Fatmire Duraku: GURI NGA PASQYRA MAGJIKE
Fatmire Duraku
Shënime për librin e Dea Halimit “Mbretëresha e Ishullit të Kaltër”, botimet FAD, Prishtinë 2019
Dea Halimi hyri në rrjedhat e shkrimit për fëmijë me tregime, me prozë të gjatë dhe me poezi. Shkrimet e para i punoi ndërsa ishte ende e vogël, me një entuziazëm të dukshëm dhe dritëdhënës. Në klasën e parë të shkollës fillore botoi librin me tregime “Yjtë farfuritës”. Gjërat e vogla, të përditshme, të cilat i haste në orët dhe çastet e lojës dhe të angazhimit me shokët e shoqet, ajo me sukses ia doli t`i radhiste në këtë libër, në të cilin tuboi 36 tregime, për secilën shkronjë të gjuhës shqipe nga një ngjarje atraktive dhe të afërt të ndodhur në klasë, në orët e mësimit dhe në shkollë. Ja një insert që zgjoi interes te lexuesi dhe kritika: “Blertës i kishte blerë mamaja një palë pupa të baletit. Ajo e lumtur shtrëngoi në dorë pupat dhe menjëherë u nis të vinte tek unë.
– Dea, eja të vallëzojmë balet, – tha Blerta.
– Oh, Blerta, por unë ende nuk i kam përfunduar detyrat e shtëpisë, – ia ktheva.
– As unë, por ngaqë mami më kishte blerë pupa të baletit dua të vallëzojmë pak, – tha ajo e i mbathi pupat dhe filloi të bëjë ca hapa. Ajo e dinte se dhe mua më pëlqente baleti”.
Ajo përveç shkrimit këtë libër e ilustroi edhe me një pemë me shumë degë në të cilën në secilin gjeth shkroi nga një shkronjë të alfabetit të gjuhës shqipe, të njëjtën gjë beri dhe brenda librit duke e ilustruar secilin tregim.
Librin e radhës e shkroi për traditën e pasur Iliro-Dardane. Këtë libër “Princesha e Dardanisë” e begatoi me ngjarje të ndryshme nga lashtësia jonë, për të vazhduar me dy përralla shumë atraktive të begatisë sonë popullore, por natyrisht me ngjarje të modifikuara dhe tejet interesante, siç qe libri “Lepuri lazdrak” dhe libri tjetër “Gishtoja” .
Me librin e ri “Muzika e agut”, autorja merret prapë me shkronjat e alfabetit të gjuhës shqipe dhe për herë të parë radhit vargje për secilën shkronjë. këtë libër Halimi e ka shkruar për nderë të 110 vjetorit të Kongresit të Manastirit.
Me këtë libër, “Muzika e agut” fitoi çmimit tradicional “Bulëzat” për librin më të suksesshëm për të rinjë në Takimet Ndërkombëtare Letrare “Azem Shkreli” në Pejë. Më këtë rast juria e cilësoi si një të arritur mjaftë të suksesshme duke theksuar se: “Duhet thënë se në çdo strofë faqesh të adresuara secilës shkronjë të alfabetit është ruajtur fryma përkushtuese me pak frymëzim të theksuar, por me një dëshmi veprimi të vetë asaj shkronje. Ky përqendrim poetik e bënë të veçantë tërësinë e librit, në të cilin artikulohet një histori e tërë e kombit tonë”.
Libri i ri, të cilin autorja e re e shkroi së fundmi, është mjaftë atraktiv dhe i ngrohët për lexuesin. Ky libër “Mbretëresha e Ishullit të Kaltër” me tregime, bënë fjalë për “Daullen e vjetër”, të cilën gjyshja ia dhuron nipit për ditëlindje. Ai, ushtron me përkushtim, ditë më ditë fillon të mëson t`i bie aq mirë daulles së vogël dhe gjithnjë e më shumë dashurohet në të. Vjen papritur një çast dhe para kalimtarëve në shesh ai ai del ta luajë një ritëm atraktiv në shesh. Tubohen kalimtarë dhe e ndjekin me duartrokitje. Tregimi i tjetër është “Eseja e shkruar në autobus” . Ajo me këtë rast provon të sqarojë për lexuesin se çfarë është tradita dhe çfarë është kultura në unazat e ndryshme të saj. Me fjalë të zgjedhura citon çaste nga e kaluara e vjetër dhe kjo e për vargjet e mbetura trashëgimi, me të cilat krenohet secili nxënës. Vlen të ndalemi pak dhe te njëri nga tregimet e mira të librit “Dija dhe mos dija”, në të cilin autorja bënë dallimin mjaftë interesant ndërmjet dijes dhe mos dijes, duke i ngritur këto dy terma në personazhe që zhvillojnë luftë mes vetës për të shpërfaqur në përpikëri atë që përfaqësojnë ato.
Tregimet e librit të fundit “ Mbretëresha e Ishullit të Kaltër” dëshmojnë edhe një herë për përkushtimin dhe vendosmërinë e autores që të merret me shkrimin e tregimit, duke i hapur kështu horizonte të reja lexuesit i cili do t`i lexojë me interesim dhe në këtë mënyrë të zgjojë kërshërinë për të bukurën në artin e të shkruarit.
Për fund, nga kjo përmbledhje, po apostrofoj se secili tregim paraqet një rrjedhë, një gjetje të veçantë, një kuptim. Ja, ta zëmë sesi e përshkruan ajo lojën dhe pasqyrën magjike të tregimit.
Bëhet fjalë për një guri…
“Mbreti Redon u mendua gjatë e gjatë, a ta marr gurin e ta ruaj apo jo.
-Merre, -i tha mbretëresha Ujëvarë, – merre se mund ta ruajmë pa e zbuluar askush.
– Si, – i tha mbreti Redoni.
-Do ta ruajmë në dhomën e fëmijëve, – tha mbretëresha Ujëvara, – ti e di se aty është një pasqyrë magjike e cila i ruan të gjitha sekretet tona. Pasqyra do ta gllabëroj gurin dhe aty do të jetë i sigurt.
Një ditë fëmijët po luanin një lojë se cili mund të thoshte vargje me rimë. Princesha me e madhe Lola tha një varg me rimë dhe pasqyra pa pritur u qa dhe prej aty doli guri magjikë. Gurin e rrëmbeu në duar princesha dhe me dëshirë që ta shihte më mirë doli në kopsht. Në atë çast fluturoi një stërqok dhe ia rrëmbeu gurin nga duart.
Përnjëherë e gjithë familja mbretërore u zhdukë u shndërruan në fantazma. Princeshës tash më fantazmë iu kujtua magjistari shpirt mirë. U largua nga pallati dhe shkoi te shpella ku jetonte ai. I shpjegoi të gjitha”.
Tregimi në këtë mënyrë bëhet tejet atraktiv dhe plot me enigma, por zgjidhja fundit është aty, gjë e cila të jep të kuptosh se arti i të shkruarit të mundëson zgjidhje të shumta dhe mjaft të bukura.