Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Çumani: MASAKËR DHE GRABITJE QË NUK NDALET AS TEK JETIMËT

Masakër në ish – Kampin e Pushimit të Shtëpisë së Fëmijëve në Borsh. Çumani: Në Ku’rhan dhe Bibël predikohet se vënia dorë mbi gjënë e jetimit ndëshkohet nga Zoti duke marrë ndëshkimin më shembullor.

– Intervistë e z. Ilir Çumani, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, 
dhënë gazetares së gazetës “Panorama”, Shpresa Dine – 

SARANDE: Në Shkallë të Borshit, shumë afër detit, mes gjelbërimit të pafund, për dekada me rradhë lartohej një kompleks godinash shumë të bukura, të rrethuara nga ullinj e portokaj dhe që kapte një sipërfaqe rreth 4 mijë m2, që ka pasur vetëm një funksion: Shtëpi Pushimi për Fëmijët e Shtëpisë së Fëmijëve në Sarandë. Në çdo sezon veror, fëmijët jetimë të Shtëpisë së Fëmijëve në Sarandës, të shoqëruar edhe nga edukatoret dhe kujdestarët e tyre, për rreth dy – tre muaj vinin këtu, pranë detit, për pushime. Dje një vend pushimi dhe edukimi për këtë kategori fëmijësh, ndërsa sot, fakeqësisht në një gjendje mjerane e në degradim të plotë. Gëzimit të atyre fëmijëve të pafajshëm e pa familje, por që bashkëjetuan në atë kohë paqësisht me njëri – tjetrin në këtë vend të mrekullueshëm pranë detit Jon, tashmë i ka mbetur thjesht dhe vetëm një kujtim i bukur. Çdo gjë shfaqet si një mirazh, por që sot është venitur përballë një të shkuare jo shumë të largët, sepse gjithçka ka mbetur vetëm në memorien e një pjese të historisë së vendit tonë, e fiksuar edhe në celuloidin e këtyre imazheve. Në Borsh, pikërisht në vendin ku ka qenë ngritur edhe ish kampi i fëmijëve Jetimë, rastësisht apo domodoshmërisht, u takuam edhe me z. Ilir Çumani, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, i cili, në heshtje dhe i menduar, i ra kryq e tërthor të gjithë hapësirës ku dikur ngrihej ish – kampi i fëmijëve jetimë, e sot është kthyer në një gjendje mjerane, në një karakatinë…

 

I emocionuar nga kujtimet, por edhe i revoltuar nga realiteti përballë gjendjes së kompleksit, z. Çumani nisi të tregojë:

 
SHPRESA DINE

– Gazetare/ “Panorama” –

– Ç’farë sjell në kujtimet tuaja ky vend këtu që jeni duke e ndjekur me këmbë dhe vështrim i menduar?

– Këtu, në këtë vend që jemi tani, ka qenë ish – kampi i pushimit të Shtëpisë së Fëmijëve Jetimë të Sarandës. Kjo tokë, ku në vitet  ‘60 – të është ndërtuar ky objekt i rëndësishëm social, ka qenë pronë shtetërore, sepse në Shkallë të Borshit, me aq sa unë mbaj mend, nuk ka patur shtëpi banimi buzë detit, madje kanë qenë të pakta ato shtëpi banimi ku tek – tuk jetonin disa familje.

Dikush mund të mendojë se në këtë vend si në gjithë Shqipërinë ka dalë një apo disa pronarë, që për mua, nëse janë ata që e posedojnë dhe e shfrytëzojnë aktualisht këtë pasuri, s’janë gjë tjetër veçse pseudopronarë, sepse ky vend po të kishte pronar, asesi nuk do të mbetej prej 25 – vjetësh si mall pa zot.

Por tash, siç po vihet re, këtë objekt e ka vënë në dorë një sipërmarrës dhe sipas informacionit paraprak që kam, ai ka paguar një vlerë qesharake prej 6.7 milionë lekë të reja për ta privatizuar gjithë këtë pasuri të madhe.

Çuditërisht tani për tani nuk është bërë asnjë investim, veçse është hapur një lokal fare modest mbi rrënojat e një shkatërimi barbar, Bar – Restorant me emrin “Fiesta”.

Me sa duket, janë duke e vëzhguar mirë situatën nëse do të ketë diku një reagim për këtë zhvatje që është bërë. Më besoni, në këto çaste ndjej një zhgënjim dhe dhimbje të madhe njëkohësisht, si në planin personal, ashtu edhe në planin institucional për shkak të pozicionin që kam.

Dikur edhe unë kam qenë një ish fëmijë jetimë dhe si çdo bashkëmoshatar i brezit tim më lidhin shumë kujtime me këtë vend ku ndodhet ky objekt e veçantë.

Është e paimagjinueshme kjo maskaradë dhe kjo barbari e pandalshme që e ka emrin babëzi, ku ndividë sipërmarrës nga bota e biznesit, me “bekimin” e shtetatrëve guxojnë dhe arrijnë të zaptojnë e të blejnë me anë të korrupsion për “1 copë bukë”, një kompleks gjigand prej 4.000 M2, që është i vetmi kompleks kombëtar i kreativitetit, argëtimit dhe e shlodhjes, i dedikuar vetëm për fëmijët jetimë në Shqipëri.

– Ç’farë mendoni të bëni. Besoni se do të ketë zgjidhje në favor të fëmijëve jetimë?

– Këtu do të nis e gjithë beteja jonë ligjore dhe institucionale për të vënë çdo gjë në vendin e vetë. Ky objekt ka qenë dhe do të jetë e fëmijëve jetimë, duan apo nuk duan këta qafirë të pa fe që s’ngopen së pasuruari duke vënë dorë edhe mbi jetimët.

Është një kambanë alarmi për të gjitha institucionet përgjegjëse ligjitzbatuese, të cilat me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kanë krijuar terrenin e përshtatshëm duke e abandonuar dhe e degraduar në rrënoja me qëllim të caktuar këtë qendër pushimi të fëmijëve jetimë, objekt i cili shtrihet buzë detit në Shkallë të fshatit Borsh, me një sipërfaqe hapësire plotë 4 mijë m2.

Qëllimi i këtij veprimi të paskrupull e këtyre parallinjve sipërrmarrës nga bota e biznesit, të cilët janë të lidhur edhe me individë  të veshur me pushtet, është për ta gllabëruar tërësisht dhe përfundimisht këtë pasuri përmes privatizimeve me vlera qesharake.

Ajo që e bën edhe më ironike deri në cinizëm drithërues këtë histori, është fakti se në kohën e socializmit, sistemi i kaluar mendonte seriozisht edhe për fëmijët jetimë, duke u ngritur kështu qendra multifunksionale për edukim, argëtim dhe shlodhje.

Ndërsa në periudhën e demokracisë, këtyre fëmijëve dhe të rinjve jetimë, jo vetëm që u janë mohuar shumë nga atribute elementare për të bërë një jetë krejt normale e me dinjitet në vendin e tyre me të gjitha të drejtat e plota dhe të barabarta me pjesën tjetër të shëndoshë të shoqërisë, por me paturpësinë më të madhe ju grabiten në forma të shëmtuara korruptive e mafioze edhe ato pak pasuri të ligjshme, të trashëguara brez pas brezi.

Në këto momente, pyetja që më vjen në mend është: si mundet në një vend demokratik ku ekzistojnë mundësira të mëdha për zhvillimin dhe fuqizimin e programeve sociale në favor të shtresave të margjinalizuara e në nevojë, shteti të hesht dhe të bëj të paditurin përballë këtij krimi të shëmtuar social…!?

Ka një përvojë dhe praktikë botërore në çdo vend demokratik e të civilizuar që, institucione dhe objekte të tilla kaq specifike janë të pa cënueshme, të pa prekshme edhe në ato raste nëse toka ku shtrihet i gjithë ky kompleks social do të kishte pronar.

Nëse do të ishte vërtetë kështu, atëherë gjithmonë dhe në çdo moment shteti merr përspër të bëhet avokat fanatik i interesit publik në mbrojtje të më të dobtëve, qoftë edhe duke marrë përsipër koston e dëmshpërblimit apo të kompensimit sipas ligjeve në fuqi.

Këtu qëndron dhe duket haptazi ose jo imazhi, autoriteti dhe serioziteti i një shteti të vërtetë ligjor, solid dhe demokratik, atëherë kur ai tregon në këto raste fuqinë dhe potencialin moral dhe human të shoqërisë, pikërisht përmes përgjegjësisë maksimale në mbrojtje të shtresave në nevojë.

Në çdo vend të botës demokratike, përballë interesit privat, gjithmonë ka përparësi dhe duhet të ketë përparësi interesi publik. Këto janë rregullat që mbajnë të forta dhe në harmoni të plotë themelet e ekuilibrave social të bashkëjetesës komunitare të një shoqërie të shëndoshë, moderne dhe funksionale. Me një fjalë, këto objekte specifike janë dhe duhet të konsiderohen të shejnta, ato janë të patjetërsueshme nga destinacioni që ato kanë.

Personalisht, angazhohem në emër të gjithë atyre fëmijëve të pambrojtur dhe pa përkrahje, në emër të shumë padrejtësive që kanë ndodhur dhe po ndodhin në kurrizin e tyre, të kujtimeve dhe gjërave që na lidhin në të shkuarën me këtë qendër se, shumë shpejt do të nisim një betejë ligjore e mediatike, që ka të bëjë edhe me dinjitetin e shtresës më të prekur dhe më të ekspozuar të shoqërisë, që kjo qendër t’u rikthehet e plotë dhe siç ka qenë fëmijëve jetimë.

Ftoj Presidentin e Republikës, Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin e Shqipërisë, Prokurorinë e Përgjithshme, Kontrollin e Lartë të Shtetit, Komisionin Parlamentar për krimin dhe Antikorrupsionin, Avokatin e Popullit,Trupin Diplomatik të akredituar në vendin tonë, të gjithë median edhe Shoqërinë Civile, që, së bashku me Institutin Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë të nisim një investigim mbi këtë skandal të pastër korruptiv që është një krim i shëmtuar social në kurriz të fëmijëve jetimë.

E përsërisë: Kjo pronë është e fëmijëve jetimë dhe me çdo kusht duhet t’ju kthehet atyre, mbase edhe më e bukur se çka qenë.

Projekti i qeverisë shqiptare dhe veçanërisht i Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, duhet të synojë që ti rikthehet me të gjitha mundësitë që ka traditës shumë të bukur që kemi patur nga e kaluara.

Është detyrë dhe sfidë morale e një shteti ligjor dhe me profil human, për të jetësuar në këtë vend një qendër kombëtare sociale multifunksionale të kreativitetit bashkëkohor për edukimin, argëtimin dhe shlodhjen për të gjithë fëmijët jetimë nga e gjithë Shqipëria, me qëllim që edhe ata, si të gjithë bashkëmoshatarët e tyre të mund të pushojnë dhe të argëtohen në muajt e verës.

Apeli im është për të gjithë ata që kanë projektuar dhe iniciuar grabitjen e këtij aseti të çmuar të fëmijëve jetimë që ta ndalin këtu hapin, të mos vazhdojnë më tutje, pasi do të përballen me të gjitha pasojat ligjore që do të rrjedhin nga ky veprim i pa ligjshëm dhe kriminal, përmes një reagimi të pashembullt institucional, publik dhe qytetar.

Gjithashtu, i kujtoj atyre që kanë guxuar dhe do të vazhdojnë ende të guxojnë në përpjekjen e paskrupullt për të grabitur këtë objekt të specifik se, edhe në Bibël, edhe në Kur’An, predikohet fakti se vënia dorë mbi gjënë e jetimit konsiderohet nga Zoti një mëkat dhe një krim i rëndë që ndëshkohet në mënyrën më të ashpër dhe më shembullore për cilindo që e kryen këtë vepër të shëmtuar në dëm të tyre.

Kush ka sy e vesh, të shikojë dhe të dëgjojë. Në të kundërt, të gjithë jemi fajtorë përballë këtij akti të turpshëm dhe kriminal që po kryhet në sy të të gjithëve ditën me diell.

Please follow and like us: