Drejtoresha e ‘Sami Frashërit’, Teuta Dobi duhet të rikthehet në detyrë!
Denisa Daka
Lajmi i shkarkimit nga detyra i drejtores së Gjimnazit “Sami Frashëri”, ka ngjallur habi e zemerim kudo.
Me ndjenjën e lartë të detyrës e përgjegjësisë, Znj. Dobi bëri të mundur që 43 nxënës të këtij gjimnazi, të kryenin provimin DSD II, (të gjuhës gjermane) më 27 nëntor 2019, caktuar kjo e fundit në një marrëveshje të posaçme mes shtetit gjerman e atij shqiptar.
Ministria e Arsimit aprovoi këtë fakt, prindërit e nxënësve gjithashtu, ndërsa nën kujdesin dhe të drejtores së projektit gjerman, provimi u zhvillua pa asnjë problem në këtë rast.
E ndërsa Teuta Dobi gjeti zgjidhjen e duhur, eprorja e saj u rrek të gjente fajin tek ky veprim i guximshëm e shpresëplot, duke e liruar nga detyra për shkelje të Urdhrit “Për ndërprerjen e procesit mësimor”.
Znj. Shahini!
Kur veprat flasin, fjalët nuk kanë vlerë!
Mësuesia është mision, apo nga ato profesione që nuk të japin rezultat nëse nuk i shkon deri në fund punës tënde.
Vendimi i shkarkimit të Teuta Dobit, është i pavend, i paprecedent përveçse.
Znj. Dobi nuk ka shkelur asnjë Urdhër, kjo është e provuar tashmë.
Njerëzve nuk u shkelet dinjiteti në asnjë formë e askush nuk mund të mbahet peng me fjalën “shkarkim”.
Në emër të së ardhmes të 43 fëmijëve, pjesë e kësaj shkolle, shpresës e besimit të tyre, Teuta Dobi kreu një akt fisnik e të lavdërueshëm.
Mos lejoni që nëpërmjet pushtetit të bëni të besojmë absurditete a dikush të marrë përsipër padrejtësi.
Gabimi vjen në shumë mënyra e nderuar, ndërsa për të bërë gjërat e duhura, ka vetëm një mënyrë ju siguroj.
Autoriteti fitohet përmes mirëkuptimit dhe besimit, ndërsa drejtimi është qëndrim e jo rutinë!.
Një drejtues përcaktohet nga rezultatet e lidershipi është aksion e jo pozicion.
Kurajo për të bërë gjënë e duhur është cilësia që i garanton gjithë të tjerat, si dhe e vetmja mundësi për të lënë gjurmë mes njerëzve.
27 vite pune nuk goditen me një të rënë të lapsit kurrsesi.
Një mësues e drejtues i vërtetë, demonstron e frymëzon, ndërsa mungesa e vullnetit është fatale në çdo rast.
Duke rivlerësuar rolin e Teuta Dobit, ju i bëni nder arsimit shqiptar, forcimit të rolit të shkollës e mësuesit gjithashtu.
Në vendimin e Znj. Dobi janë të koncentruara të gjitha fjalët, parimet, cilësitë, synimet, qëllimet, objektivat e një profesionist të vërtetë Znj. Shahini.
Teuta Dobi, ia doli të shenjojë mes kolegëve e mësuesve përgjatë gjithë këtyre viteve.
Janë pak të tillë rrotull!
Ja pse vendimi juaj nuk është zgjidhje, përkundrazi.
Disiplina duhet të vijë nëpërmjet lirisë! Individët që heshtin a verbërisht zbatojnë veç urdhra, janë individë të asgjësuar jo të disiplinuar, ndërsa njerëzit fisnikë i japin dinjitet veprimeve të tyre e janë më të bukurit rrotull.
I duhet dhënë fund luftës pa sens para se lufta të asgjësojë çdo njeri këtu.
Ndryshe e gjitha do të jetë kërcënim!
Ata që përballen me ngjarjet me guxim, ata të cilët i ka bekuar Zoti me dhjetra cilësi, le të mos i dënojë njeriu.
Për sa kohë do të ketë njerëz me zemër të madhe e pasion të fortë do të ketë shpresë këtu.
Cilësia nuk është e rastësishme, por rezultat i përpjekjeve inteligjente.
Ustai i mirë i duhet çdo punë!
Ditën pas tërmetit të gjithë rrinin strukur në shtëpitë e tyre, ndërsa Teuta Dobi vendosi të qëndrojë pranë nxënësve të saj, në një ditë të veçantë për ta.
Reflektimi është përgjegjësi, ndryshe tragjeditë përsëriten.
Rishihe vendimin tënd Znj. Shahini, në emër të 1500 nxënësve të kësaj shkolle, prindërve e kolegëve të saj posaçërisht, të cilët çmojnë fort punën e saj e presin rikthimin e Teuta Dobit në detyrë.
Të bësh gjënë e duhur nuk mund të të kthehet në mallkim Znj. Ministre, sot, më shumë se kurrë na duhet zëri i profesionistëve të mirë, si armë e fortë në këtë vend.
Unë personalisht ndjehem e privilegjuar që do ta mbështes ligjërisht Znj. Dobi në kauzën e saj!
I takon një trofe për gjithë ç’ka bëri për arsimin ndër vite, jo një urdhër shkarkimi kurrsesi!
Mijëra njerëz janë bërë bashkë sot me Teuta Dobin, ndërsa revolta e saj ka nevojë për të gjithë ne!
Riktheni Teuta Dobin në detyrë Znj. Shahini!
Të gjithë do të përshëndesin veprimin tuaj paskësaj!