Albspirit

Media/News/Publishing

Albina Deda Gjoci: Në janar nis koncensioni i laboratorëve 71 milionë euro! Të anullohet!

Image may contain: 1 person, closeup

Albina Deda

 

Pas shumë debatesh dhe protestave të punonjësve të laboratorëve në QSUT dhe spitaleve do të nisë koncensioni i laboratorëve.

Kontrata me partneritetin publik privat ka marrë miratimin e qeverisë klienteliste dhe ai do të shtrihet në 5 spitale publike, përfshirë si fillim spitalet universitare, për të vijuar me spitalet rajonale dhe ato bashkiake.

Koncesionari i shpallur fitues për të ofruar shërbimin e laboratorëve ka një kontratë 10-vjeçare si gjithë PPP e tjera, dhënë klientelistëve të saj nga qeveria Rama.

Sipas kontratës kalimi i laboratorëve te kompania private do të rrisë gamën e analizave që kryhen aktualisht në sistemin publik shëndetësor dhe qeveria shqiptare do t’i paguajë koncesionarit privat 7.1 milionë euro në vit për 10 vitet e ardhshme, ose mbi 71 milionë euro gjithsej.

Projekti koncesionar për 18 laboratorët mjekësorë në vend është bërë fakt i kryer që në vitin 2014 kur ishte Beqja Ministër!

Kjo ngjalli debate që në 2014 nga profesionistët e shëndetësisë dhe nga deputetët e PD të komisionit të shëndetësisë pasi mendohej dhe u argumentua qartë se privati nuk e siguron cilësinë e analizave, siç garantohet në publik.

Nga ana tjetër, në QSUT do të kryhen vetëm analiza të pacientëve të shtruar dhe nuk pranohen analiza të rekomanduara nga qendrat shëndetësore.

Sipas një urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë, analizat në kushte ambulatore do të kryhen në qendra shëndetësore të specializuara.

Behet fjalë për 18 laboratorë në spitalet publike të cilat do të jepen me koncension, duke shkaktuar kosto më të mëdha për pacientin, duke i dhënë më shumë para koncesionarit.

Dhënia me koncesion është një mënyrë për ta centralizuar këtë shërbim, por nga ana tjetër përbën një aks të rrezikshëm me pasoja afatgjata në sistemin laboratorik publik.

Nga ana tjetër, dhënia me koncesion do të ketë impakt negativ në cilësinë, transparencën dhe besueshmërinë e pacientit ndaj shërbimit laboratorik publik.

Aplikimi i një sistemi të tillë do të monopolizojë shërbimin laboratorik mjekësor në vend, i cili do të prodhojë çmime të pakontrolluara dhe të larta.

Koncensionari do të ketë interes të rrisë numrin e analizave me qëllim rritjen e fitimeve që është baza e biznesit të tij.

Për këtë qëllim, ai do të nxisë mjekët klinicistë të kërkojnë sa më shumë analiza tek pacientët.

Kështu do të rriten në mënyrë të konsiderueshme dhe fiktive pagesat që i duhen bërë kompanisë private nga narkoqeveria.

Në situatën e rëndë qe po kalon vendi, qeveria duhet të anulloj këtë koncension sa është në kohë dhe t’u vijë në ndihmë mijëra familjeve të dëmtuara nga kjo tragjedi e rëndë!

Madje duhej të anullonte gjithë PPP abuzive që u ka dhënë klientelistëve të ish-Bllokut komunist!

Please follow and like us: