Mentor Kikia: Këta që u varin salçiçet në qafë të varfërve për të bërë fotografi…
Një diskutim në “Opinion”, ose më saktë mënyra e komunikimit mes drejtuesve të dy fondacioneve bamirëse, ishte gati i pështirë. Asgjë më shumë; ishte një lloj gare për vëmendje dhe protagonizëm: Kush ka bërë më shumë për shqiptarët e varfër?
Me këtë rast, doja të ndalesha në një fenoment që po e degjeneron edhe humanizmin si virtut njerëzor. Së pari: A janë bamirës këto fondacione? Unë them që jo. Sepse drejtuesit e tyre nuk kanë dhuruar asgjë nga vetëja. Këta janë vetëm menaxherë të ndihmave që japin të tjerët.
Fondacione të drejtuara si të ishin kompani private, ato janë shndërruar gati-gati në biznese që “shesin” bamirësinë e të tjerëve. Ato kanë krijuar infrastruktura si të ishin kompani të mëdha tregtare, dhe padyshim që nuk i japin askujt llogari për mënyrën e menaxhimit të këtij humanizmi që u vetëofrohet si mëshirë për mjerimin.
Përtej kësaj, etja për mediatizimin, e ka bërë bamirësinë në Shqipëri të pështirë. Djem e vajza me qese me ushqime në duar vihen në rresht për të hyrë në shtëpinë e njerëzve të mundur nga mjerimi. Foto e filmime pa fund. Qeset me oriz e miell iu plasen në prehër të varfërve, ndërsa salçiçet ua varin në qafë, për tu bërë fotografi. Fëmijë të paushqyer e të zhveshur vihen në rresht për të bërë foto me shpëtimtarin, bamirësin e madh.
I filmojnë mbarë e prapë. Kujdesen të fiksohet çdo rraqe e shtëpisë, çdo këmbë e zbathur, çdo bluzë e shqyer, çdo pjatë dhe tenxhere e palarë dhe e zbrazur… Përse? Cili është qëllimi? Që të tregohet se janë të varfër? Nuk ka nevojë për kaq shumë detaje. Mjerimi të shvesh nga çdo lloj ndjeje njerëzore, të bën të ulësh kokën e të thuash vetëm “faleminderit”. Por jo deri këtu!
Etja për protagonizëm, për heroizëm dhe shenjtëri i bën këta “bamirës” që tu marrin të varfërve çdo lloj dinjiteti. Mendoni pak, pas disa vitesh kur ai fëmijë të rritet e të shkojë në shkollë, në rrjetet sociale do të jenë akoma videot kur atij i dhurohet një copë bukë në dorë dhe kur i duhet të bëjë si i lumtur kur të dalë në fotografi me atë “xhaxhin” që ia dhuroi. Nuk ka nevojë tia varësh trastën e ushqimeve të dhuruara në qafë e tia tregosh gjithë botës. Bamirësia nuk bëhet për famë, por për shpirt.