Halil RAMA: Bujar Kapexhiu dhe Folk Alb “Hazis Ndreu” tek arbëreshët e Italisë
Ansambli Folk Alb “Hazis Ndreu”, së shpejti do të marrë pjesë në një eveniment të rëndësishëm tek arbëreshët e Italisë, nën kujdesin e Presidentit të Republikës, në javën e kulturës arbëreshe
Vlerat dhe madhështia e një personaliteti publik konsistojnë para së gjithash në marrëdhënjet me njerëz të moshave e profesionave të ndryshme, nga më të vegjlit e deri tek më të moshuarit. Tek respekti dhe admirimi i tyre. Më së miri këto mishërohen në veprimtarinë e artistit të mirënjohur Bujar Kapexhiu, të cilit këtë vit iu shtua edhe dekorata e lartë “Nderi i Kombit”, akorduar nga Presindeti i Republikës Ilir Meta.
E kemi parë aktorin e shumë roleve në disa filma shqiptare, edhe si regjisor, edhe si moderator spektaklesh, edhe si skenarist, karikaturist, edhe në juri të ndryshme festivalesh dhe emisionesh radiotelevizive, por edhe si basketbollist ne rininë e tij të herëshme. Të gjithë e njohin këtë personazh shumëdimensional. Por ajo që e dallin nga të tjerët është karakteri shumë popullor i Bujar Kapexhiut.
Nëse në jurinë e spektaklit “Në kurthin e Piter Pan” të Tv Klan , Kapexhiu jep verdiktin e tij për fëmijën më të talentuar, këtë nuk nguron ta bëjë edhe për një shafqje festive të Ansmablit Artistik “Folk Alb” të Kamzës, që këto ditë u pagëzua me emrin e “Artistit të Merituar” Hazis Ndreu – “Mjeshtër i Madh”, i cili nderohet e kujtohet si ikonë e artit dhe kulturës kombëtare.
Në nderim të kujtimit për mikun e tij të hershëm, i cili për dekada të tëra ka mrekulluar artdashësit tanë e ata të huaj (në festivalet ndërkombëtare në Moskë, Kajro, Stamboll e Prishtinë) me këngët, rapsoditë e kërcimet e tij, Prof.dr.Bujar Kapexhiu ka forcuar miqësinë me ata që po trashëgojnë vlerat e një artisti e shkrimtari që e futi Historinë e Dibrës në shina të sigurta për të ecur me dinjitet në fushën e madhe të Historisë sonë Kombëtare. Ndaj nuk është rastësi që në përgatitjet dhe konkurimet brenda e jashtë vendit të Ansamblit Folk Alb “Hazis Ndreu”, të themeluar e drejtuar nga i biri i tij, koreografi i talentuar Avni Ndreu dhe mbesa, Earta Ndreu, të jetë i pranishëm edhe Bujar Kapexhiu. Autori i librit “Burri i odës dibrane”, njëherësh skenarist dhe regjisor i spektaklit me të njejtin titull në 90-vjetorin e lindjes së Hazis Ndreut, prej vitesh ndjek nga afër edhe veprimtarinë e Ansamblit Folk Alb të bashkisë Kamëz. Ndjen krenari për sukseset e këtij ansambli, që këtë vit u nderua me çmime të para në Festivalin “Kënga dhe vallja na bashkoi” në Plavë dhe Guci; në Festivalin Folk-Fest në Shkup, në Festivalin “Kënga jehon” në Strugë, në Festivalin Ana-Drinit, Rahovec si dhe në Festivalin Ndërkombëtar të Fëmijëve në Stamboll. Po ashtu mori pjesë dhe u vlerësua shkëlqyër në Fest-Folk në Buzgan, Rumani. Pas këtyre sukseseve ata performuan me nivel të lartë artistik në takimin festiv me rastin e festave të fundvitit në Pallatin e Kulturës Kamëz. Ndaj dhe duke shfaqur krenari të rrallë, Kapexhiu veçoi vlerat e rralla që mbart programi i këtij ansambli, buqetën me këngë e valle të interpretuara mjeshtërisht prej artistëve amatorë, nga mosha paraashkollore deri maturantë të shkëlqyer. Këto vlera do të evidentoheshin më së miri nga Presidenti i këtij Ansambli, z.Muharrem Gjoka. Vetëm para një muaj, në 70-vjetorin e Ansamblit “Kuvendi”, Zall Dardhë, Muharremi do të spikaste si kryesori në vallen epike të burrave të kësaj krahine, i karakterizuar nga forca, burrëria, trimëria, karakteri luftarak, madhështia etj.
Pasi vlerëson repertorin e Ansamblit Folk Alb “Hazis Ndreu”, Presidenti Gjoka thotë se brenda elementit kombëtar, vallet e këtij ansambli kanë mjaft veçori krahinore. Si një ekspert shumëvlerësh ai pohon se veçantia e valleve vërehet në motivet, formacionin dhe trajtën. Në këtë aspekt ai vlerësoi vallen me motive të Jugut të kërcyer aq mjeshtërisht nga grupi i fëmijëve të vegjël, vallen me motive të Matit, si dhe ato me motive arbëreshe e nga Tropoja, të luajtura me vyrtuozitet nga grupi prej më se 30 kërcimtarësh, djem e vajza të rritura, ku veçon si më të mirët: kompozitorin Xhelil Imeraj, administratoren Earta Ndreu, asistent koreografen Erida Statana, njëherësh valltare dhe këngëtare shumë e tralentuar si dhe këngëtarin Zaim Tollja. Mbresëlënës qe edhe një zë i veçantë i vokalit shqiptar, tenori Dardan Pepkolaj, i cili ka kënduar në dhjetra skena, por dhe në stadium kur kombëtarja jonë ka zbritur në fushë. Valltarët e këtij ansambli sollën para publikut, në mënyrë origjinale një dasëm tiranase si dhe vallen tropojane nën ritmet e këngës “Kuq e zi”. Muharrem Gjoka që i ka mbështetur me shumë dashuri të gjitha aktivitetet e këtij ansambli, njeri human dhe me zëmer të madhe, por dhe veteran i folklorit, me modesti falenderon dhe kontributorët tjerë në këtë ansambël, bashkinë Kamëz e veçanërisht nënkryetarin, avokat Hasan Bara si dhe gazetarin e mirënjohur sportiv, njëherësh moderator i dhjetra veprimtarive, spektakleve e promovimeve, Defrim Methasani..
Siç u bë e ditur në këtë takim festiv, Ansambli Folk Alb “Hazis Ndreu”, së shpejti do të marrë pjesë në një eveniment të rëndësishëm tek arbëreshët e Italisë, nën kujdesin e Presidentit të Republikës, në javën e kulturës arbëreshe.