ATJE KU DASHURIA TRIUMFON MBI FATKEQËSINË…
Nga Albert Z. ZHOLI
Reportazh / Atmosferë tejet e ngrohtë, familjare dhe festive për fëmijët jetimë
Jetimët! Një emër që të sjell dhimbje! A e dini se kudo nëpër botë, ashtu edhe në vendin tonë ka miliona fëmijë të cilët e kanë harruar ç’do të thotë nënë/baba, si dhe të tjerë që nuk njohin as njërin e as tjetrin?! Për shumë fëmijë, i vetmi ngushëllim është ndonjë kujtim nga prindërit e tyre, foto, video apo diçka e vulosur përjetë në kujtesën e tyre, me të cilën krenohen gjithë jetën.
Në këtë 26 nëntor numri i tyre u rrit. Tragjedia e madhe e tërmetit mori me vete shumë jetë prindërish. Të flasësh për këtë kategori të shoqërisë është shumë e vështirë, pasi heziton përpara faktit se si do ta konsiderosh atë, të mjerë, të lënë në harresë, barrë ekonomike apo përgjegjësi individuale apo shtetërore që kërkon përkujdesje dhe interesim?! Kjo është dilema e trajtimit të tyre në këto 30 vjet demokraci!
Nëse do flasim me shpirt njerëzor, me përgjegjësi intelektuale, me ndjesi hyjnore mund të themi se kjo kategori duhet të konsiderohet edhe barrë, edhe sakrificë, por në radhë të parë përgjegjësi dhe detyrim shpirtëror.
Shpesh herë, jo për faj të tyre (sepse ata janë krejt pafajësia) të mbetur dyfish jetimë në gjendje mjerane e në mëshirën e fatit, mes nëpërkëmbjes së dinjitetit njerëzor dhe shpresës së premtimeve boshe e demagogjisë pa fund të qeverive sot, jetimët janë kontingjenti më vulnerabël i shoqërisë shqiptare.
Në këtë situatë emergjente që ndodhet vendi ynë, sot më shumë se kurrë të gjithë ne duhet të jemi solidarë me fëmijët jetimë për t’u falur atyre dashuri, këtë ndjenjë që ata nuk e njohin nga mungesa e prindërve.
Në tërë këtë problematikë shqiptare, këta fëmijë në një formë apo tjetër gjejnë mbështetje nga institucione të veçanta, fondacione, deri diku dhe shteti, për t’ua bërë jetën më të lehtë e më të bukur.
E ku ka më madhështore se sa të gëzosh zemrën e një fëmije, të cilit i mungon dashuria dhe përkëdhelja e prindit?!
Është gjesti më human dhe më fisnik kur i qëndrosh pranë një fëmije, që ka humbur dashurinë dhe përkrahjen prindërore dhe t’i thuash: Ja, ne jemi me ju, si ju, pranë halleve dhe shqetëssimeve tuaja?!
Një ditë e ndryshe nga ditët e zakonshme…
Në prag të krishtlindjeve dhe festave të fundvitit, Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë dhe fondacioni “FAB” i kompanisë “Hysenbelliu Group”, për festat e fundvitit, si rrallë institucione të tjera e kthyen vëmendjen te fëmijët jetimë. Dhe nuk është hera e parë.
Një nismë, një përgjegjësi prindërore, një ndjesi e thellë humane bëri që këto Institucione ti kthejnë sytë dhe zemrën si çdo vit tek jetimët për tu kthyer atyre buzëqeshjen e humbur, gëzimin e harruar, shpresën e venitur, në mënyrë që festat të trokasin njësoj edhe për ta si për gjithë bashkëmoshatarët e tyre.
Konkretisht në këtë ditë në një atmosferë tejet ngrohtë familjare festive në kuadër të festave të fundvitit këto institucione organizuar në ambientet e “Prestige Resort”, në Durrës një drekë festive për fëmijët jetimë.
Në këtë drekë festive kushtuar rreth 200 fëmijëve jetimë, morren pjese femije nga Durrësi e Kavaja, (dy nga zonat e dëmtuara më rëndë nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit) por edhe nga disa qytete të tjera të Shqipërisa, Korça, Shkodra, Tirana, Elbasani, dhe qendra të ndryshme rezidenciale, etj.
Ishte i pranishem edhe Presidenti i Republikës Ilir Meta, Drejtori i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë z. Ilir Çumani, dhe president i fondacionit “FAB” z. Fatmir Hysenbelliu, kreu i bashkisë së Kavajës, Redjan Krali, këngëtarë dhe aktorë si Liliana Kondakçi, Justina Aliaj, Lili Cingu, Bashkim Alibali, Kastriot Tusha, Edmond Budina, Bujar Kapexhiu, Luan Zhegu, Edmond Halili, etj.
Në fjalën e tij të hapjes, Drejtori i Përgjithshëm i IKIJSH, z. Ilir Çumani theksoi: “Jemi mbledhur sot për të përcjellë tek fëmijët jetimë një ditë ndryshe, një ditë që ata të ndihen në mes njerëzve më të dashur. “Jetojmë në një botë që vuan nga uria, jo vetëm nga uria për bukë por nga uria për dashuri”- ka thënë Nënë Tereza. Sot, më shumë se kurrë do të gjente zbatim kjo shprehje sidomos për fëmijët jetimë.
Sot më shumë se kurrë të gjithë duhet të jenë solidarë me fëmijët jetimë për t’u falur atyre dashuri, këtë ndjenjë që në jo pak raste e kanë të mohuar nga familjarë të tyre. E megjithatë, këta fëmijë në një formë apo tjetër gjejnë mbështetje nga strukturat shtetërore dhe jo vetëm, por kurrë nuk është mjaftueshëm për t’ua bërë jetën më të lehtë e me të bukur”.
Fill pas fjalës së tij përshëndetëse, këngëtarët e mirënjohur Luan Zhegu, Liljana Kondakçi, interpretuan me shumë dashuri disa këngë për fëmijët e pranishëm. Një atmosferë e bukur, e ndezur, miqësore dhe e ngrohtë. Fëmijët këndonin bashkë me këngëtarët.
Ata duartrokisnin dhe brohorisnin. Ishte dita e tyre, ishin këngët e tyre, ato këngë që emocionojnë çdo fëmijë. Pas tyre, një atmosferë ndryshe. Grupi i valleve të fëmijëve jetimë nga Devolli, interpretoi disa valle me melodi nga të gjitha trevat e Shqipërisë ku u veçua vallja burrëore e Osman Takës, e realizuar aq bukur nga fëmijët – artistë. Por befasitë nuk ishin kaq.
E mirënjohura Justina Aliaj solli para të pranishmëve këngën “kukulla;” një këngë aq e dashur për fëmijët. “Mjeshtri i Madh” Kastriot Tusha këndoi këngën himn “Për ty Atdhe” një këngë që e kënduan së bashku të gjithë pjesëmarrësit.
Vlerësimet
Kur aktiviteti kishte arritur kulmin Kryetari i Bashkisë Kavajë, z. Redjan Krali nderoi me certifikata Mirënjohjeje për këtë aktivitet human dhe të rrallë, Presidentin e Republikës z. Ilir Meta, z. Ilir Çuamni dhe z Fatmir Hysenbelliu dhe organizatën DMS – Diaspora e Michiganit për Shqiptarët me përfaqësuese Joli Paparisto.
Duke marrë certifikatën z. Presidenti Meta theksoi: “Me shumë kënaqësi e pranova ftesën e Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë dhe Fondacionit “FAB” për të marrë pjesë në një veprimtari bamirësie kushtuar rreth 200 fëmijëve jetimë dhe jo vetëm, nga Durrësi e Kavaja, dy nga zonat e dëmtuara më rëndë nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit.
Në këtë ditë kemi parë solidaritetin e madh, por pamë edhe se sa e rëndësishme është jeta, fëmija, familja, pro edhe shteti. Kemi parë gjëra shumë prekëse këto ditë por mbi të gjitha kemi parë edhe fëmijë që mësonin në çadra edhe pse në situate tepër të vështira. Kjo tregon se sa të etur janë fëmijët për dije.
Ajo që do na mbrojë nga e keqja është dituria, mësimi, shkolla solidariteti. Këto ditë mësuam se aty ku ndërtohet me përgjegjësi ka siguri. Ku nuk ka përgjegjësi ka rrënime. Ndaj duhet të dëgjojmë shkencëtarët, të diturit, profesionistët që të kemi sa më pak fatkeqësi. Në këto situate mësuam se sfidat kalohen me dashuri, bashkëpunim, solidaritet.
Jetimët duhet të ndjejnë ngrohtësinë, dhembshurinë dhe dashurinë e shtetit dhe të shoqërisë, por edhe të ndihen pjesë e familjes sonë të madhe, jo vetëm në momente të tilla humanizmi dhe solidariteti mbarëkombëtar.
Të punojmë të gjithë për një Shqipëri më njerëzore, më të dhembshur dhe të drejtë, që u jep ëndrra, shpresë dhe mundësi çdo ditë jetimëve, fëmijëve dhe të rinjve tanë për një të ardhme të sigurt dhe të ndritur në atdheun tonë”.
Ndërsa z. Fatmir Hysenbelliu, president i Fondacionit FAB theksoi se: “Ne gjithmonë jemi munduar të jemi pranë fëmijëve jetimë. Ky është qëllimi ynë kryesor, misioni ynë tu ndodhemi pranë kësaj shtrese në nevojë.
Si gjithmonë edhe në të Ardhmen ne do të japim ndihmën tonë për këtë shtresë në nevojë të shoqërisë që shumë herë ndihet e lënë në harresë.
Ndërsa z. Çumani duke marrë Certifikatën theksoi se: Ndihemi mirë kur shohim këta fëmijë që sot gëzojnë kaq sinqerisht, kaq të qeshur. Në fakt, në këtë moshë jetimët kanë më shumë nevojë për shtetin, sepse ata janë përballë situatave të panjohura për ta përballuar jetën të vetëm. Shumëkush, apo të gjithë ne nuk duhet të kujtohemi për fëmijët jetimë dhe jo vetëm në një ditë.
Qeveria duhet të jetë e vetëdijshme se çfarë “borxhi” i ka kësaj kategorie njerëzish, ashtu sikurse shoqëria duhet të jetë më e emancipuar për këtë fenomen”. Pas marrjes së këtyre vlerësimeve, aktori i humorit shkodran Edmond Halili solli situata të ndryshme gazmore ku fëmijët për asnjë çast nuk i ndalën të qeshurat.
Ndërsa këngëtari i mirënjohur Bashkin Alibal elektrizoi sallën dhe përshëndeti fëmijët jetim në këtë veprimtari në emër të fëmijëve të Diasporës Shqiptare në Michigan, të cilët në këto ditë të vështira për vendin, janë pranë këtyre fëmijëve jetim me ndihma dhe kontribute solidare.
Ai kujtoi ndihmën që ky forum i Diasporës, përmes emisionit “Shqiptarët për Shqiptarët” të Elvis Naçit, mundi të mblidhte të ardhura për blerjen e një banese për një familje të pastrehë me fëmijë jetim dhe sigurimin e paketave ushqimore për një numur të konsiderueshëm jetimësh.
Epilog
Ishte një ditë e veçantë. Një ditë që tek jetimët solli një dritare të re jete mes dashurisë dhe respektit të figurave më të mëdha të artit dhe kulturës shqiptare.
Ishte një ceremoni dedikuar e gjitha për ta, një ditë surprizë ku fëmijët jetimë përjetuan një ditë ndryshe, ndërsa shijuan ushqimet e ngrohta të gatuara me shumë dashuri për to nga stafi i “Prestige Resort”.
Një ditë që ata do ta kujtojnë me nostalgji pasi dhe pse jetimë, ata gjetën ngrohtësi por edhe takuan shumë personalitete që i kishin ëndërr ti takonin, ku dhe mijëra fëmijë me prindër nuk kanë mundësinë ti takojnë dot.
Kur aktivitetet bëhen me dashuri dhe mirësi, patjetër që suksesi do jetë i madh dhe mbresat e pashlyeshme.
Kështu ishte për jetimët kjo ditë mes dhjetori, kur festat e fundvitit janë në prag dhe që u tregoi atyre se ato po trokasin njësoj edhe për ta, si për gjithë bashkëmoshatarët e tyre kudo në Shqipëri.