Albspirit

Media/News/Publishing

Ymer Çiraku: Poeti, përkthyesi dhe publicisti Llambro Ruci 

 Image result for ymer ciraku"

Fjala e mbajtur në një ceremoni përkujtimore kushtuar aktivitetit letrar të Llamro Rucit (1946 -2018).

 

 

                                                                                

Është rasti i botimit – në një varianti të ri përkthimi, i një prej kryeveprave të letërsisë botërore: “Iliada” e Homerit, që jemi mbledhur, me pengun e përkujtimit për mikun tonë të paharruar: poetin, përkthyesin dhe publicistin e njohur e të talentuar Llambro Ruci.

Nuk është thjesht dhe vetëm shkak i ritmeve të çpenguara, deri në një lloj konfuzioni i kohëve të jetës së sotme urbane që jetojmë – fakti që, kur dikush, i njoftuar të jetë i pranishëm në këtë ceremoni përkujtimore, nuk kishte dijeni dhe mbeti i shtangur nga lajmi për ndarjen nga jeta të Llambros, këtu e një vit e ca më parë. Përveç të tjerave, kjo sigurisht, që e dëshmon edhe mospajtimin tonë për ikjen e njerëzve të tillë të letrave, që vërtet kanë bërë shumë, por që kishin akoma jetë, kishin akoma talentin dhe energjinë, për të vazhduar selitjen e veprave të reja, të cilat do të vijonin komunikimin me lexuesin e tyre.

Por njerëzit e letrave, kanë privilegjin e tyre të veçantë. Sepse vazhdon të përcillet komunikimi i veprave të tyre me njerëzit dhe kjo, sikur e bën të papërfillshëm faktin e largimit veçse fizik të tyre, prej kësaj jete.

Unë besoj se Llambro Ruci, me veprën që krijoi, në poezi, përkthime, publiçistikë, na ka lënë një shteg të vetin drite, madje të dukur e të feksur mirë, si domethënie metaforike e vet emrit të tij, që nënkupton llamburitjen, përndritjen.

Djali i bregut të bukur jonian, ishte mëkuar dhe e mbarti tërë jetën e tij dinjitetin e spikatur karakterial, miqësinë besnike për miqtë dhe shokët, krenarinë dhe mospajtimin me pokeritë e llogarive meskine, e po ashtu, shfaqi përgjërimin e sinqertë përpara bukurive të detit dhe perlave të shpirtit të njerëzve – të cilat, pastaj atij ia kishte ënda, që t’i derdhte në vargjet poetike.

Ja një akuarel i bukur, endur mjeshtërisht, në poezinë  e titulluar “Mëngjes me Van Gogun”:

Gratë shkundin çarçafët si skajet e brigjeve

e lulet bien në prehrin e rrugicave e njerëzve,

çarçafët me aromat e pjeshkës, rrushit, luleshtogut,

mbushur me të kuqen, të bardhën, blunë e kafen

e Vinsent van Gogut.

Si punon dy vjet elektriçist në hidrocentralin e Bistricës, kryen studimet në degën e gazetarisë. Prej kësaj kohe, për disa vite do të jetë redaktor në revistën Nëntori, pastaj do të kalojë në disa organe letrare e gazeta të tjera si: kryeredaktor në revistat: Ylli, Arbër, Art, në gazetën Drita, Zëri i popullit (ku boton edhe suplementin letrar “ABC”).

Llambro Ruci është autor i një vargu përmbledhjesh me poezi, duke nisur qysh nga libri i parë poetik Jam elektriçist (1967) e deri te ai më i fundit: Dikur deti (2011), duke iu rikthyer nga libri në libër, si ai detari i vjetër pas udhëtimesh të gjata, Itakës së vet, pra, motivit aq substancial e frekuent të detit – me blunë e thellë e smeraldin jonian, ku derdhen edhe hijet e rënda epike të shpateve të thepisura të maleve të Vetëtimës e të Çikës. Në brigjet e detit, endet me dhimbje dhe delikatesë vajza e bukur e valëve – kurse në shpatullat e maleve, qëndrojnë si në bedena, bijtë e Labërisë. Kjo marrëdhënie e ndërsjelltë, mes detit e malit, para së gjithash si substrat homogjen etno-kulturor, ndihet në mënyrë ciklike në shumë krijime poetike, sigurisht, jo me tone retorike e deklamative, por si një raport natyral, ku harmonizohen nuancat specifike të tyre, por që krijojnë ndërkaq mozaikun e bukur – të së përbashkësës së kahmotshme mes tyre.

Mbleksja dhe tretja e bukur estetike e motiveve të detit dhe atyre të malit, është mjaft e pranishme në poezinë e këtij autori.

Shkel nëpër fshat e vilet e rrushit

Përplasen si deshtë nëpër stane…

shkruan poeti me një vezullim të beftë detaro – baritor, në poezinë Vjeshtë në Dhërmi. Këtë univers vlerash të ndërlidhura natyralisht, ai e ka vrejtur dhe e ka ndjerë edhe në lirikat popullore të asaj zone, prej nga edhe ka marrë shpesh shtysat e frymëzimit. Madje, në një nga librat e tij, sikundër është ai me titull: Himara, zëra e Akrokerauneve (me rrëfime, përshkrime, dokumente) – 2011, autori ka përfshirë këtu edhe një cikël të gjerë me këngë popullore të titulluar: Kënga himariote, ku qysh në krye, vë shënimin e tij autorial:

Këto këngë himarjote, i kam zgjedhur kur punoja në revistën “Nëntori”, për një studim për figuracionin e këngës popullore, por edhe në se janë përzier me krahinat përqark, prap nuk besoj se është ndonjë faj, përderisa ato (krahina Y. Ç) dikur përfshiheshin në provincën e Himarës. Bukuria dhe hijeshia e këngës lirike himarjote, është e pashembullt, me thjeshtësinë e komunikimit, fjalën e kursyer, figuracionin magjepsës dhe dridhjet e trazimet shpirtërore të dehur nga kaltërsia, tejdukshmëria dhe dashuria. Çdo koment do të ishte i tepërt para dritës së këtyre këngëve…”.

Në të tetë përmbledhjet poetike, si dhe në mjaft cikle të tjera, që i botoi nëper vite të ndryshme, në revista e gazeta letrare, Llambro Ruci shfaqi një profil të vetin, të cilit i qëndroi besnik – si shenjë kjo origjinaliteti. Është një poezi e prirjes së peizazhit, buruar prej motiveve të natyrës, ku përthyhet natyrisht “peizazhi” i shpirtit të njeriut, brenda një spektri të larmishëm dhe një spiraleje estetike me kahje aspak statike. Kjo poezi, mund të thuhet, se ka shumë dritë e shumë ajër, që shkon në simetri me tonet gjallëronjëse të tablove jetësore të përshkruara. Ato nuk kanë shkëlqimin zbukurues prej ideve të jashtme, por kanë para së gjithash besoj: ngjyrën, hapësirën, horizontin, melosin, klorofilën e detit jonian, të ullishtave, të cfakës e të fyejve e longareve të maleve. Kanë aromën e qëlluar bukur të historisë dhe të bashkëkohësisë sonë.

Llambo Ruci e ka patur pjesë të pandarë të krijimtarisë së tij edhe përkthimin në shqip të mjaft veprave, kryesisht nga letërsia greke. Ka përkthyer nga letërsia antike greke mjaft vepra si psh krijime të Homerit, Safos, por edhe të autorëve të traditës letrare më të vonshme, si dhe ata të bashkëkohësisë. Mes tyre, mund të përmenden përkthimet nga poezia e Kostandin Kavafis, Odisea Elitis, Janis Ricos, Renos Apostolidis, Nikos Engonopulos etj. Sidomos përkthimi i vepave të botës antike si Iliada dhe Odisea të Homerit, janë punë jete, të përballura me shumë mund – për t`iu siguruar atyre zërin dhe frymën e magjishme në gjuhën shqipe. Këto përkthime, të realizuara sistematikisht në shumë vite prej këtij autori, kanë përcjellë gjithashtu edhe një kumt kulturor mes dy popujve, jo vetëm si më të lashtët e Ballkanit, por që përmes shekujve, kanë përjetuar mes tyre, histori dhe realitete lidhjesh mjaft të thella.

Në interesat e Llambros nuk kanë munguar edhe mbledhja dhe hulumtimet në dokumente që lidhen me historinë, me folklorin, sidomos ato që lidhen me vendlindjen e tij, Himarën. Që në krye të njërit nga librat e tij, me modesti, i rrëfehet lexuesit se nuk është historian, por se dëshiron që të shmangen keqkuptimet dhe deformimet, që shpesh i janë bërë kësaj krahine të Shqipërisë. Nuk merr përsipër të bëjë definicione, por rendit vargun e pasur të dokumenteve, qofshin historike, apo të natyrës zakonore e folklorike. Dhe ato flasin vet, si psh vendosja qysh në faqet e para të librit e letrës autentike të Pleqësisë Krahinore të Himarës, drejtuar Ismail Qemalit, pak kohë pas krijimit të qeverisë së drejtuar prej tij, ku ata së toku, i dëshmojnë atij se në mbledhjen e tyre, kanë dhënë besën për shpëtimnë e mëmëdheut.

Autori i librit, e thekson bukur metaforikisht, se janë mermerëzuar edhe në shumë këngë popullore himariote, këto lidhje vëllazërore, që janë edhe dëshmia më e autoritetshme, që e përcjell këtë realitet të pandarë – mes visesh e krahinash shqiptare.

Dhe përfshihen këtu psh vargje, ku populli këndon:

E sa herë kamte hallë

Më ndihn` burrat me pallë

Burrat në Akroqeraunë

Dhe prapa malit mat`anë…

Dhe siç shkruan më tej autori i librit, kjo lidhje vëllazërore, vjen që nga Gjergj Kastrioti – gjer te Gjoleka dhe kjo, për shkak të ndërgjegjes së përbashkët për liri, pavarësisht nga forcat ushtarake dhe politike të fuqive të mëdha që shkelnin.

Dhe kjo, shprehet qartazi po ashtu në një këngë për Gjolekën e Kurveleshit:

Gjolekë t’u zu shtegu:

-Mua të më rrojë Bregu,

Të më rrojë miqësia,

Shtëpitë janë të miat.

Të më rrojë Bregu i Detit

Muri i gjithë vilajetit…

Sikundër vrehet edhe në këta vargje, vet populli e ka vulosur me dekretin e vullnetit të shpirtit të tij, statusin e këtij muri të paepur, të lidhjeve e të qëndresës, kudo ku ai jetonte.

Një nga libra e viteve të fundit të këtij autori, me poezi, me përkthime dhe esè, mban titullin: Pëshpërima për vete dhe për të tjerët. Pa dukje, në mënyrë shumë të sinqertë, Llambro Ruci, përmes këtij titulli libri (Pëshpërima…), dëshmon edhe njëherë qartazi, natyrën e tij njerëzore: modestinë – do të thoshja prekëse, që sot nuk ndeshet aq shumë në mjediset tona. Sepse është bërë një vyrtyt fort i rrallë. Por, përkundër shpalljes autoriale të tyre si pëshpërima, do të shprehesha i sigurt, se e gjithë kjo bibliotekë, e lënë pas nga Llambro Ruci, është një zë fort i dëgjueshëm e fort i dallueshëm dhe i çmueshëm, që do të ndihet gjatë, ashtu si melodia e valëve të pandalura të Jonit, në brigjet e Drimadhes së tij të dashur.

Image result for llambro ruci"

Image result for llambro ruci"

Image result for llambro ruci"

Image result for llambro ruci"

Please follow and like us: