Albspirit

Media/News/Publishing

Rrëfim ndryshe i shkrimtarit Bardhyl Berberi për gazetarin suedez, Johan Annlende

Image result for bardhyl berberi"

Bardhyl Berberi

 

Bardhyl Berberi në një rrëfim intim në mediat suedeze, për letërsinë, politikën dhe jetën njerëzore

 

 

Tashmë ju jeni i njohur tek ne në Suedi me botimin e dy romaneve tuaja të suksesshme “Dashuri e mallkuar” dhe “Mëkati i gjeneralit në Prishtinë”, ndërsa është në shtyp romani “Dashnorja e ministrit”; deshëm të bëjmë një intervistë ndryshe me ju, pasi krijimet tuaja janë analizuar gjerësisht në mediat suedeze. Çdo të thotë të jesh shkrimtar?

Bardhyl Berberi: Të jesh shkrimtar do të thotë të kesh detyra shtëpie çdo natë… Duhet të futesh në studio në orët e mbrëmjes dhe të hedhësh atë sharmin, apo pikanten e ditës që sapo mbyllet.

 

Cila është lumturia për një shkrimtar të spikatur si ju, Bardhyl?

Bardhyl Berberi: Sfidat e jetës. Njeriu nuk mund të jetë gjithmonë i lumtur, lumturia i vjen dhe i ikën njeriut sikur e ka marrë me qera… Më tepër desha të them çaste të lumtura mund të kesh…

 

Personat që admironi më shumë?

Bardhyl Berberi: Familjen, dy vajzat e mia, tashmë të martuara dhe me fëmijë… Dhe padyshim nipi im, Blandi që është si qershia mbi tortë.

 

Tipari që nuk të pëlqen te vetja?

Bardhyl Berberi: Që nuk pranoj kollaj dobësi. Mundohem t’iu bëj mirë të gjithëve dhe ka raste që nuk ia arrij… Kam një tipar që në fëmijëri që nuk njoh humbjen.

Image result for bardhyl berberi, dashuri e mallkuar"

Po te të tjerët?

Bardhyl Berberi: Një takëm njerëzish qaramanë, këta njerëz që thonë që kjo nuk bëhet. Nuk më pëlqejnë mosmirënjohësit dhe kam neveri për ata që shtiren.

 

A ka gjëra tek të cilat e tepron?

Bardhyl Berberi: Të shkruarit, unë humb shumë orë para kompjuterit.

 

Je penduar për ndonjë gjë?

Bardhyl Berberi: Tani pendesë të madhe jo sepse jeta ka kapriçot e saj, ajo i ngjan një lumi që rrjedh pa pushim dhe rrjedha nuk i dihet se si të merr dhe ku të çon, por disa zgjedhje mund t’i kisha bërë më mirë,  për disa njerëz të afërm që kanë qenë mosmirënjohës  për ato që kam bërë për ata.  Nganjëherë më duket vetja si “Xha Gorioi”.

 

Dashuria më e madhe e jetës tuaj?

Bardhyl Berberi: Padyshim, Blandi, kur ai vjen nga Tirana në Pogradec për pushime lumturohemi të gjithë.

 

Cila është gjëndja juaj shpirtërore momentale?

Bardhyl Berberi: Qartësia.

 

Çfarë do ndryshoje te vetja?

 

Bardhyl Berberi: Të lëvizja, të ecja më shumë e të hiqja kilet e tepërta.

 

Arritja më e madhe?

Bardhyl Berberi: Nuk e di, çdo arritje, në krijimtari sapo mbaroj një roman i futem punës për një tjetër; kam fituar çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, jam botuar në disa gjuhë të huaja … e çfarë mund t’iu them tjetër.

 

Gjëja më e shtrenjtë?

Bardhyl Berberi: Vetja, familja, dy vajzat, mbesa dhe padyshim nipi im, Blandi, i cili qëndron më majë të piramidës.

 

Mjerimi më i madh te një person?

Bardhyl Berberi: Kur fillon e luan rolin e të tjerëve. Roli që mund të luajmë më mirë është ai i vetes. Kur mendon që për të qënë i suksesshëm duhet të kopjojmë dikë.

 

Cilësia juaj më e veçantë?

Bardhyl Berberi: Mirësia, nuk dua t’i bëj keq askujt …

 

Po te një burrë?

Bardhyl Berberi: Vendimmarrja.

 

Po te një grua?

Bardhyl Berberi: Të jetë e sinqertë dhe familjare.

 

Cili është shkrimtari i preferuar?

Bardhyl Berberi: Stefan Cvajg, Viktor Hygo, Balzaku dhe padyshim Kadareja që ka qënë një shkollë për ne që kur ishim në bangat e shkollës, na rriti e na formoi letërsia e Kadaresë …

 

Cilët janë heronjë tuaj në jetën e vërtetë?

Bardhyl Berberi: Janë ata që i gëzohen gjërave të vogla dhe dijnë të shijojnë jetën më gjërat e vogla. Nuk është as lufta dhe as beteja, por aftësia për të lexuar gjërat e vogla dhe t’i gëzohesh.

 

Cilin profesion dëshiron të kesh?

Bardhyl Berberi: Shkrimtar dhe gazetar, kam gati 40 vjet që shkruaj romane, drama, komedi … analiza dhe reportazhe në shtypin e pëditshëm.

 

Qytetet e preferuar?

Bardhyl Berberi: Parisi, Barcelona, Venecia, Kopenhagen, Çikago që i kam vizituar dhe jam gati të shkoj me kënaqësi përsëri.

 

Të pëlqejnë udhëtimet?

Bardhyl Berberi: Gjëja më e mirë që mund të bëjë njeriu aq më tepër një shkrimtar. Sa më shumë të dalësh, sa më shumë të shohësh, sa më shumë të vështrosh, aq më mirë të bën. Më pëlqen të shkoj përsëri tek Luvri në Paris, në koncertin e Vjenës, në stadiumin e Barcelonës të ndjek skuadrën time të zemrës Barcelonën, pasi futbolli është një nga pasionet e fëmijërisë.

Image may contain: 1 person

Cila është motoja juaj?

Bardhyl Berberi: Çdo ditë është një ditë tjetër. Duhet vazhduar. Nëser është një ditë e re, pra një mundësi e re.

 

Ç’është dashuria për ju?

Bardhyl Berberi: Është një monument ndjenjash që mbrohet nga zemra e atij që të do dhe e do.

 

Çfarë keni duke shkruar kohët e fundit?

Bardhyl Berberi: Sapo kam përfunduar një roman dhe e kam dorëzuar për shtyp.

 

Cili është titulli dhe diçka rreth përmbajtjes?

Bardhyl Berberi: Romani titullohet “Dashnorja e ministrit”. Unë kam priviligjin që duke qenë gazetar prej shumë dekadash ta kem “thesin” me plot subjekte dhe histori. Edhe fabula e këtij romani është marrë nga ky realitet. Ka në qendër një minister, i cili ka shkuar me dashnoren e tij në një pikë turistike në Maqedoni. Në kthim ai bën një aksident dhe përfundon në spitalin e Ohrit së bashku me dashnoren, shefen e tij në dikaster. Pothuajse i gjithë romani prej 250 faqesh zhvillohet në spitalin Ortopedik të Ohrit. Aty vijnë të gjithë batakçinjtë, oligarkët që iu ka bërë ndere dhe afera ministri. Në atë spital ortopodik ku ngjiten kockat e thyera të ministrit iu bëhet radigrafia shpirtërore ministrit dhe këtyre batakçinjëve që vijnë aty tërë servilizëm me zarfe me mijra euro. Dhe kur partia e këtij ministri humbet zgjedhjet dhe ai nuk vendoset as në listën e deputetëve ai braktiset nga të gjithë, por nga tërë ai karvan servilësh që e kanë shfrytëzuar deri tek dashnorja e tij që ikën në Amerikë.

Kur del nga spitali Ohrit ai shkon drejt Tiranës me një taksi të vjetër nga Ohri. Askush nuk i përgjigjet në telefon… Jam munduar që ta trajtoj ngjarjen gjakftohtë me përshkallëzime, madje me situatë shumë dramatike në familjen e ministrit duke dhënë një mesazh të fortë se: Jeta në shoqëri të detyron që çdo parregullsi të jetës private mund të ketë pasoja për të afërmit e tu rreth teje, e cila nuk të lejon që të jesh shpërfillës ndaj këtij realiteti në të kundërtën do të paguash faturën… siç e paguan ministri.

 

Bardhyl, deshëm diçka specifike për vendin tuaj, Shqipërinë, këtë hallemadhe që tashmë sapo u përball me tërmetin shkatërrimtar që mori dhe jetë njerëzish?

Bardhyl Berberi: Desha të theksoj nje fakt. Unë besoj se një ditë ky vend do të bëhet. Koha do t’i fshijë këta batakçinj që kanë 30 vjet dhe i sjellin jo pak shqetësime popullit të tyre. Këta politikanët tanë janë si ata inxhinjerët dhe ustallarët e këqinj, që ngrejnë ndërtesa që ju shemben njerëzve mbi kokë, siç është rasti i fundit i tërmetit.

Ky vend nuk ka nevojë për heronj, për mite, për skulptura dhe buste. Heroi më i mirë është ai që do ta bëjë Shqipërinë pa u krekosur dhe pa u fryrë si gjel deti. Mendoj që heronjtë nuk janë ata që nuk i shohim nëpër ekrane apo media. Kush ka nerva të durojë politikanët e sotëm. Ne kemi një shprehje popullore “gosti të hash çdo ditë dhe të mërzitet jo të durosh këta politikanë”. Shqiptarët duhet të fikin televizorin kur ia fut kot, të lexojnë më shumë libra dhe të dëgjojnë muzikë, të përshëndesin në mëngjes njëri-tjetrin, pavarësisht se mund të jenë opozitarë… Secili ka në dorë fatin e tij. Unë i përbuz ata që bëjnë arrogantin dhe shajnë nga mëngjesi në darkë Shqipërinë. Ne jemi një vend normal dhe i jetueshëm në zemër të Europës. Një ditë Shqipëria do të bëhet kur kjo klasë politikanësh të largohet nga skena politike. Diçka po lëviz tamam si ai deti që buçet dhe dallga leshterikët i hedh në breg si mbeturina… Kësaj radhe besoj se nuk do ta kalojnë dot lumin me varka prej letre…

Please follow and like us: