Guxim Alimani: Një tjetër Thumanë po i kanoset Tropojës
Paralajmërim alarmues për pushtetin qendror
Tërmeti i 26 Nëntorit duhet të na kthjellojë jo vetëm në zonat e dëmtuara e me pasoja, por për përvijimin e një strategjie kombëtare evidentimi e kontrolli rigoroz në ndërtimet ekzistuese. Tropoja, një trevë ku tërmeti nuk dha pasoja të ndjeshme, pas kontrollit të ngritur nga Bashkia dhe Prefektura, rrezikon një qytet ku jo një tërmet i kësaj grade, por dhe një dëborë normale mund të shkaktojë një tragjedi humane.
Në qendër të qytetit ndodhen dy ndërtesa të ngritura që në vitet ’50 kur u ndërtua dhe ky qytet të cilat nga momenti në moment pritet të shemben duke rrezikuar jetën e disa familjeve të strehuara prej kohësh aty.
Fotot e sotme flasin vetë dhe sinjali “SOS” tashmë është lëshuar. Nuk nevojitet një tërmet, por thjeshtë një dëborë normale dimërore të rrezikojë dhjetëra persona, mes tyre 18 fëmijë që banojnë këto dy godina.
Bashkia Tropojë duke qenë se nuk disponon mundësi reale strehimi ka negociuar me pronarët që kanë në pronësi godinat që së bashku provizorisht të mundësojnë largimin e banorëve të vobektë dhe njëfarë rimbursimi modest qeraje, deri në një stabilizim përfundimtar të tyre me ndërhyrjen e Këshillit të Ministrave.
Ky rast është ekstrem dhe parandalimi i një Thumane nr.2 është përgjegjësi njerëzore e shtetërore!