Albspirit

Media/News/Publishing

Frank Shkreli: VIT ZIE PER MEDIAN SHQIPTARE

Viti 2019 po përfundon si është më zi për lirinë e fjalës, për lirinë e të shprehurit dhe për lirinë e medies në përgjithësi, anë e mbanë trojeve shqiptare.

Janë tri ngjarje, vetëm të javëve të fundit të këtij viti, që e bëjnë 2019-tën, një vit që nuk u jep nder pushtetarëve shqiptarë në Tiranë as atyre në Prishtinë, për mënyrën se si ata merren me gazetarët dhe me lirinë për të kryer detyrën e tyre në një vend demokratik.  Po ndalem tek këto tri raste të javëve të fundit, pasi janë ende të freskëta në mendjen e njerëzve dhe në media.  Jo se nuk ka pasur shkelje të tjera serioze të fjalës së lirë, me vepra dhe me fjalë – nga pushtetarët më të lartë shqiptarë  gjatë vitit të kaluar dhe gjatë tre dekadave të fundit post-komunizëm, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.

Më 18 Dhjetor, 2019, shumica socialiste në parlamentin e Shqipërisë miratoi me 82 vota pro “paketën antishpifje”, por që do të ishte më korrekt të quhej paketa anti-shprehje, pasi e tillë është.  Kjo paketë kundër lirisë së fjalës në Shqipëri e propozuar nga Kryeministri Rama dhe e miratuar nga shumica e tij socialiste në Kuvend, me të drejtë është kundërshtuar dhe po kundërshtohet nga një mori organizatash kombëtare dhe ndërkombëtare, si një ligj që (nëqoftse dekretohet nga Presidenti Meta ) është në kundërshtim të hapur me Komisionin Europian dhe Zyrën e Komisioneres së Lartë për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Europës dhe të konventave dhe marrëveshjeve të tjera ndërkombëtare mbi lirinë e medias dhe mbi të drejtat bazë të njeriut.  Fatbardhësisht, ky akt antilgjot dhe antidemokratik kundër lirisë së fjalës dhe medias në Shqipëri, po kundërshtohet nga organizata mediatike mbrenda dhe jashtë vendit, ndërkohë që premtojnë se do të vazhdojnë një fushatë të gjërë dhe të gjatë, për përmbysjen e të ashtuquajturës, “paketë anti-shpifje”.  Shumë prej tyre i kanë bërë thirrje Presidentit Ilir Meta që të mos dekrektojë këtë projektligj, ndërsa disa organizata ndërkombëtare, mbështetëse të lirisë në botë, kanë premtuar se do të informojnë qeveritë dhe institucionet përkatëse ndërkombëtare, sidomos ato evropiane, për efektet negative të këtij ligji shqiptar ndaj lirisë së medias, jo vetëm në trojet shqiptare, por edhe për influencat negative që mund të ketë ky ligj në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe më gjërë.

Rasti i dytë që goditi rëndë lirinë e fjalës në Shqipëri kohët e fundit, ishte largimi nga Shqipëria, për të kërkuar strehim politik në një vend të Evropës, shkrimtari, poeti dhe publicisti, Z. Agron Tufa, ish-Drejtor i Institutit për Studimin e Krimeve dhe të Pasojave të Komunizmit.  Siç dihet, Z. Tufa u detyrua të arratisej nga Shqipëria për të kërkuar azik politik në një vend të Evropës, si pasojë e kërcënimeve serioze ndaj tij dhe familjes, madje edhe nga figura të njohura të politikës shqiptare dhe të jetës publike.  Kërcënime, pra me jetë, për t’i mbyllur një shkrimtari e akademiku – jo nga nodnjë rrugaç, por nga pushtetarë, përfaqësues të institucioneve politike aktuale shqitare!  Unë nuk besoj të ketë shkelje më serioze të lirisë së të shprehurit se kërcënimi me jetë si ai ndaj Z. Tufa për arsye të natyrës së punës akademike ose publicistike të tij.  Mbrojtja e jetës dhe e të drejtave të qytetarëve duhet të jetë obligimi dhe përgjegjësia e parë e qeverisë, përfshir mbrojtjen nga kërcënimet me jetë ndaj shtetasve të vet e sidomos ndaj zyrtarëve të shtetit, siç ishte Z. Tufa.  Por, kur qeveria nuk e bën këtë, si në rastin Tufa, atëherë dikush tjetër duhet të ngrejë zërin.  Fatkeqsisht, ndryshe nga protestat kundër ligjit “anti-shpifës” ose anti-shprehje, që siguruan mbështetje të fortë, mbrenda dhe jashtë vendit, rasti i Z. Agron Tufa nuk tërhoqi vëmendjen që meritonte, madje as nga media shqiptare, as nga ndërkombëtarët dhe as nga diaspora.

Dhe rasti i tretë i sulmeve ndaj lirisë së fjalës dhe lirisë së gazetarëve në kryerjen e detyrës së tyre, na vjen nga Kosova këto ditë të fundit të vitit 2019. Një rast ky sikur Kosova nuk dëshironte të mbetej mbrapa Shqipërisë dhe ta mbyllte këtë vit pa një sulm fatzi kundër lirisë së fjalës edhe atje, pikërisht nga një përfaqsues i politikës aktuale, bile, bile, nga një ministër, i cili sulmoi fjalën e lirë duke ngritur dorën kundër lirisë së fjalës me një sulm fizik ndaj një gazetari.Asocacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), me anë të deklarate për publikun tha se, “Dënon ashpër sulmin që i është bërë gazetarit të IndeksOnline, Ensar Ramadanit nga ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala”.  Sipas Indeksonline, thuhet në deklaratën e gazetarëve të Kosovës, “Ministri Shala e ka goditur në fytyrë gazetarin Ramadani, përderisa ky i fundit ishte në kryerje të detyrës”.  Në deklaratë thuhet gjithashtu se Policia e Kosovës po bën hetime rreth këtij rasti dhe shton se AGK, “Dënon këtë sulm dhe çdo sulm tjetër fizik e verbal që bëhet nga politikanët dhe bartësit e institucioneve dhe fton policinë, prokurorinë dhe të gjithë sistemin e drejtësisë, të trajtojnë me prioritet rastet e gazetarëve”.

Megjithëse këto tre raste kanë ndodhur kohët e fundit, ato nuk janë të lidhura me njëra tjetrën, por ama të trija paraqesin një përfytyrim tronditës të mungesës së lirisë së fjalës në Shqipëri dhe në Kosovë ndërsa pasqyrojnë prirjet anti-demokratike të kësaj klase politike shqiptare, e cila po tregon për dekada tani se nuk është mike e lirisë së fjalës as edhe e gazetarisë së pavarur dhe as e demokracisë së vërtetë.  Fatkeqësisht, pushtetarët shqiptarë, të periudhës post komuniste, deri më sot, na kanë mësuar që prej tyre të presim vetëm zhgënjime përsa u përket zhvillimeve demokratike, lirisë së fjalës dhe të gazetarisë në përgjithësi – anë e mbanë trojeve shqiptare.  Natyrisht, se këto mangësi në zhvillimet demokratike kanë rezultuar në ngërçin e antarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Kjo situatë nuk më habit aspak, por ajo që më habit dhe më shqetëson është reagimi ose mos reagimi i diasporës shqiptare, sidomos asaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndaj këtyre dukurive dhe prirjeve anti-demokratike të kësaj klase politike shqiptare 30-vjeçare.  Unë ju garantoj se cilido qoftë prej këtyre tre rasteve të sulmeve dhe shkeljes së lirisë së fjalës të shqiptarëve në trojet tona, po të ishte bërë kundër tyre një gjë e tillë nga Serbia ose ndonjë vend tjetër, diaspora shqiptare në Amerikë, ashtu siç e ka pasë zakon e traditë gjatë 50-viteve të fundit, do të protestonte fuqishëm para Kongresit Amerikan në Washington dhe para Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ose me mënyra të tjera –me letra e memorandume — do të protestonte keqtrajtimin dhe shkeljen e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve nga armiqtë e tyre.  Në të vërtetë, kohët e fundit kishim një rast, për të cilin unë vet jam në dijeni, ku një numër organizatash të komunitetit shqiptaro-amerikan protestuan arrestimin dhe largimin nga Mali i Zi i një shqiptari, vetëm e vetëm sepse valviti flamurin shqiptar në një takim folkorik në Krajë, duke dërguar letër protestë Presidentit të Malit të Zi dhe zyrtarëve të lartë në Shtetete Bashkuara.  Si është e mundur atëherë që komuniteti shqiptaro-amerikan, por edhe ai në Evropë, bie në gjumë kur autoritetet shqiptare abuzojnë me të drejtat dhe shkelin liritë themelore të shqiptarëve, siç është liria e shtypit.  Si, dhe pse, keqtrajtimi i shqiptarëve nga pushtetarët shqiptarë nuk na qenka aq i keq sa keqtrajtimi i shqiptarëve, le të themi nga serbët, për të merituar protetsën tonë.  Për cilindo rast që përmenda më lartë, po të ishin ndërmarrë këto masa shtypëse nga autoritetet serbe kundër shqiptarëve, komuniteti shqiptaro-amerikan do të kishte dalë nepër rrugë të Amerikës për të protestuar shkeljen e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve nga qeveria serbe.

Fatkeqësisht, për rastet e lartëpërmendura të shkeljes flagrante të të drejtave të shqiptarëve nga autoritetet shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë — nga komuniteti shqiptaro-amerikan nuk pati pothuaj asnjë reagim, as nga orgnaizata as edhe nga perosnalitete të shquara të komunitetit, lëre më që të presim ndonjë protestë të organizuar prej komunitetit, në mbështetje të lirisë së fjalës dhe të gazetarëve shqiptarë në Atdhe.Tirana dhe Prishtina zyrtare, për fat të keq, e kanë përçarë dhe neutralizuar, politikisht, komunitetin shqiptaro-amerikan, sa që sot komuniteti këtu mund të jetë më i shkatërruar se kurrë. Autoritetet shqiptare janë të interesuara në dollarët dhe eurotë e diasporës shqiptare dhe jo në idetë, liritë dhe vlerat demokratike të perëndimit ku ata jetojnë.

Në fillim të Vitit të Ri, diaspora shqiptare në perëndim, në përgjithësi, dhe komuniteti shqiptaro-amerikan në veçanti, duhet të jenë të vetëdijshëm se, “paketa antishpifje” e anti-shprehjes të qeverisë Rama, e miratuar këto ditë në parlamentin shqiptar, largimi i shkrimtarit dhe publicistit Agron Tufa nga Atdheu nën kërcënim për jetën e tij dhe të familjes nga përfaqsues të politikës aktuale shqiptare, i detyruar të kërkojë azil politik në Evropë, si dhe sulmi fizik I ditëve të fundit kundër gazetarit Ensar Ramadanit nga një ministër në Kosovë –tregojnë se politikanët shqiptarë sot, me mendimet, pikëpamjet dhe prirjet e tyre politike, janë shumë më afër politikave autoritare putiniste dhe erdoganiste se sa vlerave dhe lirive të demokracive perëndimore, ku të gjithë ne kemi gjetur mikpritje dhe strehim.  Si të tillë, nuk na falet që të mbetemi me gojë, me sy dhe me veshë mbyllur ndaj këtyre shkeljeve flagrante të të drejtave dhe lirive të shqiptarëve në përgjithësi dhe lirisë së fjalës dhe të gazetarëve në veçanti, nga vet autoritetet qeveritare në Tiranë dhe në Prishtinë.

Mohimi i lirive themelore të shqiptarëve nga vet pushtetarët shqiptarë, nuk është më pak i rëndësishëm se kur këto liri u mohohen shqiptarëve nga të huajt. Mohuesit e lirive bazë, cilët do qofshin ata, duhet të luftohen kudo dhe kurdoherë.  Nuk duhet të kënaqemi as nuk duhet të pranojmë një demokraci të pjesëshme në trojet tona.  Për ne që jetojmë në liri, demokracia e pjesëshme dhe liritë e kufizuara përfshirë lirinë e fjalës për vëllëzërit dhe motrat tona në Atdhe, duhet të jenë të paranueshme, ashtu siç ishte i papranueshëm komunizmi në Shqipëri dhe pushtimi i Kosovës nga Serbia.  Prandaj, ashtu siç ishte dikurë i angazhuar komuniteti shqiptaro-amerikan për çlirimin e Kosovës nga Serbia dhe për shembjen e komunizmit në Shqipëri, ashtu duhet të jemi edhe sot të angazhuar dhe jo më pak të organizuar për të kundërshtuar shkeljen e lirive të shqiptarëve nga autoritetet që e kanë obligim dhe përgjegjësi t’i mbrojnë ato të drejta dhe liri universale për të gjithë shqiptarët, pa dallim.

Për fat të keq, standardet e plota demokratike, zbatimi i të drejtave universale dhe lirive bazë të njeriut – përfshir edhe lirinë e medias — mbeten ende objektiva të parealizuara në trojet tona.  Për realizimin e vërtetë të këtyre të drejtave, puna jonë si diasporë dhe si komunitet shqiptaro-amerikan, duhet të vazhdojë si kauzë e gjallë dhe e shenjtë, si një ëndërr që nuk shuhet kurrë deri në realizimin e të drejtave të plota për të gjithë shqiptarët!  Kjo nuk është një ëndërr e pa realizueshme.  Përvoja ndërkombëtare tregon se gjatë historisë, armiqtë e demokracisë dhe sulmuesit e fjalës së lirë, mund të shënojnë ndonjë fitore të përkohëshëme, aty këtu por më në fund ata përfundojnë me faqe të zezë.  Heret ose vonë, në luftën e tyre kundër medias dhe fjalës së lirë, ata do të pësojnë disfatë politike.  Ndërkohë që, përpjekjet e tyre kundër të drejtave themelore të njeriut dhe lirisë së fjalës – përfshir lirinë e medies dhe të gazetarëve do të mbeten një pikë e zezë në historinë e tyre të dështuar, si shqiptarë dhe si politikanë!

Please follow and like us: