Sonila Meço: Pak mirëkuptim mes vedi
Kur një prej moderatoreve më të rëndësishme të një prej programeve më të ndjekur në botë (jo vetëm në SHBA) do të bëntë mbylljen e show-t 25 vjeçar në ekran, kish dy fjalë për publikun: “A e dini çfarë i bashkon të gjithë të ftuarit e mi, nga presidentë në vrasës serialë, nga diva muzike në mama vrasëse, nga yjet e Hollywood-it tek të mjerët e pastrehë? Dëshira për t’u dëgjuar, donin të gjithë të dëgjoheshin në ato pak minuta. Dhe unë u bëra protagoniste absolute e televizionit vetëm duke hapur ekranin, duke lejuar njerëzit të flasin për t’u dëgjuar”. Kështu pohonte Oprah.
Dëgjojmë pak përderisa ankohemi shumë. Sepse të dëgjuarit me mend e bën njeriun të kuptojë, ndajë e reagojë. Ndërsa kemi pushtuar çdo kanal komunikimi me indinjatën për një festival kënge, kemi mbyllur shqisat për të njëjtën sasi kohe për çfarë po na ndodh e na prek të gjithëve njëkohshëm. Në Tempora në RTV Ora të martën do të ndiqni ç’po ndodh me Shqipërinë, që teksa na shqetëson si e me kë do të prezantohet në Eurovizion, nuk kemi kuptuar se po e humbasim keqaz. Për cilën Shqipëri në Eurovizion po flasim? Për këtë Shqipëri, që po zbrazet me ritmin e një toke të djegur? Për Shqipërinë e zonave të tëra ku pas çdo zileje porte të pason heshtja e pafund prej braktisjes? Për Shqipërinë, që po i le me kokën pas të gjithë ata, që pasi bënë një jetë po ngrihen 2019-ës me gjithsej për të rifilluar nga çdo cep i botës? Për Shqipërinë e diasporës, që na mallkon ne të mbeturit, gjithnjë e më të paktë, gjithnjë e më të pamundur se jemi bërë cinikë ndaj vendit? Për Shqipërinë e atyre që rezistojnë ende, duke bërë sforcon më të madhe, mes dhjetra sakrificash për ta shpëtuar?
Nësa ka një lajm “të mirë” nga Festivali i Këngës, një lajm aktualiteti e që lidhet me dramën, që po përjeton Shqipëria është se votat për ne në Eurovizion rriten çdo vit e më shumë prej shqiptarëve, që na votojnë nga jashtë. Dhe nuk dëgjohemi mes vedi, na kanë futur një palo zhurmues përmidis, si ai që dikur i futej kanaleve televizivë për t’mos dëgjuar ç’vlente e për t’u mbyllur gjithnjë e më shumë në izolim.
Sa më pak do dëgjojnë, aq më pak do të dinë!
Sa më pak të dinë, aq më pak do kuptojnë.
Sa më pak do kuptojnë, aq më pak do reagojnë!
Sa më pak të reagojnë, aq më lehtë i manipulojmë!
Derisa preokupimi i tyre mos jetë gjëma në derë prej kolapsit të shtetit, por Festivali i Këngës. Derisa pak njerëz të përzgjedhur të dëgjohen si protagonistë absolutë të hapësirës publike dhe të tjerët të vërtiten marazi a budallallëku nga pohimet e tyre.
Pak mirëkuptim mes vedi të ruajmë Shqipërinë, atë që na ka rënë për hise ta jetojmë, teksa atë të Eurovizionit, pa merak, hë për hë na e ruajnë shqiptarët që votojnë nga jashtë e që shtohen me ritme fitoreje…të një festivali europian kënge.