Konstandinos P. Kavafis: DIONISIANE
Konstandinos P. Kavafis
I shkrehur nga kjo rrokopujë ku bota rrokulliset,
brenda një gote gjej rehat, n’ daç gdhihet apo ngryset,
shpresë edhe jetë e çdo pasion veçse këtu i ndjej,
ma mbush ta kthej.
Këtu larg turbullirave, furtunave, rrëmetit,
si marinari që shpëtoi nga zemërimi i detit,
shkela në tokë, gjeta liman, karar e ngrohtësi,
ma mbush ta pi.
Oh! ëmbëlsia e rakisë qysh m’ i dëbon të tëra
kujtimet e pa këndshme. Mëkatet e pa bëra,
urrejtjen, smirën, djallëzinë e çdo mendim të keq,
ma mbush ta heq.
As të vërtetën lakuriq, nuk e shoh më të gjorën.
Në dynja tjetër kisha qenë, por tash ia mora dorën,
mes ëndrrash të bekuara, në qiellin plot mjegull –
ma mbush me rregull!
Dhe po qëlloi se del farmak, e po më zu belaja
e tek zbulova lumturinë të më pllakosë hataja,
gjithë ky dëfrim e çmenduri prej hundësh do më dalë,
ma mbush, or djalë!
Shqipëroi: Arqile Garo
nga libri “Pelegrin në Ujëvarat e Poezisë Helene”.