Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Ksenofon Krisafi: Shpëtim Emiri – autori i ‘Përmendores së munguar’ për Dr. Vasil Labovitin

Image result for ksenofon krisafi, vasil laboviti"

Kur hidhnim hapat e para të jetës në qytetin tonë të dashur, Gjirokastrën e gurtë, të hijshme e të bukur, dëgjonim që, në raste sëmundjesh në familje a në rrethin familjar, prindërit tanë përmendnin veçanërisht emrat e dy mjekëve që, për koincidence, mbanin emrin Vasil, por njëri i Madh e tjetri i Vogël. Pavarësisht nga epitetet i madh e i vogël, për nga vlerat njerëzore dhe aftësitë profesionale në fushën e specialitetit, ata nuk dallonin shumë. Krahas tyre përmendej gjithashtu një tjetër mjek, gjithashtu i famshëm, dr. Aleksandër Kalivopulli. Ata dhe kolegët e dishepujt e tyre, ishin krenaria e qytetit në fushën e mjekësisë dhe, së bashku me një plejadë intelektualësh të tjerë, artistësh e sportistësh, të shquar e të respektuar, i jepnin shumë jetë, shumë kuptim e vlerë jetës kulturore e intelektuale në Gjirokastër. Kur u rritëm filluam t’i njihnim edhe si njerëz realë, që lëviznin rrugëve të qytetit, që takoheshin e bisedonin me njerëz të tjerë, miq e shokë, që uleshin në kafe etj.

Doktor Vasili i Madh, ka mbetur i gdhendur në kujtesën tonë, të brezave para e pas nesh, si një njeri i veçantë. Përnjëherësh binte në sy pamja e tij fizike, një burrë me shtat mesatar, fytyrë të ëmbël, dominuar nga mirësia, fisnikëria dhe humanizmi, me sy të gjallë e gjithë jetë, me veshje tipike karakteristike, që nuk ngjante me veshjen e zakonshme të prindërve tanë. Silueta e tij që dukej sikur rrezatonte shenjtëri qiellore te gjithkush, ndriçonte dhe zbukuronte rrugët dhe hapësirat që përshkonte. Njerëzit e zakonshëm, fshatarë e qytetarë nga të gjitha anët, kolegët e miqtë e donin dhe e respektonin shumë. Ndërkohë, dallohej që organet e pushtetit, pa e shpërfillur, por edhe pa e evidentuar, dukej sikur përpiqeshin ta mbanin disi të distancuar.

Vasili i Madh i duhej pushtetit për të bërë operacione, për të shpëtuar e shëruar njerëz, për të dëshmuar “kujdesin e madh të partisë e të shtetit” për shëndetin e popullit dhe vetëm kaq, asgjë më shumë. Nuk kishte pse dilte në pah mjaftueshëm personaliteti dhe vlerat e tij, për shkak se pëshpërima e përhapur nga zyrat shtetërore të gër mërit, projektonin e përhapnin herë pas here një hije apo një njollë nga e shkuara. Kjo lidhej së pari me “mëkatin” e kryerjes së studimeve jashtë Shqipërisë, në një vend kapitalist, në Austri, çka interpretohej në mënyrë të çuditshme dhe plot dyshime.

Vihej veçanërisht në fokus akti i tij i jashtëzakonshëm i shpëtimit të disa dhjetëra a ndoshta qindra burrave të qytetit nga pushkatimi prej gjermanëve kur ata pushtuan qytetin, fakt për të cilin miku im i mirë, Shpëtim Emiri ka shkruar një libër monografik, të mrekullueshëm, me vlera studimore e shkencore, por edhe artistike e kulturore. Njerëzit që e kishin parë apo ndjerë mbi vete atë çka kishte ndodhur, e shihnin Vasilin e Madh si fatin e tyre, si shpëtimtarin e zbritur nga qielli, ndonjë nga radhët e “nëpunësve të pallatit të ëndrrave”, e shihte si bashkëpunëtor, madje spiun të okupatorëve gjermanë. Lexuesve që mund të kenë rastin ta lexojnë librin

Përmendorja e munguar, do t’iu shfaqet midis fletëve të tij hija e burrit të bukur, njeriut të madh, humanistit të shquar, gjirokastritit të lavdishëm, Doktor Vasilit të Madh, Vasil Labovitit. Ai do të shihet, jo vetëm në Përmendoren e munguar ku e ka vendosur autori, por edhe në shpirtin dhe mendjen e gjithsecilit prej banorëve të Gjirokastrës dhe të krejt Shqipërisë së Jugut, që e kanë njohur ose kanë dëgjuar të flitet për të.

Doktor Vasili i Madh del aty si legjenda e dy epokave, e epopesë së Luftës së Lavdishme Antifashiste Nacionalçlirimtare, ku u rreshtua pa hezitim dhe dha kontribute të jashtëzakonshme duke shëruar e shpëtuar dhjetëra e qindra jetë njerëzish që kishin marrë pushkën në dorë dhe luftonin për lirinë e atdheut. Ai mbeti i tillë edhe pas Lufte, kur me duart e arta, mendjen e ndritur dhe përkushtimin e thellë njerëzor u vu në shërbimin e mijëra e mijëra njerëzve, për t’iu kthyer atyre dhe familjeve të veta gëzimin e jetës dhe dritën e shpresës për të ardhmen.

Doktor Vasil Laboviti ishte dhe mbeti, jo vetëm mjeku dhe kirurgu i talentuar, por edhe qytetari me një guxim të pashoq. Këtë legjendë e ringjalli, e skaliti me dashuri si përmendore dhe e solli në ditët tona, i talentuari Shpëtim Emiri, me librin e tij “Përmendorja e munguar”. Libri, i shkruar me përkushtim e dashuri të pakufishme, është një dhuratë e çmuar për Gjirokastrën. Në të njëjtën kohë, ai ngacmon për të vazhduar kërkimet në thesaret e pafundme njerëzore dhe në vlerat unikale kulturore e historike që ka qyteti i magjishëm i Gjirokastrës, për t’i nxjerrë në dritë dhe për t’ua bërë të njohura brezave.

Shpëtim Emiri vjen me këtë libër në vijim të një veprimtarie të mëparshme krijuese mjaft të suksesshme. Libri mbështetet mbi një dokumentacion dhe bibliografi të bollshme, mbi të dhëna historike, rrëfime njerëzish të ndryshëm që e kanë njohur nga afër ose kanë punuar me Dr. Vasil Labovitin. Lënda është përpunuar dhe është vendosur në një kontekst të përgjithshëm dhe njëkohësisht të posaçëm historik, duke dhënë në mënyrë të kursyer, por të mjaftueshme zhvillimet historike, politike, ekonomike, sociale, kulturore etj, në vend, në Gjirokastër dhe në rajonin e Shqipërisë së Jugut.

Është shkruar me një gjuhë të bukur, të pasur, plot kolorit lokal dhe mjaft të përpunuar. Ai përshkohet nga një stil i zhdërvjelltë që e bën veçanërisht tërheqës. Edhe në këtë vepër, autori shpalos talent, kulturë, njohuri historike, si dhe dëshmon përkushtim dhe dashuri të pakufishme për njeriun dhe Gjirokastrën e mrekullueshme.

 

Please follow and like us: