Albspirit

Media/News/Publishing

Emina Çunmulaj dhe Fadil Berisha promovojnë artisten tetovare në Amerikë

Dyshja e shqiptarëve të famshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk lenë artist pa promovuar në çdo hapësirë që u jepet. Rasti i fundit është me piktoren shqiptare të Maqedonisë Besa Dauti, e cila nesër do të çel ekspozitën “Besa’s Roses” (Trëndafilat e Besës) në New York. Janë dy veprimtari të njëpasnjëshme në MC Gallery dhe në studion e të mirënjohurit Fadil Berisha në New York. Besa shprehet e emocionuar rreth ekspozitës: “Është një ngjarje e veçantë sepse jam përballë një artdashësi që i prezantohet për herë të parë arti im. Jam e privilegjuar dhe shumë e kënaqur me reagimin nga këto ditë që jemi këtu në MC Gallery dhe ekspozita do të çelet nesër në datë 20 dhjetor në studion e të mirënjohurit Fadil Berisha, të cilin gjej rastin t’a falënderoj përzemërsisht”, thotë piktorja.

Suksesi i artistes së talentuar tetovare Besa Dauti këtë herë ka kapërcyer atlantikun. Në vijimësi të ekspozitave me piktura, ku si gjithmonë motiv është trëndafili, për herë të parë ato do të prekin tokën amerikane. Besa’s Roses, është quajtur kjo ekspozitë ku teknika, stili, larmishmëria e ngjyrave të harmonizuara në mënyrë profesionale, do jenë qershia mbi tortë në ngjyrat e fundvitit. Aktiviteti artistik i Besës vijon të jetë një sukses i garantuar, ku në çdo ekspozitë krijohet një ndjesi e fortë me pikturat realiste duke konkurruar denjësisht në nivelet më të larta.

Pritshmëritë janë të larta duke konsideruar dhe interesin e shfaqur në ditët e para ndaj ekspozitës. Mbështetje kanë dhënë shumë shqiptarë të suksesshëm në New York, si Emina Çunmulaj, e cila jep suportin e saj nëpërmjet një video-mesazhi, duke vlerësuar maksimalisht punën e Besës. Kulmimi i aktivitetit do të jetë në datën 20 dhjetor në ekspozitën  e dytë në studion e Fadil Berishës. Pritet me interes duke konsideruar cilësinë dhe përkushtimin me të cilin autorja prezantohet në punimet e saj. Interesi ka qenë i madh nga diaspora shqiptare, por jo vetëm. Ashtu sikurse arti i Besës që kalon çdo kufij fizik dhe profesional edhe pranueshmëria është kthyer në një mënyrë të tillë./revista class/

Please follow and like us: