Viktor Hygo: Të uroj!
Të uroj më së pari të duash
E duke dashur do të të duan edhe ty
Dhe ata që s’të duan, harroji
E përtej harrimit,
Grindjet e vjetra kurrë të mos i kujtosh.
Të uroj të vazhdosh të duash pa u dëshpëruar
Të uroj që edhe sikur miqtë e tu
Të jenë të pasjellshëm, të pamatur e të pamend
Ti, ti… qëndro gjithmonë i patrembur e besnik
Sepse mes tyre ka për të qenë edhe një i vetëm,
Tek i cili mund të besosh pa dyshime
Sepse vetë jeta është e tillë.
Të uroj gjithashtu që të kesh armiq
Të shumtë, ose një të vetëm,
Aq sa ti të kuptosh.
Sepse kështu mund të mësosh tolerancën
prej tyre.
Dhe ndër ta, do të jetë qoftë edhe një i drejtë,
Aq sa ti të mos ndjehesh krejt i sigurt.
Të uroj gjithashtu të jesh i vlefshëm, por jo i pazëvendësueshëm
Se në çaste të vështira
Kur asgjë nuk shkon siç duhet
Vlera jote do të të japë forcë dhe kurajo të vazhdosh.
Të uroj gjithashtu të jesh ca zemërgjerë
Jo me ata që lajthisin pak
Sepse kjo është e lehtë
Por me ata që gabojnë trashë e janë të pandreqshëm
Sepse, duke e shprehur këtë zemërgjerësi
Ti mund të shërbesh si shembull për të tjerë.
Të uroj gjithashtu që, duke qenë i ri
Të mos rrekesh të piqesh me të shpejtë
E kur rritur të jesh
Të mos këmbëngulësh të hiqesh më i ri
E duke qenë plak, mos u pushto prej dëshpërimit
Sepse çdo moshë ka kënaqësinë e dhimbjen e saj.
Të uroj që të jesh jo i trishtuar.
Oh jo!
Jo gjithë vitin, por ta njohësh trishtimin veç një ditë dhe ta çmosh
Pse e qeshura e rigjetur është mirë dhe më mirë
Kurse e qeshura e përhershme, bajate e konstante të dëmton.
Të uroj gjithashtu të mbjellësh një farë
Një farë të vockël fare
E ta shoqërosh gjithë rritjen e saj
Për të zbuluar prej sa shumë jetësh është ndërtuar një pemë.
Të uroj gjithashtu të kesh edhe ca para
Aq sa nevojiten që të jesh praktik
Që së paku një herë në vit të reflektosh
Mbi ato para e të thuash: “Janë të miat, i kam fituar vetë!”
Vetëm për ta bërë të qartë e të njohur:
Se kush është pronar i kujt!
Të uroj gjithashtu që ta mbash sa më gjatë të jetë e mundur
Gjithçka që dashuron
E nëse dashuritë shkojnë, të mund të qash pa u ankuar
E të vuash pa u ndjerë fajtor!
Të uroj së fundmi
Që… nëse je një burrë, të kesh një grua të mirë
E nëse je një grua, të kesh një burrë të mirë.
Nesër, pasnesër e sërish të pasnesërmen
Edhe sikur të dërrmuar të jeni
Ta gjeni buzëqeshjen e si në t’parën ditë dashuruar
të jeni gjithnjë!
E nëse të gjitha këto ndodhin për ty
Atëherë, s’do të kem asgjë të të uroj!
`
Përktheu: Ermira Xhomaqi,