Albspirit

Media/News/Publishing

Donik Sallova: Presidenti që i duhet Kosovës!

Image may contain: 1 person, eyeglasses and beard

Atifete Jahjaga dhe Hashim Thaçi janë dy prototipe presidentësh që nuk duhet t’i kemi në të ardhmen. Jahjaga doli nga zarfi ambasadorial, e ardhur nga strukturat e policisë, apartiake, por që nuk kishte asnjë lidhje me politikë. Si presidente nuk la asnjë gjurmë vizioni a koncepti politik a kombëtar, pos që ushtroi kompetencat procedurale të përcaktuara nga kushtetuta. Ndërsa, Hashim Thaçi, thellësisht partiak dhe protagonist i ndarjeve të thella shoqërore e politike që nga paslufta, u bë president për t’i mbrojtur dhe çuar më tutje interesat personale e partiake. Si president do të kujtohet që ushtroi protagonizëm politik të brendshëm e të jashtëm përtej kompetencave që ia jepte kushtetuta, duke u përzier në politika qeveritare dhe duke marrë rol që nuk i takonte në negociata me Serbinë, gjë që prodhoi idenë e ndarjes së Kosovës.
Kosovës i duhet një president që edhe mund të propozohet nga partia e caktuar politike, por figura dhe posti i presidentit nuk duhet të jetë përmbushje e një llogarie politike e dalë nga një marrëveshje për ndërtimin e qeverisë. Partia që do ta propozojë presidentin nuk duhet ta konsiderojë këtë gjë si shansë për ta promovuar apo shpërblyer një funksionar të lartë partiak, por duhet parë si mundësi që t’i propozojë Kuvendit një figurë të nderuar politike e cila nuk ka qenë në ballë të betejave partizane të luftës për pushtet. Presidenti përfaqëson unitetin e popullit jo veç se këtë gjë ia përcakton kushtetuta, por edhe sepse zgjedhja e tij nuk është sikur emërimi i një ministri. Pra, edhe për nga mënyra e zgjedhjes edhe për nga natyra e postit, presidenca shkon përtej synimit partiak të nxanjes së një posti. Prandaj, kur t’i vijë koha, VV dhe LDK duhet të pajtohen, që së bashku, apo qoftë edhe me të drejtën e dhënë LDK-së, të propozohet për president një figurë politike sa më konsensuale, jo vetëm për VV-në e LDK-në, por edhe për opozitën, dhe jo duke u mbështetur në atribute partiako-militanteske, por mbi vlera politike e kombëtare që ky personalitet ka përfaqësuar qoftë edhe në veprimtarinë politike si anëtar i LDK-së. Përndryshe, çkapja e shtetit do vihej në dyshim nëse Presidencën do vijojmë ta mbajmë si siguresë për mbrojtjen e interesave partiake!

Please follow and like us: