Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Berberi: Troket SPAK!

Rezultate imazhesh për bardhyl berberi

Sapo janë miratuar prokurorët e parë të SPAK-ut. Këto ditë prag  Viti i Ri   ata janë të braktisur nga të gjithë dhe të frikësuar nga zhurma e prangave që u tingëllon në vesh kudo, në zyrë, në rrugë, në Kuvend apo gjykata dhe prokurori. Personat që kanë ngjyer duart e pista në pronat e të tjerëve apo që kanë grabitur djersën e popullit kanë mbetur të shushatur. Atyre nuk iu hyjnë në sy festat e fundvitit. Frika e arrestimeve ua ka prishuar  gjumin.

Opozita e çorientuar nga shumë mëkate që ka ndaj popullit nuk gjen një kallzues real që të sulmojë pozitën, por merret me fakirët  e tërmetit, gjen ndonjë militant të vet që del para kamerave dhe thotë që po vidhen ndihmat, apo grupe tifozësh në stadium që thërrasin “Rama ik”.

Ata kanë humbur ekuilibrin, flasin përçart, i sheh të zbehtë, nuk u hyn asgjë në sy. Ato vila hijerënda anembanë Shqipërisë, madje dhe jashtë saj, nëpër vendet më ekzotike nëpër Europë,  iu duken si fantazma që do t’i gllabërojnë brenda tyre.

Makinat luksoze, numurat e llogarive të pafund nëpër bankat e huaja, tashmë janë kërcënuese, iu janë kthyer si sëpata e Demokleut.

Edhe dashnoret e tyre po e ndjejnë këtë ‘dimër’. Ato janë braktisur. Iu mbyllin telefonat dhe nuk duan të pipëtojë asgjë, përveç ritmit të çrregullt të zemrës së tyre…

Ata i ka bërë llogaritë gabim. Paraja e fituar pa djersë, me pare të vjedhura, vjen nje ditë që të nxjerr në ankand. Ka një thënie për këta grabiqarët që kanë vjedhur djersën e popullit se “Jeta është si puna e supermarketit për të gjitha pazaret që kanë bërë dhe dallaveret që kanë kryer i pret kasa në fund ku duhet të venë dhe të paguajnë”.

Ata edhe pse ikin nga kryeqyteti në fundjavë dhe kalojnë pushimet tek vilat e tyre në bregdet apo jashtë shtetit, po i ndjek ankthi… Ata kanë humbur gjumin dhe flenë me qetësues. Shohin ëndrra të frikshme dhe në mëngjes zgjohen me sytë të buhavitur, me rrathë të zinj nga pagjumësia.

Ata po shohin ish-prokurorin Llalla që ka ngelur si ajo varka në mes të detit që rrihet nga dallgët dhe askush nuk e ndihmon, pikërisht atë që i ka ndihmuar aq shumë ata në moment të vështira.

Por ndodhi e kundërta. Tashmë secili mendon për kokën e vet… Populli thotë ‘çdo dhi varet nga këmbët e saj’.

Ata janë të kërcënuar dhe të zënë ngushtë. Po hapen shumë plagë. Ata që janë përzier në këto afera abuzime apo falsifikimeve të pronave janë zënë ngushtë si miu në çark.

Opozita edhe pse akuzon qeverinë për vjedhje dhe korrupsion nuk mund të dalë e larë pasi është e zhytur vetë në gjithë këtë mesele kur ajo ishte në pushtet apo në bashkëqeverisje dhe ka jo pak skandale që do të vijë ai çast i vështirë edhe për ta.

Dosjet e nxehta  të grabitjes së  pronave, CEZ, Gërdeci,  katër vrasjet e 21 janarit dhe shumë afera të tjera po i tërheqin prej hunde këta zullumqarë… Edhe  ekstardimi i ish bodigardit të Berishës  i ka bërë me dhimbje koke të gjithë ata që kanë dorë në atë skenar ogurzi.

Vilat hijerënda të zhyturanë luks ku dëgjohen vetëm lehjet e qenëve të fisëm të racave nga më të njohurat, që kalojnë sa nga njëra anë e vilës tek tjetra… Ata kërkojnë të zotët e këtyre vilave që ka shumë kohë që nuk vijnë aty.

Vilat në breg të liqenit pretendonin se banorët e tyre, deputetë, pushtetarë, ish pushtetarë kishin shkëlqimin, pastërtitë dhe ndershmërinë, të paktën kështu betoheshin banorët e tyre se punonin dhe shkriheshin për hallet e popullit.

Më pas mbylleshin brenda kangjellave të vilave ku dëgjohej trokëllitja e gotave të kristalta nën dritën vezulluese të shandanëve të artë. Por ata  sot  ndihen të vetmuar dhe të anatemuar në çdo bisedë dhe më tepër se kushdo këtë vetmi dhe ‘termeti’ që pritet të bjerë është ish- kryeprokurori Adriatik Llalla që atyre që iu shërbeu dje duke  ua fshehur dosjet nëpër sirtarë e kanë lënë në baltë, madje duke ia shitur lëkurën shumë lirë…

Kjo është jeta, nuk mund të jesh i lumtur dhe i qetë shpirtërisht me para të vjedhura dhe abuzime, se vjen një ditë që duhet  ta kalosh jetën me brenga apo në qeli, është një kosto që duhet ta paguajë secili zullumqar,  por dhe nëse je i varfër dhe i ndershëm të nesërmen të pret një shpresë… Tashmë ata i pret vuajtja dhe vetmia, ndërsa atyre që iu kanë vjedhur djersën u ka rilindur shpresa tek Vetingu se një ditë ky vend mund të bëhet…

 

 

Please follow and like us: