Albspirit

Media/News/Publishing

Fatmire Duraku: ‘Maçoku mbi çati’ i Shaip Grabovcit

 

 Image result for fatmire duraku"

Fatmire Duraku

 

Shënime për librin “Maçoku mbi çati” të Shaip Grabovcit, Botimet “Fad”, Prishtinë 2019

 

Mjeshtër i shkrimit të tregimit të shkurtër, mahnitës në leximin e psikologjisë së fëmijës, të lojës e të ëndrrës, të imagjinatës e të mësimit të tij, Shaip Grabovci me përkushtim thur ngjarje, çaste, tablo brilante nga jeta e puna e përditshme e të vegjëlve edhe në librin më të ri “ Maçoku mbi çati”, të cilin lexuesi do ta ketë në duar… E tërë aftësia e shkrimtarit për të krijuar e për të ndërtuar në vetëdijen e fëmijës, të nxënësit,  figura të mrekullueshme dhe ide të reja,  vjen në shprehje dhe në këtë libër, duke i lidhur, ndryshuar, shndërruar e përfytyruar sendet, dukuritë, njohuritë e fituara që të krijojë, të zbulojë, të shpikë diçka të re nga përvoja e pasur – e fituar gjatë gjithë punës e  jetës… Mjeshtër sidomos në trajtimin e tregimit të dramatizuar, me ç` rast  ia del të shpërfaq krejt atë që jeton me fëmijën, me zemrën dhe dëshirën e tij, krejt atë që jeton për fëmijën, siç është syri i zogut, krahu i tij, siç është kënga e tij, siç është fshehtësia e zogjve. Ai, me një përkujdesje të veçantë,  bën përpjekje t`i bëjë kureshtarë lexuesit e vet me shpendët e kafshët, me bimët – drunjtë, me lulet… I afron ata kaq shumë me njëri tjetrin sa zënë të bisedojnë ndërmjet veti. Fëmijët, përveç që kënaqen me zogjtë, ata pak nga pak  fillojnë edhe t`i kuptojnë cicërimat e tyre, fillojnë t`i kuptojnë çfarë duan, ku u dhemb, çfarë dëshirojnë, çfarë ëndërrojnë… Po kështu, me kohë fillojnë dhe zogjtë t`i duan fëmijët, t`u afrohen pa frikë, t`ua bëjnë çastet e lumtura me këngët e tyre të bukura. Kështu, ta zëmë ai shtjellon detaje, ngjarje, çaste, që e mahnitin lexuesin, të cilit i dedikohet shkrimi. Për çfarë ta zëmë bisedojnë mësuesja në “Tregimin për zogjtë”, apo si e gjen shkrimtari motivin për tregimin, të cilin ai duhet ta shkruajë, në mënyrë që të nesërmen atë tregim ta kenë fëmijët në dorë, ta lexojnë në gazetën e tyre.

Ja, ta zëmë se si mund të ilustrohet e tërë kjo, duke e bartur këtu vetëm një copëz të tregimit të autorit “Tregimi për zogjët“.

“Mësuesja fliste me fjalë të zgjedhura, ndërsa fëmijët ishin bërë sy e vesh! “Ata, miq tanë të vegjël, tregonte mësuesja, na ndihmojnë shumë… Ata i luftojnë insektet e dëmshme… Sikur mos të ishin ata, frutat që na i ka ënda aq shumë, do të zhdukeshin nga krimbat! Mirëpo, në një ditë dimri, acari i madh i kishte detyruar këta miq të strukeshin nën një çati dhe ashtu të uritur me vështirësi i bënin ballë të ftohtit.”

Në fytyra e fëmijëve, mësuesja, vërejti një brengë të madhe… Ajo u ndal ca e mandej vazhdoi tregimin e saj… “Annamorea, e cila ishte prekur shumë, nga shtëpia u kishte sjellë një copë bukë të thërrmuar e ua kishte hedhur zogjve. Ata me të shpejt ishin tubuar rreth vajzushës për të ngrënë thërrimet. Sapo qenë ngopur serish qenë strehuar nën çati, me ndonjë cicërimë në shenjë mirënjohjeje”.

Nga fytyrat e fëmijëve treti zymtësia, ata tash të gjithë ishin të gëzuar, ashtu sikur Annamorea kur i kishte gostitur miqtë e vegjël”

Shaip Grabovci – dramaturg, tregimtar, humorist, edhe në këtë libër  i bartë të njëjtat ngjyra, veçse që reflektojnë ndryshe, i bartë të njëjtat buzëqeshje, që shpërndahen pakufi në jetën e punën e fëmijës, i bartë të njëjtit ylber magjikë. E, në këtë rrjedhë, në këtë mënyrë, shkrimtari ka shkëputur inserte nga jeta dhe i ka vendosur në libër, kaq të njëmendta, kaq besnike, të afërta e të ngrohta, sa ndonjë herë lexuesi do të ketë përshtypje  se ato që i lexon – në të njëjtën kohë ndodhin me të, në të njëjtën kohë i përjeton vetë. Kështu, ai bëhet bashkë-personazh me maçokun i cili rri mbi çati, bëhet një me heronjtë e librit, me bëmat dhe përjetimet e tyre, që është veti e shkrimtarëve me përvojë të madhe, me njohuri të madhe, e cila gjë domosdo për produkt ka libra të mrekullueshëm, siç është dhe ky i fundit “Maçoku mbi çati”.

 

 

 

 

 

Please follow and like us: