Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Për heronjtë e kohës, emigrantët!

Image may contain: text

Të gjitha janë të pranueshme për njeriun, madje edhe dënimi. Por dënimi më i keq, është vuajtja përballë realitetit që nganjëherë të duket sikur t’i ka marrë të gjitha. Vetëm pse të mungon drita. Ti ke forcë, por nuk ke fushë veprimi. Ti ke energji, por nuk di se ku shkel. Ti ke inisiativë, por terreni apo dyshemeja është e thyeshme. Nuk e di se ku po vendos këmbën. Nuk shikon asgjë. Dhe kjo është më vuajtshme se çdo vuajtje dënimi, është panik me trysni zagushie të një vdekje të llahtarshme. Ku të shkonte, ku të zvarritej më dhe a ishte në drejtimin e duhur? Megjithatë, ndërsa vuante u përpoq të t’i thoshte vetes rri zgjuar, pasi aq gjë e dinte që gjumi i borës është një i tillë nga qetësia e të cilit nuk ngrihesh më kurrë. Kaq e dinte, ndaj fuste kokën brenda saj.

Lëvizte me kujdes, merrte nga toka, kriposte tëmthat. Këmbët që sapo vinte po i ftoheshin duke ia bërë si zgafella shtrojet e këpucës. Diku feksi një dritë aq sa ai hidhte hapin. Vuri re se ata kishin ardhur nga sipër. Diku lart ravijëzohej një anë e asaj rrëpire nga kreu i së cilës zbriste një përrua gjysmë i mbuluar me borë. Gjë e mirë se sipas llogarive të tij, i binte që Armandi të qe rrëzuar diku aty, kështu atij do t’i duhej të ndiqte vetëm luginën e përroit. Ajo ishte me gurë të mëdhenj, me drurë gati dy a tri metër të lartë. Të gjithë të zhveshur, sapo kishte filluar t’i vishte cigma e akullit nga njëra anë. Andej nga vinte lloha.

Qielli përsipër dukej si një shtjellë tymi, një davaritje që hera-herës u futej drurëve nëpër sqetull, hera-herës binte edhe poshtë fare, sa prekte dherat dhe ujët. Dikur, nga një e përpjetë dalloi se jo më shumë se 100 metra qe një shtroje si gjysmë rruge. Por nuk kuptohej se nga vinte dhe se ku shkonte.

Zuri të zbulonte ferra dhe greçka shkëmbinjsh, gjeti një hu dhe me të në dorë nisi të kontrollojë kudo. Duhej ta gjente Armandin. Mund ishte në gjendje gjysmë të fikti. Mund të ishte i mardhur. Por ç’rëndësi kishte. Duhej ta gjente. Pastaj ishte si të ishte me ‘të në kurriz do i ngjitej malit. Në sy iu përplas një erë me cigma bore. Sikur diçka të kishte dalur prej toke. Një urith a një zvarranik…aq barkas po ecte.

I ngeli në mëndje çfarë mund të kishte qënë. Pse jo, urith. Ndërkaq mendoi sërish Armandin. U kujtua se kur dikush ka ngrirë, që ta shpëtosh duhet t’i japësh energji nga trupi yt. Nuk e mbante mend me saktësi, por në një nga ato filmat me kërkuesit e arit në veriun e Amerikës. Afër Kanadasë, diku. Kur shoku e mori shokun brenda një shtroje si batanije, a qilim të cilin e bëri si thes rreth trupit të tij, më pas u zhvesh edhe vet dhe u fut brenda. Mbas nja njëzet minutave shoku u kollit. Erdhi në vete dhe ai qau nga gëzimi. Më në fund e gjeti. E gjeti papritur. Dora e tij kapi këpucën e rëndë si ato të ushtarëve. Mbeti. Iu prenë forcat…

Armandi rrinte si mënjanë mes dy gurëve të mëdhenj të cilët sapo pati mbuluar bora. Gati me kokën shtypur nga qoshja e djathtë. Symbyllur si në një gjumë prej mbreti. Çmund të t’i thoshte, e preku. Qe bërë kockë i gjithi. As goja nuk i hapej… qerpikëve u kishte hyrë thigma dhe ata ishin kthyer në spica prej qelqi imcak. Nga që ishte bërë kohë e gjatë duke ndenjur hapur nën atë erë të ftohtë që e kishte kallkanosur thuajse të tërin.

Please follow and like us: