Sonila Meço: Raportet me Kosovën, përparësi për Shqipërinë
Po, raportet me Kosovën janë përparësi për Shqipërinë.
Asnjë raport tjetër me koncepte artificiale vendimesh politike nuk arrin të japë vlerë të shtuar mbi atë natyral.
Nuk ekziston Ballkani Perëndimor, koncepti është abstrakt.
Në hartë e gjeopolitikë ka Ballkan.
Në histori, në atë që sot pagëzohet si Ballkani Perëndimor ka ekzistuar një federatë që nuk funksionon më, ajo Jugosllave.
Ama në histori dhe strukturë shpirtërore ekziston kombi shqiptar, në një territor që ekziston natyralisht si Ballkan.
A mundet të respektohet një artificë pa i shërbyer më së pari asaj që ekziston natyrale? Dhe a mund t’i jepesh kokëfortë një sajese pa konsoliduar themelet? Pse mungon zelli për të investuar në hapësirën mbarë shqiptare dhe yshtet i paepur vrrulli për ca bashkëpunime fantazmë, që krijojnë vraga brenda “shtëpisë”? Pse të mos hyjmë si 5 milionë në marrëveshje? Numrat janë ekonomi, fuqi, treg.. .numrat shumfishojnë aftësinë për t’u imponuar në çdo organizim. E për më tepër kur numrat kanë edhe shpirt të përbashkët.
Na jepni stategjinë e zhvillimit ekonomiko-politik mbarëkombëtar. Edhe në letër, pa dëshirë. S’ka gjë.
Ama lini nje shenjë në histori edhe pse e dimë, që planet jua shkruan një fuqi shumë më e madhe se ju. Hidhjani në mundshi historisë me një “të paktën provuam”. Se përndryshe as historia nuk do t’ju përmende ju, por ata që realisht ju drejtojnë. Do jeni një përmbarues i thjeshtë. Them historia, se atë e dimë që keni merak, se për komb e atdhe jeni tejet globalistë për të parë aq “ngushtë”.
E së fundi për manitë, megallomanitë e vetbindjen delirante:
Nuk mbahesh mend si i fundit i qytetit, por si i pari i fshatit. Sado qytet të të ngjajë fshati e sado i parë të të duket vetja kur thua se e gjithë bota është një fshat i madh.