Albspirit

Media/News/Publishing

Silvana Begaj: Shqipëria 2019!

Image may contain: Silvana Begaj, indoor
Satirë

Edhe një vit iku, por nuk ishte vit si çdo vit! Ëndrra e madhe e shqiptarëve të shkojnë pa viza në Serbi u realizua. Negociatat i hapëm dhe s’ka rëndësi me cilat shtete.
Zhvillimi ekonomik nuk di të ndalet, s’ka rëndësi në rënie apo në ngritje.
Shëndetësia, sistemi, kushtet, kanë habitur dynjanë.
Sistemi social i 2019 është shembull që po përpiqen të na i kopjojnë dhe vendet e zhvilluara, por vështirë se mund ta arrijnë. Reformat arsimore kanë bërë shkollat tona pothuajse të përkryera.
Korrupsioni është inekzistent, problemi i popullit që nuk e kupton kuptimin e shprehjes: Çfarë është e Çezarit është e Çezarit.
Rrugët janë rregulluar dhe mirëmbahen sistematikisht, s’ka rëndësi që të dhembin veshkat në udhëtimet me makinë.
Krimi? Çfarë domethënie ka krim? Sa njerëz të pakënaqur paskemi qenë! Në Siri po vriten me mijëra, kurse në Shqipëri thjesht me dhjetëra dhe ne përsëri kemi gojë dhe ankohemi.
Gjithë 2019 ka qenë me njerëz të buzëqeshur nëpër rrugë. Parajsë!
SPAK u bë ashtu si e prisnim. As këtë herë nuk na befasuan dot!
Aq dakort jemi me njëri-tjetrin sa pushtetin e kemi lënë me mirëbesim dhe vullnet të plotë në dorë të një njeriu të vetëm!
Fryma miqësore për biznes ka bërë që firmat më të mëdha të botës të synojnë tregun shqiptar.
Po kthehen të ikurit, ata syplasurit që nuk dinë çfarë bëhet po rikthehen në parajsën-Shqipëri. Nuk synohet më jeta “jashtë shtetit”.
Opozita jonë e vitit të suksesshëm 2019 është: ‘Kanë dalë plakat në lëmë, qaj nëno, qaj moj nënë’. S’kanë faj! Ka rënë tërmet!
Pozita e vitit të suksesshëm 2019 është: ‘Bir Selman i nënës o, kë të qaj më parë’.
Nejse, tërmeti bëri që të ndiheshim përsëri krenarë që jemi shqiptarë sepse Shqipëria e Veriut, Kosova erdhi e para për të qenë në krahun tonë dhe ne e falenderuam duke e lënë jashtë ‘Shengenit ballkanik’.
Në pemën e vitit të ri në mbyllje të 2019 do të kemi zbukurime Gucci, LV, Valentino etj. Jemi vend luksi dhe ishte vit luksoz.
Ah se harrova rininë! Atë rini që po ngre zërin për kauzat e padrejta dhe po vë para përgjegjësisë këdo që përpiqet të bëjë të mbrapsht dhe të baltosi vitin e përkryer 2019!
Por rëndësi ka që jemi krenarë që jemi shqiptarë dhe kam ditë që vras mendjen: Arilena apo Elvana dhe bëj thirrje të ngrihemi për këtë kauzë mbarëkombëtare. Ç’rëndësi ka tërmeti, ku shkuan fondet, liria e medias apo që nuk po plotësojmë dot kushtet për hapjen e negociatave.
O zot na jep një 2020 me më pak të mira se 2019!

Please follow and like us: