Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Gjergji Mihallari

Image may contain: text

 

Nën qerpikë

 

Nën qerpikët e syve të tu

qëndrova.

Për një çast,

stuhia e shpirtit të trazuar,

errësoi qiellin,

dhe ndieva lotin të brerojë.

 

Shiu

 

Shoh një rrugë

të lagur,

pas shiut

bie në mendime.

Heshtja e saj

imiton

heshtjen time.

Rruga e zemëruar me shiun,

që ia pakësoi kalimtarët,

kështu dhe unë pa ty,

e ndjej veten

të huaj,

të largët.

 

Marrëzi

 

U zvedhën gjethet e blirit

nga vjeshta xheloze

Në zemrën time,

pak pluhur i zi.

 

Ritës

 

Letra u copëtuan rrugës

nga malli që bartnin,

lotët që njomin fjalët

bardhësinë e letrës hapin.

Malli i ndarjes po rritet,

nga dashuria e pathënë,

fytyrën ta ruaj në kujtesë,

si të porsadalën hënë.

Lulebora e ndjesisë,

që mbollëm dikur në shkreti

të pret me ankthin e vyshkjes

së gjetheve

të vish

të vish edhe ti.

 

Antitezë

 

Sa afër jemi,

sa larg,

ne heshtin si statuja shekullore,

zbuluar prej thellësish.

Pluhuri-trishtim i thërmuar,

këmbanë e gëzimit,

skutave të shpirtit të harruar.

Dielli

si portokall,

varrur në bredhin e Krishtlindjeve,

një relikë e botës së vjetër.

Sa afër,

dhe sa larg

jemi.

Unë zhgaravis,

një varg,

një mall,

një dert.

Ti

hesht!…

 

 

Please follow and like us: