Një dekadë e ndjekjeve penale ndaj shqiptarëve, për shkak të flamurit të tyre kombëtar
Qeveria e MZ duhet të shqyrtojë mundësinë e kompensimit material të gjithë atyre që janë gjobitur për shkak të flamurit shqiptar
Nga Xheladin Zeneli
Me 27 Dhjetor 2019 Kuvendi i Malit të Zi miratoi projekt-Ligjin për Simbolet Kombëtare. Njoftohet në media gjithashtu se me miratimin e këtij Ligji njëherit u bë edhe harmonizmi i shumëpritur i tij me Ligjin për Rendin dhe Qetësinë, konkretisht u bë anulimi i nenit famëkeq 23 të tij. Siç dihet ,ishte pra ky nen i këtij Ligji në bazë të cilit shqiptarët në Mal të Zi merrnin dënime.Ligji për Rendin dhe Qetësinë është në fuqi që nga viti 2011 kur është aprovuar nga Kuvendi i Malit të Zi. Pra rreth afër një dekade , shqiptarët janë dënuar dhe gjobitur nga ana e e organeve të sigurimit të Ministrisë së Brendshme të Malit të Zi për shkak të Ligjit për Rendin dhe Qetësinë.Poashtu gjatë gjithë kësaj kohe është pritur harmonizimi i këtyre dy ligjeve me qëllim që të eliminohen pengesat ligjore lidhur me përdorimi i flamurit shqiptar në Mal të Zi.
Ju rikujtojmë se një ndër hipokrizitë e paprecedente e këtyre dy ligjeve ishte fakti se flamuri shqiptar i cili valon në ndërtesat e organeve të qeverisjes lokale në vendbanimet (komunat) me shumicë shqiptare me rastin e festave të tyre kombëtare, sipas Ligjit për Përdorimin e Simboleve Kombëtare,konsiderohej si “simbol i popullit pakicë”,në shtetin ku ata jetojnë. Kurse përdorimi i të njëjtit flamur nga një qytetar privat shqiptar në një vend publik( qofshin ato me qëllim festimi apo përdorime individuale),sipas Ligjit për Rendin dhe Qetësinë ,konsiderohej si flamur i një “shteti tjetër” (!?).
Pra ishte neni 23 i këtij Ligji që ia mundësonte MPB-së dhe organeve të sigurimit të saj , ndjekjen dhe penalizimin e atyre që në raste të ndryshme shpalonin flamurin shqiptar.
Gjatë 9 viteve të fundit, pra nga viti 2011 kur hyri në fuqi Ligji për Rendin e Qetësinë, e kanë pësuar një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve, qofshin ata afaristë apo pronar të lokaleve, nxënës të shkollave, sportistë apo simpatizues të thjeshtë të Kombëtares së Shqipërisë, shoqata dhe aktivistë të ndryshëm etj. të cilët janë ndjekur penalisht dhe janë gjobitur nga organet e sigurimit vetëm se kanë valvitur flamurin shqiptarë si simbol i identitetit të tyre kombëtar.
Për hir të argumentit, ti rikujtojmë ( në mënyrë kronologjike )shumicën e ngjarjeve të kësaj dekade që patën si pasojë ndjekjen e organeve të MPB-së , të prokurorisë apo të organeve të tjera shtetërore të Malit të Zi:
1)Ministria e Arsimit dhe Sportit të Malit të Zi, në vitin 2012 akuzuan udhëheqësinë e gjimnazit ” 25 Maji” në Tuz se ka “thyer ligjin për pëdorimin e simboleve kombëtare pasi ajo ka lejuar nxënësve që me 28 Nëntor në sallën e shkollës të festojnë 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë”;
2)Mësimdhënësit e SHF “Bedri Elezaga” në Katërkollë, paralelja e ndarë në Krythë me datën 26 nëntor 2012 janë marrë në bisedë nga inspektori i arsimit . Shkas i bisedës ishte se me rastin e organizimit të një programi artistik me datën 20 nëntor 2012, nxënësit kanë valvitur flamurin shqiptar në lokalet e shkollës ,ku sipas inspektorit është vepruar në mënyrë “kundër ligjore”;
3)Poashtu në vitin 2012, një ditë pas festës së 28 Nëntorit,kemi rastin e marrjes në polici të nxënësve të shkollës së mesme “Vëllazërim-Bashkim” në Ulqin për shkak se kanë kënduar këngën “Xhamadani vija-vija, asht Kosova, asht Shqipnija” dhe me këtë rast kanë shpalosur flamurin kombëtar shqiptar në lokalet e kësaj shkolle;
5)Në vitin 2015, valvitja e flamurit shqiptar nga ana e maturantëve nga Tirana të cilët ishin në ekskurzion në qytetin Budva të Malit të Zi, nxiti ragimin dhe ndërhyrjen e policisë malazeze;
6)Pengesa dhe reagime kundër përdorimit të flamurit shqiptar pati me rastin e valvitjes së këtij flamuri nga ana e pjesëtarëve të Shoqatës së Bjeshkatarëve ” Rumia” dhe pjesëtarëve të shoqatave të tjera të cilat ishin pjsëmarrëse në ekspeditën tradicionale që u organizu në malin e Rumisë në Qershor të vitit 2015;
7)Pronari i ” Allaj Company” në Ulqin, u dënua me €1500 euro me akuzën se në vitin 2015, mysafirët e lokalit të tij (“Shisha Bar”), në shenjë përkrahje për ekipin kombëtar të futbollit të Shqipërisë,kishin shpalosur flamurin shqiptar, që një ligj i Malit të Zi e quan flamuri i një ” shteti tjetër”;
8)Në muajin Qershor të vitit 2016, katër shtetas shqiptarë që ishin duke u kthyer nga Kampionati Europian në Francë, u ndaluan në Budva të Malit të Zi, me ç’rast u gjobitën €250 euro për shkak se në automobilin e tyre e kishin të vendosur flamurin shqiptar, apo flamurin e një ” shteti tjetër”, gjithënjë sipas akuzave të organeve policore ;
9)Policia malazeze me 14 qershor 2017 paraqitet para shtëpisë së z. Xhemal Nikaj me urdhër për të hequr flamurin shqiptar nga shtëpia e tij në fshatin Dinoshë të Malësisë, por një gjë e tillë u refuzua nga familjarët;
10)Në Maj 2017 ngrehet padi penale ndaj KF” Otrant Olimpik” nga ana e Federatës së Futbollit të Malit të Zi për shkak të shpalosjes së flamurit shqiptar në tribunën e stadiumit në Ulqin nga simpatizuasit e këtij klubi;
11)Ndalimi i qytetarit të përkatësisë shqiptare në Ulqin nga ana policisë, me 28 Nëntor 2018 (pra në ditën e Festës Kombëtare të Shqiptarëve),për shkak se ai kishte stolisur automobilin e tij me dy flamuj shqiptar, me ç’rast u detyrua të paguajë gjobitjen monetare;
12)Ministria e Kulturës së Malit të Zi paralajmëroi se do të ngrejë aktpadi ndaj organizatorëve të manifestimit
Logut të Zojës Grudës, në Tërgajë (Malësi) që u mbajt në fund të Gushtit 2019, me arsyetimin se nuk është përdorur edhe flamuri i Malit të Zi krahas atij shqiptar;
13)Organet e sigurimit dhe të gjykatës së Malit të Zi dënuan me gjobë aktivistin dhe sportistin e dalluar nga Shkodra, Irfan Domnori si dhe ndalimin e hyrjes së tij ,për një muaj,në Mal të Zi , për shkak të valvitjes së flamurit shqiptar në manifestimin “ Dita e Gështenjës” që u mbajt në Ostros të Krajës me 16 Nëntor 2019.
Tani pasi që është njoftuar heqja (anulimi) i nenit 23 të Ligjit për Rendin dhe Qetësinë i cili ishte anti kushtetues si dhe duke pasur parasysh faktin se në bazë këtij neni një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve për shkak të shpalosjes (përdorimit) publik të flamurit të tyre kombëtar ,e pësuan në mënyrë financiare dhe rënë viktimë e keqtrajtimeve të padrejta nga ana e MPB-së së Malit të Zi, do të ishte e arsyeshme dhe e drejtë që qeveria e këtij shteti në mënyrë retro-aktive të shqyrtonte mundësin e kompenzimit material e të gjithë atyre të cilët janë gjobitur gjatë kohës që ishte në fuqi neni i Ligjit të lartpërmendur,pra të bëhet kthimi i shumës së gjobitjeve financiare.
Në shumë vende demokratike kur si pasojë e ndonjë ligji egzistues iu bëhet ndonjë e padrejtë qyetarëve të tyre dhe pas një kohe të caktuar bëhet ndryshimi i të njëjtit ligj, atëherë qeveria e atij shteti merr përgjegjësinë mbi vehte dhe shqyrton mundësinë e kompensimit material apo dëm-shpërblimit ndaj të gjithë atyre që e kanë pësuar në një mënyrë apo tjetër nga vendimet e mëparshme ligjore.Kjo do të ishte veprimi më e vogël që Mali i Zi do të duhej të bënte në këtë drejtim.
Megjithate, edhe pse Mali i Zi e konsideron vehten shtet demokratik, pa ndikim të ndonjë faktori të jashtëm apo ndërkombëtar jo vetëm që do të jetë e vështirë ,por shanset që të ndodh një kompensim ( dëm-shpërblim) i tillë janë të barabartë me zero.
Sidoqoftë, dekada dytë të shekullit 21 , që sapo përfundoi, do mbahet mend si dekadë e mohimit të një prej të drejtave elementare të shqiptarëve nga ana e shtetit të Malit të Zi, pra të drejtën e përdorimit të pakufizuar e simbolit të tyre kombëtar, të drejtën e plotë e përdorimit të flamurit shqiptar.