Buda, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe t’i kërkosh një shërbim.
– Aleksi do dërgojë mikun e tij, Dhimitër Shuteriqin, jo mua. Prej meje do kërkojë vetëm të dhënat dhe aq.
Nuk e zgjati më dhe kaloi më tutje, kurse unë u ktheva te skedari. Të nesërmen i thashë nëndrejtorit të Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, Prof. Koço Bihikut, mirëpo ky e mori si një shaka lasgushiane dhe nuk e ndoqi çështjen.