Artur Spanjolli: Shqipëria e vogël, por me gjenialë të mëdhenj, rasti Kadare
Megjithëse popull i vogël, kemi pasur fatin të kemi pranë tij gjeninë e një shkrimtari të veçantë, majë e pakontestuar e letërsisë planetare. Pas Buzukut, pas Marin Barletit me të mrekullueshmen “Rrethim të Shkodrës”, pas rilindasve, gojëmjaltit Naim që i buronte fjala si gurrë e dlirë bjeshkësh, pas Nolit-intelekt dhe mendimtar shumë i veçantë për mentalitetin feudal të viteve 30, pas gjeniut të pafatë, stuhisë Migjeniane të ndërprerë që të godiste me hekurin e së vërtetës, pas lirikut të madh Poradeci, hyjnorit poet krenar dhe të rafinuar, pas Konicës dhe Kutelit, arriti më në fund, përfaqësuesi më i plotë i letërsisë shqipe. Vinte nga Gjirokastra, një qytet i ashpër dhe i sertë, por plot me njerëz të mençur dhe të shetitur nëpër botë. Mes shumë fateve personale, talent, intelekt, pasionin e tij të madh, talentin e shumanshëm, u ndodh Franca që ishte bërë shumë kurioze të dinte më shumë mbi një vend të mbyllur diku në cep të Ballkanit. Shumë elementë bashkë. Në këtë vërshim fati dhe kombinime fatesh, ndriti ai, Kadare, shkrimtari më i shumanshëm, më i plotë i Shqipërisë diktatoriale.
Shkrimtarë me shumicë prodhon çdo kulturë dhe çdo epokë, ka pasur përherë, do të ketë, por ata që ta shprehin të plotë epokën e tyre, shkrimtarë që ta përfaqësojnë atë si duhet janë të paktë. Kadare, solli në letërsinë shqipe, një zhbirim psikollogjik të personazheve, të denjë për një Xhojs, për një Kafka, për një Kamy apo Sartri. Ai, me gjetjet e tij të përkryera, mahniste përherë, befasonte, intrigonte dhe kuriozonte lexuesin. Asnjëherë nuk zbriti në mediokritet, asnjëherë nuk u mor me njeriun e ri ose me heroin socialist. Duke i bërë bisht me zgjuarsi intelektuale, me frymëmarrje europiane, ai gjeti gjithmonë tema dhe elementë duke mos cenuar drejtpërdrejt nomeklaturën e kuqe, por gjithashtu duke dhënë vlera të tejkohshme. Ai, Kadare, kjo penë e madhe botërore që Shqipëria pati fatin dhe e ka fatin ta ketë përgjithmonë, si një ambasador i shpirtit, si një përfaqësues i gjendjeve shpirtërore ballkanase, bredh nëpër botë duke na mburrur, duke i treguar asaj se kush jemi. Me vlerat dhe të metat tona. Me bujarinë, besën, kokëfortësinë, dashamirësinë, zgjuarsinë, por edhe me cmirën, inatin, mburrjen, grindavecllëkun ballkanas, urrejtjen djegëse, hakmarrjen. Fati i tij i mirë që mbijetoi, në një kohë të ligë, kur për një aludim kundër partisë poetët pushkatoheshin, kurse ai, edhe pse shkroi, ‘Pashallarët e Kuq’, shpëtoi. Fakti që ishte i përmasës botërore edhe pse ndoshta diktatori Hoxha ishte nga Gjirokastra dhe nga e njëjta lagje me autorin, por edhe pse diktatura kishte frikë ta dënonte, i njohur tashmë nëpër tërë botën perëndimore, ai jo vetëm doli gjithmonë ‘i larë’, por u bë i pa goditshëm.
Kemi nderin dhe gëzimin e madh të shfletojmë libra si ‘Kronika’, ‘Përbindëshi’, ‘Gjenerali’, ‘Koncerti’, ‘Pallati’, ‘Ura’, ‘Doruntina’, ‘Prilli’ e tjerë, e tjerë pjesë ndriçuese të një diamanti shumplanësh shpirti, që gjithmon ndriçon nëpër botë me emrin e Shqipërisë.
Tre jane vlerat më të mëdha që ky shkrimtar i ka falur, i ka dhuruar shqiptarëve dhe Shqipërisë.
Vepra e tij si pasaportë shpirtërore shqiptare nëpër botë.
Mesazhet njerëzore, universale që përcjell, me idetë e veprave të tij.
Dhe vlera letrare e pamatë e këtij gjigandi, këtij titani të letërsisë botërore që fati e solli të lindte në trojet shqiptare.
Mua nuk më intereson ta gjykoj atë si njeri, nuk ndikohem nga pasioni popullor që gjykon raportin e tij shtet-shkrimtar gjatë epokës moniste. Vitë më vonë, dhjetëvjeçarë më vonë, librat e tij do të lexohen gjithnjë e më shumë, sepse janë testament i një epoke të gjatë 60-vjeçare. Kush është ai shkrimtar që të ketë shkruar epopenë 60-vjeçare të popullit të tij? Kush e ka pasur këtë aftësi intelektuale të rindërtojë kujtesën shumëvjeçare të kombit të tij? Kush më mirë se ai diti të përshkruaj ‘Kështjellen’ në Shqipëri? Kush, errësirën turke me trilogjinë e tij mesjetare?! Kush shkroi më mirë për mitet greke apo baladat shqiptare, kush për vitet 60 në vendin tonë, kush ndikoi në reformat e ’90-ës dhe i përshpëjtoi ato?
I formuar mes tre epokash njerëzore: ajo familjare feudalo-turke, ajo komuniste që zgjati 45 vjet dhe epoka postindustriale, perëndimore e Parisit dhe e Europës mbarë. Tre epoka të ndryshme, dy gjuhë dhe shumë udhëtime, janë një fat i vërtetë për eksperiencën e një shkrimtari universal.
Ta nderojmë, t’i japim vlerën që meriton këtij artisti të madh të fjalës, që ka shkruar në letër, shqetësimet, ankthet, deliret e një kombi të vuajtur nga historia e pafatë. Por historinë e pafatë, paksa e kemi kërkuar dhe vetë ne! Me zgjedhjet tona të gabuara, duke helmuar Ismail Qemalëra në Peruxhia, duke ulëritur “Dum Babën”, pas 1912, kur të gjithë po na kërkonin në Europë, kur urrenim Musolinin që ndërtoi Tiranën moderne, me kopjimin e gjërave të shëmtuara nga bota perëndimore, përfshi stilin mafioz në politikë dhe shoqëri. Fajin e kemi vetë dhe kur besojmë tek sistemet piramidale dhe ndërtojmë pallate pa ndërgjegje… Ta nderojmë dhe ta vlerësojmë gjeninë e padiskutueshme të vlerës së mirëfilltë letrare të Kadaresë.
Kadare është i madh edhe sepse nuk ka lënë faqe të historisë shqiptare pa hulumtuar, pa përshkruar nga ana shpirtërore; aty gjenden rindërtimet e atyre dokumentave, e atyre ndodhive që luftërat e shumta në tokën mëmë, i kanë djegur, mënxyrosur, grisur, vjedhur. Në pafatin e arkivave shqiptare të historisë mungimtare, kemi pasur fatin të kemi një rindërtim në formë romanesh nga Kadare, të këtyre faqeve të errta mesjetare në atdhe.
Për Nobelin duk duhet mërzitur fare. Kanë vdekur titanë të tjerë pa e marrë. Borges, Tolstoi, Xhojs, Wolf, Prust, Zola, Ibsen. Nobeli shikon dhe ndërhyrjen politike, lojën ndërkombëtare të pozicioneve politike dhe shumë arsye të tjera që ne nuk do t’i marrim vesh kurrë. Edhe pse, shpresa është e fundit që vdes, akoma Kadare, por sidomos, populli shqiptar ka shpresë ende që ai mund ta marrë Nobelin në vitet e ardhshme. Asgjë nuk e zbret veprën e Kadaresë nga piedestali, nga tempulli i letërsisë së mirëfilltë botërore. Atë tempull ku Homeri, Dante, Shekspiri, Servantesi dhe Dostojevski rrinë në majë, mbretërojnë të paprekshëm, si hyjni të vërtetë të botës së letrave.
Le të thellohemi atëhere tek bota e gjerë e librave të Kadaresë, ku ne shqiptarët të gjejmë vetveten për t’u përmirësuar, për të reflektuar, për t’u qytetëruar.