Avdulla Kënaçi: VESHLLAPUSHI
Avdulla Kënaçi
Tregim
Zakonisht gjatë muajit gusht komunikimet tona me vendlindjen shurdhohen. Normale, të gjithë shkojnë me pushime, po ashtu bëjmë edhe ne në emigracion. Pikërisht kur pas tri ditësh duhet të niseshim familjarisht për në plazhet e Meksikës, vura re se në celularin tim ishin regjistruar katër thirrje radhazi nga kushëriu im i parë, njeriu më i afërt e më i dashur, Granti.
U lidha me të dhe si kurrë ndonjëherë ai kërkonte me këmbëngulje të ndihmonim mikun e tij, Vlashin, i cili kishte mbërritur para një jave në Toronto dhe kishte mbetur në mes të katër rrugëve. Llogjikisht ishte kohë e kufizuar, megjithatë mora përsipër t’i jepnim një dorë. Shtrydha trurin; vetëm nuk mund t’ia dilja. Iu luta tim biri të bashkohej me mua. Pa mbaruar fjalën, ai u skuq në fytyrë, sytë iu murrëtyen dhe si kurrë më parë, ngriti zërin:
-Sa herë ta kam thënë, baba, këtu nuk ecet me mentalitetin shqiptar. Koha është e vyer, të kufizon dhe nuk të jep mundësi të bësh qoka. Mos bëj premtime në hava. Me çfarë të merremi më parë, me përgatitjet për rrugë, apo me mikun e Granitit?
Realisht im bir kishte të drejtë, por unë kam atë dreq zakoni që nuk u them kurrë jo miqve, sidomos kushëriut, aq më tepër kur është fjala për një hallexhi të dëshpëruar, bashkatdhetar. Një emigrant i ri këtu është një lloj sikur të hedhësh me parashutë nga qielli një njeri të paditur në shkretëtirën e Saharës. Derëziu, me të drejtë, nuk dinte ku të përrplasej, aq më tepër në muajin gusht.
Heshta. U mbylla në dhomën time dhe nisa t’u bëj thirrje bashkatdhetarëve rrotull. Sekretaritë telefonike të tyre, për disa njoftonin se numrat ishin të paarritshëm e disa të tjerë më thoshnin të lija mesazh zanor. Ku dreqin m’u tha ajo gojë dhe premtova? Pas asaj bisede me tim bir isha zemëruar e ftohur, as i flisja e as më fliste. Të nesërmen nuk ia përmenda më debatin e hidhur, por ai, duke lexuar mërzinë në sytë e mi, më pyeti me një ton të butë e ledhatar se ku mund ta gjenim myzeqarin, mikun e Granitit. Kishte një dritare, dy orë kohë.
-Në Kipling, në stacionin e fundit të metrosë, – iu përgjigja unë shpejt e shpejt.
-Jemi 40 minuta larg me makinë prej këtej, telefonoi dhe thuaj të na presë, – më tha.
Fluturova nga gëzimi, të paktën ta takonim e të merrnim vesh se si e kishte hallin. Ndoshta bënim diçka, qoftë edhe me disa këshilla e rekomandime.
Ishte kulmi i vapës. Disa mund të mendojnë se në Kanada nuk ka verë të nxehtë, por nuk është ashtu, e kanë gabim. Ka ditë kur ajri këtu është mbytës, sidomos në gusht. Nuk mbushesh dot me frymë. Liqeni pranë, det thuaj, në vend që të na freskojë, avullon aq shumë sa e ngop ajrin me lagështi dhe e bën frymëmarrjen të vështirë. Ndoshta mund të ishte nga ditët më të këqija të muajit.
Morëm rrugën drejt Kiplingut. Hymë me shpejtësi në autotradë. Fushëpamja ishte e kufizuar dhe pemëve asash rrugës nuk u lëvizte asnjë gjethe kurore. Ngjanin sikur lundronin në valëzime ajri. Kondicioneri nuk e përballonte dot nxehtësinë. Për t’u freskuar, hapëm dritaret anësore të makinës.
Miku i Granitit na priste përballë “Starbucks”. Ishte i veshur me një palë pantallona doku kafe, këpucë me qafa dhe një këmishë fanellate të errët me mëngë të gjata, të pa volitshme për këto ditë të nxehta. I shkurtër, shpatull gjerë, ashtu i palëvizur, dukej si i salduar pas murit të kafenesë. Ishte i parruar dhe me flokë të shpupurisura sikur kishte kaluar nëpër pyll. Veshët ishin karakteristika e tij e veçantë. Në majë ishin të përthyer, të palosur, por ai mund të bënte pak kujdes e t’i mbulonte me flokë, por as këtë nuk e kishte bërë. Kështu në mendjen time unë e pagëzova “Veshllapushi”. Ndjeva se kundërmonte një erë të çuditshme. Bëra pak mbraptazi duke mos i rënë në sy. Nuk e gjeja dot, as erë plehu, as erë dheu. Çfarë të ishte? Kushedi qëkur kishte bërë dush. Qafën nuk e lëvizte dhe gjithnjë koka i anonte nga krahu i majtë. E ftuam të hynte në kafe sepse vapa jashtë nuk durohej. Aty e pyetëm se para sa ditësh kishte mbërritur nga vendlindja.
– Si sot një javë, – tha ai me një zë të mekur – por nuk gjej dot shtëpi me qira. Më ka ardhur shpirti në majë të hundës.
– Ke kërkuar? – nxitova ta pyes unë.
– U kam rënë tërë atyre telefonave, por sa u them se jam emigrant me dokumente të rregullta nga Shqipëria, nuk më pranojnë.
– I ke paratë e qirasë së parë dhe të fundit? – e pyeti im bir.
– Po, – tha ai – por nuk kam paratë e avokatit.
– Ku ke jetuar gjatë kësaj jave? – i thashë unë.
– Tek një bashkëfshatari im, nga Myzeqeja, – u përgjigj ai me gjysmë zëri si miza në qyp. Pastaj nisi të qajë me ngashërime. Lotët i linin brazda zhuli nëpër faqe. Unë mendova se bashkëfshatari i tij i kishte vjedhur paratë apo i kishte kërkuar qira të lartë për ato ditë që kishte qëndruar tek ai, por nuk tha asgjë nga këto.
Skova me ngut tek banaku për të marrë kafe me qumësht për të tre. Veshllapushi, pa i ulur unë takëmet në tavolinë, thuajse ma rrëmbeu nga dora filxhanin e tij me kafe. Pastaj e mbyti në qumësht. As nuk e çau fare kokën se bëri figurë të keqe. E gjerbi me lakmi lëngun që nuk merrej vesh se ishte kafe apo qumësht, pa i ngritur sytë nga tavolina. Nuk tha as faleminderit, por ngashëreu përsëri. Këtë herë gati po qante me zë. Dy-tre kanadezë në tavolinën përbri, u shqetësuan dhe nisën të shohin me urrejtje si drejt meje, ashtu edhe nga im bir. Ndoshta mendonim se po i bënim ndonjë lloj presioni. Ne as e vramë mendjen se çfarë mendonin kanadezët, vazhduam në “misionin” tonë. Im bir ishte i zënë me telefonata të njëpasnjëshme, ndërsa unë i bëja ndonjë pyetje të rrallë Veshllapushit për mënyrën si kishte siguruar vizë-pune. Im bir bëri disa thirrje. Më në fund dikush iu përgjigj matanë receptorit. Ishte një zë gruaje. Pastaj ai e mbylli telefonin dhe e la mbi suprinën e tavolinës
– Vlash, – i tha myzeqarit – je me fat. Është një shtëpi këtu pranë që jepet me qira, por është me ambiente të përbashkëta.
Ai e pushoi të qartët dhe për disa çaste sytë i shndritën.
– Po si e gjete kaq shpejt, ku i more numrat e telefonëve, adresat? – pyeti i habitur, pa ia ndarë sytë.
– Në internet, por duhet të dish t’i kërkosh. Hajde, ngrihuni, duhet të shkojmë, na pret e zonja e shtëpisë, – tha im bir me një lehtësi të jashtëzakonshme. Veshllapushi u hutua aq shumë se si u zgjidh ky problem kaq shpejt sa duke dalë jashtë lokalit, i ra xhamit të derës me kokë. “Do Zoti nga entusiazmi nuk afrohet ta përqafojë tim bir. Me atë erë të qelbur që ka do t’i prishë punë vetes…”, mendova unë.
2.
Shtëpia nuk ishte më larg se gjysëm kilometri. E treta në radhë në “Street Stone” (Rrugën e Gurit), djathtas. Së jashtmi dukej e mbajtur mirë, me hapësira të bollshme, kishte edhe një çift parkimi në kat të parë. Pronarja na priste tek dera e jashtme.
Ishte një grua truphollë, zeshkane, rreth të gjashtëdhjetave. Quhej Ruth. Kishte një vajzë të vetme, të martuar dhe ajo jetonte në katin e tretë të kësaj shtëpie të madhe, ndërsa qiraxhijtë në të dytin.
Na priti buzëgas dhe pyeti me cilin nga ne kishte komunikuar në telefon. Kërkoi dokumentet; kontratën e punës dhe numrin e llogarisë bankare të atij që do të strehonte në shtëpinë e saj. Pyeti se çfarë na lidhte me njeri-tjetrin dhe kush do të ishte garantuesi.
– Së pari të shohim ambientet e shtëpisë, kushtet, pastaj formulojmë kontratën, – i tha im bir.
Fillimisht zonja Ruth na tregoi kuzhinën e cila kishte në faqen lindore të murit tre dollapë radhazi.
– Ky, – tha ajo duke shenjuar njerin prej tyre – do të jetë i juaji, ndërsa frigoriferi ka tre kate, një për secilin qiraxhi.
– A mund t’i hedh çelës dollapit tim? – pyeti Vlashi. Zonja Ruth në fillim pa me habi, pastaj buzëqeshi:
– Deri tani, asnjë nga qiraxhitë e mi nuk është ankuar për vjedhje, megjithatë mund t’i hedhësh çelës, – tha ajo.
Përgjigja e qetësoi Vlashin dhe zonja Ruth tregoi dhomën e fjetjes që binte nga ana e kopshtit, pastaj inspektuam banjën. Edhe ajo, si dhe kuzhina ishte e përbashkët, për tre vetë. Pronarja tha se kushdo që do ta përdorte, duhet ta pastronte përpara se sa të hynte tjetri. Dy qiraxhinjtë e tjerë ishin një iraken dhe një viatnamez.
Veshllapushi shprehu rezerva për vietnamezin, por ne i thamë në gjuhën shqip se nuk ishim në kushte për të diktuar rregulla. Ambientet ishin të pastërta dhe mobiljet deri diku të reja. Duheshin vetëm çarçafë, jorganë dhe jastëkë. Dysheku, krevati, televizori dhe dollapi i rrobave ekzistonin në dhomën e gjumit. Po ndiqja shprehjen e fytyrës së Vlashit. Dukej që ishte i kënaqur. As mund të mendohej se disa çaste më parë, ishte ai që kishte qarë me ngashërime. Edhe qafën e mbante pak më drejt.
Të katërt u ulëm në kuzhinë dhe zonja Ruth plotësoi formularët. I lexoi kushtet një më një, me ngadalë, sikur recitonte. Pastaj Vlashi dhe im bir firmosën.
– Kontrata ka vlerë jo më pak se gjysmë viti dhe pagesa bëhet në këtë datë, për çdo muaj, me para kesh, – tha zonja Ruth fare prerë.
Vlashi kërkoi leje për pak çaste. Të gjithë menduam se do të shkonte në banjë, por kur e pamë që u kthye me dollarë kanadezë në duar, unë e im bir u shikuam në sy dhe të dy buzëqeshëm me nënkuptim. E dinim se ata dollarë ishin fshehur brenda çarapeve, në këpucë. Dhe vërtetë ato qelbeshin erë, megjithse ishin prerje të reja. Zonja Ruth as deshi t’ia dinte për erën e tyre të keqe. I numëroi fije për fije, i mbështolli në një letër të hollë, pastaj shkoi tek çesma për të larë duart. Të gjitha palët ishim të kënaqura.
– Pasnesër mund të hysh në shtëpi, – tha zonja Ruth. Asnjeri nuk foli. U ndamë. Vlashi humbi në drejtim të kundërt nga rruga jonë e kthimit. Prisja që im bir të më thoshte: “E vure re se në çfarë telashe më fute? Mirë që i gjeta shtëpi, por lëshova garanci pa e njohur fare…”. Mirëpo ai nuk tha asgjë nga këto. Pasi ishim larguar ca prej Kiplingut, heshtjen e theva unë i pari:
– Nuk thonë kot bëje të mirën dhe hidhe në det.
– Nuk e kishe gabim, baba, qetësuam shpirtin e një njeriu të dëshpëruar, ndihmuam një bashkatdhetar, i kursyem lotët, por koha. Koha këtu ka shumë vlerë. Nuk premton për të bërë ndere. Ke parë ti këtu të jenë kafenetë plot e përplot gjithë ditën si në Tiranë? Jo.
– Vure veten në vend të tij, kushedi sa kilometra rrugë ka bërë për të kërkuar shtëpi me qira. E kur, tani në cërre të vapes dhe i veshur aq trashë. Mendoj se ato këpucët me qafa i kishte për të fshehur paratë. Tha se gjuante numra telefoni të varura në ballkonët e pallateve. I ishin ngjitur rrobat pas trupit nga të djersiturit, – thashë unë.
– Nuk dinte të përdorte internetin, ka dhjetë vjet që nuk varen më numra telefoni nëpër faqe pallatesh, plus që ai mbante një numër grek celulari me roming. Mos vjen nga Greqia? – më pyeti im bir.
– Sipas Granitit ai ka qenë këtu para shtatë vjetësh. Ka punuar në të njëjtën kompani ndërtimi që i ka lëshuar garancinë. Ka qenë me pashaportë greke, fallco, të blerë. Punoi tre vjet dhe kur afati i asaj pashaporte skadoi, u largua vetë, por mbeti i fiksuar pas Kanadasë. Ka punuar fort, edhe në ditët e pushimit. U bë specialist i mbushjeve të kollonave me beton. Iku këtej me shumë para dhe një makinë të re “Lexus”. Kjo është arësyeja që pronari e deshi përsëri dhe i lëshoi kontratë të re pune, – i tregova unë. Gjithnjë sipas thënieve të Granitit.
– Aha, është nga punët më të paguara ai specialitet, plus që në ndërtim, pronarët kanë leverdi që orët jashtë orarit si dhe të shtunat e të dialat t’i paguajnë kesh, me lekë në dorë. Kështu nuk taksohet as punëdhënësi e as punëmarrësi. Specialiteti i tij është nga punët më me përgjegjësi në ndërtim, një boshllëk, një flluskë ajri brenda betonit i kushton jashtëzakonisht shumë kompanisë, qimet e kokës, sepse puna merret në dorëzim nga të tretët dhe kontrollohet me aparatura speciale. Me sa duket ky ka punuar shumë mirë aty.
– Lere mos e pyet, pagesa e lartë e kësaj pune do ta lerë pa martuar, është dyzetë e shtatë vjeç.
– Vështirë t’i mbushet mendja të martohet në këtë moshë, qenka shumë i dhënë pas lekut.
– Kushedi si i kanë hallet në shtëpinë e tij. Zakonisht fëmijët që rriten me kaçule mbi vesh, u palosen llapat. E kam më lehtë t’i thërres Veshllapush se sa Vlash, – i thashë unë.
3.
Pikërisht kur menduam se shpëtuam nga Veshllapushi, ekzakt kur kishim bërë gati valixhet dhe të nesërmen herët do të niseshim për rrugë, bie telefoni. Dhe ja çfarë kërkoi: “Më duhet të blej jorgan, batanie, çarçafë, por nuk mundem, dyqani është larg dhe nuk më ndihmon asnjeri tjetër”.
– Është e habitshme, – më tha im bir – megjithëse i tregova se nesër jemi për udhë, ai vazhdon të kërkojë ndihmë nga ne. Jepi dorën, të merr krahun, dava shqiptarësh. Sikur tha se ka një bashkëfshatar ku flinte, pse nuk i thotë atij, por na është qepur ne si rrodhe? Ai as pyeti sa benzinë harxhojmë ik e eja, as çfarë punë tonat lëmë pa bërë. Çudi me ne shqiptarët…
– Bëj si të duash, ne e kryem punën më të vështirë dhe obligimin ndaj Granitit, – iu përgjigja unë i mbushur me mllef.
Ama u mata ta qortoj kushëriun dhe kërkova numrin e celularit të tij në rubrikën kontakte, por pastaj, si u mendova ca, u tërhoqa. Nuk bëra keq sepse im bir ishte nisur drejt tij, pa më thënë mua asnjë fjalë, asgjë prej gjëje. Siç më tregoi kur u kthye, Veshllapushi i ishte varur pas derës së makinës duke këmbëngulur të pinin një kafe falënderimi dhe kishte qarë përsëri, por këtë radhë i mallëngjyer që ne i paskishim dalë mik e shkuar mikut. Miq për ditë të vështira. Zonja Ruth gjithashtu i kishte thënë tim biri me të qeshur se miku ynë, Vlashi, dy netë ka fjetur mbi sustë. Nuk priti të futej të nesërmen në shtëpi sipas kontratës, por ishte fanepsur tek porta hyrëse qysh atë natë që lidhëm marrëveshjen.
Të nesërmen, herët në mëngjes, pa nisur zhegu i gushtit, u nisëm familjarisht për në aeroport. Lamtumirë Kanada, shihemi pas dhjetë ditësh. Plazhet e Kankunit edhe pse janë më të mirat në Amerikën e Jugut, përsëri duhet thënë se në drekë, kur zinim radhë para mencës, na mbyste vapa, ama nuk ishte ajo lloj zagushie si në Toronto. Ujët e detit, po të mos e dije se ishte i kripur, mund të kuturisje për ta pirë. Rëra si miell i bardhë ku të zhytej këmba gjer në gju ishte hedhur pa kursim në breg, gjer rrëzë pyllit me pemë të larta tropikale. Karakteristika e Kankunit ështe se toka është gëlqerore dhe jo shumë metra në thellësi gjenden depozita uji të freskëta e të ëmbla me të cilat furnizohen çesmat e resortit dhe mbushen pishinat.
Në një nga ditët, duke pirë kafen e mbasdites, kujtuam Veshllapushin. Çfarë bëhej vallë me të? Ndoshta qafa i ishte shëruar dhe kishte filluar punën.
– As më thua, – më pyeti im bir – pse qante ashtu? Nga dhimbja e qafës? Në fund të fundit kishte mundur të mbërrinte në Kanada dhe duhet të ishte i lumtur. Si e shpjegon ti që je më i madh në moshë e më me përvojë?
– Mendoj se ai nuk e gjeti Kanadanë ashtu siç e kishte lënë para shtatë vjetësh. Duhet të ketë pasur një listë telefonash me të ashtuquajtur miq të njohur herën e shkuar. Dhe ata nuk i janë përgjigjur për një arësye apo tjetrën. Ai i ka konservuar në memorie për shtatë vjet ashtu si i ka njohur, por këtu jeta është dinamike, ndryshon me shpejtësi. Edhe statusi i miqve të tij duhet të ketë ndryshuar. Gushti nuk është muaj i përshtatshëm për të rilidhur kontaktet, edhe kjo ndikon. Pastaj ka kërkuar t’ia dalë me forcat e vetaj. Shtatë ditë duke bredhur më këmbë në rrugicat e Torontos. Të gjithë e refuzonin. Kanadaja po i rrëshqiste nga duart, po i zhdukej para syve të tij. Nuk ka më keq se sa shkërrmoqja e iluzioneve. Ne e kapëm në momentin e shpresave të këputura, të mos them se ishte bërë për t’ia hequr vetes. Duhet të jetë njeri i drejtë, por pa arsim, pa horizont, me anglishte të mangët. Tani i duhet ta nisë çdo gjë nga fillimi. Po do t’ia dalë…
– Ke të drejtë…, – më tha im bir dhe nuk e kujtuam më deri në fund të pushimeve.
4.
U kthyem në Toronto, kontrolluam shtëpinë, kopështin dhe nisëm të vendosim plaçkat nëpër vende, kur ja tek tingëlloi zilja e telefonit. O Zot, ishte Veshllapushi. Si nuk na u nda ky njeri? Ç’dreqin i kishte ndodhur? Nuk pyeti as për mirësjellje se si kishim kaluar me pushime.
– Kam marrë dekoder të kanaleve shqiptarë, – tha – nuk jetoj dot pa lajme. Ka filluar fushata e zgjedhjeve. Nuk di ta lidh televizorin me WI-FI, vini dot të më ndihmoni?
– Sot jo, as nesër, – iu përgjigj im bir me mirësjellje, megjithse unë e dija se ziente përbrenda. Pastaj i shpjegoi hapat që duhet të bënte. Ai nuk kuptonte. Pastaj e porositi të merrte një laps e një letër. Pa e lënë të mbaronte, Veshllapushi i propozoi në mund të vinte pas punës.
– Jo, nuk mund të vij as pas një jve. Bëj kështu si po të them. Në të kundërt shko tek ai zezaku ku bleve dekoderin dhe kërkoi ndihmë, – i tha im bir.
– Bah, nuk e fut unë zezakun në shtëpi, – tha Veshllapushi i zemëruar.
– Epo edhe dhi e zgjebosur edhe bisht përpjetë, – i tha im bir nga që nuk iu durua.
Më pas nuk u bë më i gjallë, as pas një muaji, dy, tre… “E po shyqyr që shpëtuam prej tij”, menduam të gjithë në familje. Jo, nuk qe e thënë. Në muajin e gjashtë, kur do të mbaronte kontrata, telefonon pronarja, zonja Ruth:
– Po më krijon konflikte me qiraxhinjtë. Akuzon vietnamezin se i ka vjedhur 40 dollarë. Unë e kam atë klient prej dy vjetësh dhe askush nuk është ankuar prej tij.
– Po ka ndonjë fakt, ndonjë arësye?
– Jo, vietnamezi betohet e stërbetohet dhe nuk pranon se ka bërë një gjest të tillë.
– Ok, zonja Ruth, lere se do të bisedoj unë me të, – iu përgjigj im bir. I ra disa herë numrit të Veshllapushit, por ai nuk përgjigjej. Të nesërmen mbasdite mori vetë në telefon.
– Po ç’do ajo vroma që shqetëson mikun tim, për çfarë iu ankova unë, ajo po të ankohet ty, bushtra, sikur ti je babai im.
– Ki kujdes Vlash, mbylle këtë mesele. Je i sigurtë që t’i ka marrë vietnamezi? Tani të mbaron kontrata dhe ajo mund të mos të ta përsërisë.
– Për vjedhjen nuk kam ndonjë fakt, por dyshoj.
– Dyshimin nuk ta merr njeri parasysh, jo më pronarja, por as policia. Shih mos i ke futur paratë në ndonjë çarape dhe i ke harruar.
– Të tha gjë zonja Ruth për kontratën?
– Jo, por e solli rrotull, bëj kujdes…
– Mirë, mirë se do ta rregulloj. Mos ma kij merakun.
Gjashtë muaj të tjera ikën me shpejtësi. Kur ra telefoni i zonjës Ruth, u kujtuam se Veshllapushit po i mbaronte kontrata.
– Më vjen keq, – tha zonja Ruth – nuk ia përsëris më kontratën zotit Vlash, më ka krijuar mjaft probleme me klientët. Edhe pse e ngjita në katin ku banoj vetë, më keq shkuan punët. Hiqej si bos, si pronar i shtëpisë dhe u jepte urdhëra qiraxhinjve të tjerë. Njerin e goditi me shpullë, por mezi ia mbushëm mendjen të mos e denonconte në polici. Duhet të gjejë banesë tjetër, – u ankua ajo.
Dreq, dhe unë që mendoja se myzeqarët janë të urtë e të sjellshëm. Paska edhe të tillë.
– Po në marrëdhënie me ty zonja Ruth, si ka qenë? – e pyeti im bir.
– I shkëlqyer, kujdesej për gjithë shtëpinë, kujdesej për barin, për kopështin, bënte lloj-lloj rregullimesh dhe nuk kërkonte asnjë pagesë, por ç’e do, nuk honeps dot të tjerët. Ju lutem, jam e detyruar. Më mirëkuptoni. Duhet të shlyej morgixhin (kredinë) dhe gjithë shpresat i kam tek pagesat e qiraxhinjve. Kjo është e rëndësishme për mua. Zoti Vlash refuzon e më përgjigjet se as me polici nuk më nxjerr dot prej këndej.
– Tani merru ti me të, me Veshllapushin tënd. Po lajmëroi pronarja policinë, sikur edhe brenda kontratës të jetë, e nxjerr fishek nga banesa, forcërisht sepse ai nuk di të bashkëjetojë në komunitet dhe hap kudo probleme. Nuk është vetëm. Ambientet ndahen me dy qiraxhinj të tjerë, – më tha im bir, jo pa njëfarë mllefi dhe ironie.
Si të veproja? T’i telefonoja Granitit e t’ia tregoja të gjitha? Nuk m’u duk burrërore? Më mirë po shkoj ta takoj vetë Veshllapushin nga fundi i javës, të marr vesh si është kjo mesele, mendova. Dhe ashtu bëra. U nisa i vetëm për në Kipling. Ishte mbasdite vjeshte, nga ato ditë kur ajri është i pastër qelibar dhe gjethet e pemëve ende nuk e kanë provuar të ftohtit e natës. Atë të ftohtin që u ndërron ngjyrat e gjetheve. Dhe pylli i Kanadasë ngjan si në ditë festivali. Sa për zogjtë shtegtarë, ka akoma kohë. Ata ikin prej këndej kur nis lloha dhe bora e parë.
Zonjën Ruth e gejta në oborr duke ujitur lulet. Sa më pa, pa e pyetur, më tregoi se Vlashi kishte mbledhur plaçkat e tij dhe ishte larguar në mëngjes herët. Kishte gjetur një shtëpi me qira shumë larg prej këtej, në Okvill. “Nuk ishte njeri i keq, por ai nuk dinte të sillej. I ndante njerëzit si me thikë: në të mirë e në të këqinj. Ishte i drejtë, por tepër strikt. Nuk e njihte tolerancën. Kam pasur shumë të mira dhe ndere prej tij, më dënon Zoti, nuk mund të ankohem, ja, edhe këto lulet i ka mbjellë ai, por më ka terrorizuar klientët e tjerë. Dhe unë bëra llogaritë e mia; prej tij kisha më shumë humbje se sa fitimj. Më kujtohet dita e parë kur erdhi me ju. M’u duk si budalla, por nuk ishte ashtu. E futa në shtëpi një natë para kohe. Qava kur më tregoi se kishte fjetur një javë rresht nën këmbët e urës për të kursyer paratë e dy muajve qira”.
Wau, çfarë po dëgjoja kështu? U pendova që e kisha paragjykuar për atë erën e qelbur të ditës së parë. Edhe qafa që e mbante ashtu shtrembër duhet t’i kishte ngrirë nga të ftohtit e natës. Shtatë net rresht nën urë.
Toronto, 15 dhjetor 2019.