Albspirit

Media/News/Publishing

Petrit Ruka: NJË PEMË E MBJELLË, NJË PYLL ME FJALË

Image result for petrit ruka"

Petrit Ruka

 

Mbresa mbi librin “Studentët janë të vonuar” të Shpëtim Emirit.

 

Shpëtim Emiri, një djalë i mençur gjirokastre, futet vonë në letërsi përmes një ndrojtjeje të bukur që duket se e ka munduar prej një jete. Është frika e bukur dhe e përgjegjshme ndaj fjalës, njërës prej mjeshtërive më të vështira të kësaj bote, por dhe një prej tundimeve më të mëdha të njerëzve që e ndjenë se në shpirtin e tyre flenë bukuri të fshehta.

Bir i  një librashitësi të famshëm gjirokastrit që një zot e merr vesh se si ia doli mbanë të bëhet një personazh i njohur në gati tërë Shqipërinë vetëm prej mençurisë dhe humorit të tij brilant, i rritur midis librave që dynden mbi tërë vitet e moshës së tij nga shtëpia në librari, doemos që do shkonte një ditë drejt këtij tundimi marramendës.

Image result for shpetim emiri"

Babai i tij Alizot Emiri vazhdon të sundojë ende sot kujtimet e mijëra  njerëzve  që hynin si lexues në dyqanin e tij të vogël të mendjes dhe dilnin me magjinë e dashurisë për letërsinë, me buzagazin e meseleve të tij të mençura, thënieve brilante plot humor që nuk të ndaheshin më në jetë dhe që përhapeshin valë-valë përmes ‘botimeve’ më të suksesshme në botë, bisedave gojë më gojë, rrugë më rrugë e shtëpi më shtëpi.

Sprova e Shpëtim Emirit për të shkruar filloi pikërisht me këtë detyrim moral ndaj të atit, mbledhjes në një botim (me dy volume) të kësaj pasurie të çmuar që babai i tij kish lënë dhe, me sa duket, qëlloi e mbarë. Libri lexohet me një frymë dhe portreti i librashitësit të kudonjohur u rindërtua i plotë, i bukur e mbresëlënës. Një jetë e një portret i dashur që u bë kaq popullor pa kurrfarë pushteti veç atij të kulturës e mençurisë së tij të spikatur, një pushtet magjik prej një dyqani të stërmbushur plot libra shqip e në gjuhë të huaj, që ai i kish lexuar të gjitha. Ky dyqan i vogël ku hynë mijëra lexues të të gjitha moshave qe selia e tij, zyra e tij, “posti” i tij i vetëm në jetë me të cilin ai mbillte pasionin e paharrueshëm ndaj librit. Pikërisht me këtë portret e këtë jetë hyri në letërsi me sukses ndërtuesi i njohur, inxhinieri Shpëtim Emiri.

Image result for shpetim emiri"

Libri tjetër “Përmendorja e Munguar” qe një sukses i vërtetë për të dhe një sprovë se në dejet e tij kish fjetur prej dekadash fara e shkrimtarisë. Portreti i njërit prej personazheve të mëdhenj të heronjve të panjohur të Gjirokastrës, Doktor Labovitit, erdhi për herë të parë i plotë, rrezëllues, i mrekullueshëm në tërë madhështinë e tij falë një pune plot pasion dhe një talenti të spikatur, i vizatuar deri në detaje. Historia e tij gjysmë e fshehur, e pëshpëritur me gjysmë zëri u zbulua njëherë e mirë falë Shpëtimit, i cili i dha kështu historisë sonë një nga ngjarjet më dramatike e më njerëzore të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Doktori i famshëm, i studiuar në Graz të Austrisë, kish mundur të shpëtonte falë mendjes së tij brilante dhe gjermanishtes ekselente qindra jetë njerëzore dhe krejt qytetin e tij në ditën tragjike të 27 dhjetorit 1943.

Ngjarja e asaj dite në Sheshin e Çerçizit përballë nazistëve të pamëshirshëm, e denjë për një film rrëqethës hollivudian, e kishte bërë atë heroin e paharruar që priste një penë ta nxirrte nga terri në dritë. Shpëtim Emiri na dha kështu Schindler’s shqiptar, po aq të denjë sa heroi i filmit të famshëm  Schindler’s List, për të mos thënë edhe më madhështor e dramatik.

Me këtë libër të mrekullueshëm që nuk është thjesht një monografi por në kufijtë e një romani historik, Emiri tregoi se nuk kishte hyrë në letërsi pa përvojën e gjatë dhe pa talentin e lindur të rrëfimit, këtë bërthamë magjike që fati nuk ua jep bujarisht të gjithëve.

Dhe pas këtyre dy botimeve, si për të vijuar më tej nderimin për babanë kuturisi të futet në sinoret e humorit përmes poezisë satirike, njërës prej gjinive më të vështira të letërsisë. Provat e para kaluan me sukses dhe libri për të cilin po shkruaj sot ca mbresa është i treti i këtij lloji. Shpëtim Emiri e ka pagëzuar me titullin “Studentët janë të vonuar.”

Ky libër vjen pas dy librave të mëparshëm me poezi satirike  “Moj Gjirokastra pa vulë” dhe “Sot  ke qejf të vdesësh”. Që prej titullit ndjehet lehtësisht se udhën e sendërtimit e merr prej lëvizjes së bukur studentore të dhjetorit 2018 e cila, siç shkruan autori, “nisi të na ndryshojë jetën tonë shpirtërore dhe lindi shpresën për të ringjallur trupin e drobitur të Atdheut, mbushur plagë të mahisura krimi, korrupsioni, grabitjeje e padrejtësish”.

Image result for shpetim emiri, librat"

Libri vjen i freskët, mbushur me motive të jetës së përditshme të realitetit të sotshëm politik e social të Shqipërisë sonë që përpëlitet pafundësisht prej tranzicionit. I pamëshirshëm ndaj këtyre fenomeneve që frenojnë rrjedhën e jetës sonë normale demokratike, Shpëtim Emiri nxjerr armët e tij të humorit, përqeshjen, talljen, ironinë, ndaj “pellgjeve” plot baltë e llum korrupsioni të politikës, duke marrë misionin e një qytetari që atdheu i dhimbset thellë, si çdo zemre që është e mbushur plot me dashurinë e kulluar për të.

I shqetësuar për bjerrjen e arsimit shqiptar në vitet e përpëlitjes për të ndërtuar një shtet demokratik të vërtetë, Emiri e fshikullon hidhur këtë plagë të rëndë me pasoja të gjata lënguese për vendin

…Zot, o Zot,

ku kemi mbërritur,                                                                                                                                  

në ç’nivel shkolla është ngjitur,                                                                                                                        

kur e mbaron shkollën fare, 

lypset kurs për abetare!

Poezia “Suksesi i arsimit”

Edhe pse poezia satirike e tij lëshon humorin që shpesh quhet “humori i zi” lexuesi e ndjen sesi shpirti i krijuesit dhemb pas çdo vargu, e ndjen se pas së qeshurës së hidhur rënkon shpirti i një qytetari:

…Profesorët e vërtetë,                                                                                                                                          

shkencëtarë në rrallim,                                                                                                                                   

shteti i ka harruar krejt,                                                                                                                                                       

i nderon veç në varrim!

Poezia “Tituj -mania”.

Libri i tij i ri, edhe pse në zhanrin e satirës, i shtohet si një vlerë e shquar mungesës së poezisë sociale, e cila pas viteve ’90 është zbehur duke ia lënë hapësirën e saj poezisë lirike në Shqipëri. Mungesa e përkohshme e kësaj teme jetike është një shqetësim për poezinë shqipe, që me siguri do të kalojë dhe libra të tillë janë dëshmi e qartë se ajo veç është tërhequr e tulatur, por nuk është mposhtur. Praninë e saj e ndjejmë të fortë e plot nerv qytetar në këtë libër të ri të autorit gjirokastrit ndaj atyre fenomeneve me ndikim dramatik në jetën e një vendi, siç është lufta kundër korrupsionit, drogës, vegjetimit të drejtësisë për t’i mposhtur këto sëmundje vdekjeprurëse për një komb:

“Kapardisur bulevardit,                                                                                                                             

ujku, dhelpra dhe çakalli,                                                                                                                         

policia, vënë në ndjekje,                                                                                                                                   

kërkon gjurmë në majë mali”!

Poezia “Ndërrim vendesh”.

E figurshme, elegante në ligjërim dhe e mbarsur me mençurinë dhe lakonizmin filozofik të shprehjeve popullore poezia e Shpëtim Emirit të vë në mendime, të merr buzagazin, të trishton, të revolton, të bën aktiv dhe bashkëkrijues duke e lexuar, të mban në paslexim duke medituar. Shkurt, si gjithë arti i vërtetë jetik ajo të trazon shpirtin thellë. E çdo të donte më shumë nga poezia një lexues se sa trazimin e tij të brendshëm?!

Një pemë e mbjellë,

një pyll me fjalë,

një park i shkulur,

… lastar i tharë!

Poezia “Ekuilibër ekologjik”.

E mbaron së lexuari këtë libër dhe ndjehesh i mbushur me mendime e emocione. Ndjehesh i mbushur me ndjenja të trazuara. Ndjehesh falënderues ndaj autorit të tij që ka mundur të të mbush me këto shqetësime të bukura. Dhe kujtohesh e mendon një çast se delli i gazit të Alizotit pulson akoma në gjakun e të birit. Se një fill i hollë magjik dhe i padukshëm lidh atin me të birin, një fill nëpër të cilin pikon çdo ditë malli dhe mirënjohja për etërit, traditën, fëmijërinë, Gjirokastrën, vendin ku të ka rënë koka.

Dhe nuk të mbetet tjetër veçse të ndjehesh mirë e mirënjohës me Shpëtimin e ta kesh në buzë gati një faleminderit.

 

Tiranë, shtator 2019.

 

 

Please follow and like us: