Albspirit

Media/News/Publishing

Lufta ndaj “sorosoidëve” në Europën Lindore

Ivaylo Ditchev/Deutche Welle

 

“Norvegjezë, ikni! Fëmijët tanë nuk shiten!” Në Sofje në muajt e kaluar shihje njerëz të zemëruar me pllakate ku shkruheshin fjali të tilla, një përzierje e nacionalistëve, fanatikëve fetarë dhe kundërshtarëve të ashpër të një ligji të ri për ndihmën sociale në Bullgari. Një zemërim të tillë ndezi edhe projekti i propozuar “Strategjia për fëmijën”, (një paketë masash për mbrojtjen më të mirë të fëmijëve), por ashtu para kësaj edhe Konventa e Stambollit për luftimin e dhunës kundër gruas. Këtë të fundit bullgarët e shohin si përudhje të legalizimit të martesave brenda së njëjtës gjini dhe “gjinisë së tretë”. Edhe këtë herë ekziston dyshimi, se shteti planifikon të shkatërrojë “familjen tradicionale bullgare”. Por çfarë kanë të bëjnë norvegjezët me këtë? Disa organizata joqeveritare bullgare, që kishin bashkëpunuar për përpilimin e këtyre tre projekteve, kishin marrë mbështetje financiare nga EWR (Hapësira Ekonomike Europiane) dhe fondet norvegjeze (EEA and Norway grants). Në këtë kontekst shtypi bulevardesk bullgar shokoi bullgarët me histori të tmerrshme, se si Shërbimi Norvegjez për Fëmijët, mjaft i njohur në Norvegji me emrin, “Barnevernet” ua merr fëmijët familjeve.

Bullgari: Mobilizim për “sovranitet kombëtar”

Modele të tilla po përsëriten gjithnjë e më shpesh. Populizmi ka nevojë për armiq dhe fajëson organizatat joqeveritare, se po minojnë unitetin kombëtar, ndjekin interesa egoiste dhe privatizojnë programet publike. Këtu nuk përfshihen të gjitha organizatat joqeveritare, sepse edhe prindërit, patriottët, evangjelikalët dhe tradicionalistët bashkohen në organizata të tilla. Qëndrimi armiqësor u rezervohet sidomos atyre organizatave që sponsorizohen nga jashtë. Për këta “tradhtarë”, ka në Bullgari madje epitete të reja fyese, “Sorosoid” (për dikë që merr para nga fondacioni i miliarderit amerikan, George Soros dhe kthehet në shërbëtor të tij) apo “grantadija”, artist grantesh, (për dikë që lyp bursa, fonde apo grante të tjera.)

Në Bullgari partitë nacionaliste luftojnë nga viti 2017 për një ligj, që do t’ua ndalonte shoqatave të gjykatësve të merrnin fonde nga jashtë. Versioni i vitit 2019 parashikon, që financimi jashtë BE të konsiderohet ilegal (psh. sponsorë amerikanë). Partia esktremiste e djathtë dhe pro-ruse, “Ataka”, do donte madje të ndalonte krijimin e shoqatave profesionale në sektorin juridik. Nuk është e vështirë në këtë atmosferë të re mobilizimi në mbrojtje të sovranitetit kombëtar të dallosh jehonën e luftës kundër “manovrave devijuese imperialiste” nga koha e diktaturës komuniste. Në vitin 2012  Putin nënshkroi një ligj, që detyron organizatat e financuara nga perëndimi të deklarohen si “agjentë të huaj”. Ai nuk kishte në shënjestër vetëm organizatat me aktivitet politik, por edhe ato joqeveritare me aktivitet humanitar dhe civil. Tani jo vetëm organizata joqeveritare e Aleksej Navalnyt konsoderohet si “agjente e huaj”, por edhe organizata e të drejtave të njeriut, “Memorial”, që lufton për kujtesën e viktimave të komunizmit.

Hungaria: Demonizimi i Sorosit, presion ndaj OJQ-ve

Në Hungari, kryeministri Viktor Orban ia doli jo vetëm ta përdorë për vete demonizimin e George Sorosit në Europën Lindore. Me ligjin për transparencën e organizatave të financuara nga jashtë (2017) dhe tatimit të veçanttë 25% të OJQ-ve që punojnë me migracionin, ai i dha një shembull Turqisë së drejtuar në mënyrë autoritare dhe qeverisë populiste në Itali. Reagimet kritike nga BE mbetën pa pasoja. Sigurisht që është problematike, nëse OJQ-të krijojnë struktura paralele me institucionet publike dhe privatizojnë institucionet sociale, kur njerëzit që nuk janë zgjedhur me votë për një post, përgatisin projekte për ligje të reja, organizojnë protesta dhe kujdesen për edukimin e grupeve të cënuara shoqërore.

Analiza / Çfarë i ndan George Soros dhe Viktor Orbán. Lufta mes dy këndvështrimeve mbi BE, Hungarinë, nacionalizmin dhe sovranitetin

Afishe e propagandes se qeverise hungareze ku thuhet se plani i Soros eshte ta mbushe vendin me miliona emigrante nga Afrika

Por ngritja e organizatave joqeveritare në Europën Lindore pas rënies së sistemit komunist, në vitet e vështira të 90-s ishte që atëherë një shkundje e fortë, pasi institucionet shtetërore gati kapitulluan dhe OJQ-të morën përsipër një sërë aktivitetesh publike. Për disa intelektualë organizata të tilla ishin madje edhe një mënyrë për të fituar jetesën. Teorikisht kjo vlen edhe sot, por ndërkohë rrogat në sektorin privat dhe shtetëror tejkalojnë shumën që mund të fitosh në “sektorin e tretë”. Megjithatë tema “para” ka lënë një lloj traume, sepse tek qytetari mesatar ka një lloj zilie kundrejt njerëzve anglishtfolës të OJQ-ve, të cilët e kanë shumë më pak të vështirë jetën në vend.

Marrëveshje për vlerat e përbashkëta – burimet e parave bëhen pastaj të parëndësishme

Duhet të ekzistojë një konsesus për atë, se çfarë aktivitetesh mbështesin sponsorët globalë. Tek kjo duhet të futet për shembull shteti ligjor. Nëse biem dakord për vlera të përbashkëta, nuk do të kishte aq shumë rëndësi, nga vijnë paratë, pikërisht kur bëjmë fjalë për BE apo hapësirën euro-atlantike. Por ekstremistët e djathtë sulmojnë pikërisht këto vlera të demokracive liberale. Kur qytetarët organizohen në OJQ, ata kthehen në pengesë për politikanët autoritarë: jo për shkak të asaj që bëjnë konkretisht, por edhe sepse ata mobilizojnë opinionin publik jashtë kundër autokratëve lokalë. Qëllimi i OJQ-ve është mbajtja e të pushtetshmëve nën kontroll. Madje për këtë arsye u “importua”modeli i organizatave joqeveritare ndërkombëtare pas rënies së Perdes së Hekurt. Në vitet 90-të mendohej, se mbështetja e huaj do të kombinohej me atë kombëtare, dhe me kohë do të zëvendësohej tërësisht nga mbështetja brenda vendit. Por për fat të keq as sot nuk ka njerëz të njohur të biznesit në nivel lokal, as në Bullgari e as në Rumani që mbështesin OJQ për pakicat, në vend të kësaj ata preferojnë klubet e futbollit dhe festivalet folklorike.

Po pse zemërohen kaq shumë populistët për këto ndihma financiare nga jashtë për OJQ-të, kur përmes tyre kompensohet mungesa e fondeve brenda vendit? Ata nuk duan që qytetarët të organizohen. Kujtojmë një shënim të filozofes, Hannah Arendt: Sundimi totalitar është i mundur atëherë, kur një komb përbëhet nga individë të veçuar, të dekurajuar dhe dyshues. Kjo vlen edhe për sundimin populist.

Ivaylo Ditchev është profesor për antropologjinë kulturore në Universitetin e Sofjes. Ai ka dhënë leksione ndër të tjera edhe në Gjermani, Francë, SHBA.

 

Please follow and like us: