Albspirit

Media/News/Publishing

Rexhep Shahu: Pelegrinazh me shkrimtarë te Gjergj Fishta në Lezhë, në përvjetorin e ndarjes nga jeta

 

Image may contain: plant and outdoor

Më 30 dhjetor 2019, në 79 vjetorin e vdekjes së Homerit shqiptar At Gjergj Fishta, rreth 40 shkrimtarë shqiptarë, të ftuar e organizuar nga Klubi i Poezisë, me mbështetjen financiare të humanistit Flamur Hoxha, për herë të parë në 79 vite pas vdekjes së tij, bënë pelegrinazh te shtëpia ku kaloi fëmijërinë Gjergj Fishta dhe te obelisku në Fishtë të epërme ku At Gjergji ka patur shtëpinë e lindjes dhe ka jetuar deri në moshën 3-4 vjec. Dhe në Bibliotekën e Lezhës që ka emrin e Fishtës, ku dhuruam 22 numrat e parë të ‘Illz’, revistë letrare e Tiranës.

Përditë prej vitesh qindra njerëz shkojnë në Fishtë të Lezhës tek restoranti i famshëm ‘Mrrizi i Zanave’ dhe hanë mish.

Shumë pak njerëz kthejnë rrugë që të shkojnë tek shtëpia e rrënuar nga harrimi dhe e braktisur nga shpërfillja ku ka kaluar pak vite fëmijërie poeti ynë kombëtar, at Gjergj Fishta.

Asnjëherë kaq shumë shkrimtarë nuk e kanë shkelë atë vend e atë oborr. Edhe shumica e shkrimtarëve vinin për herë të parë te shtëpia e braktisur e Gjergji Fishtës. Shkrimtarët nderuan veten e tyre, por edhe At Gjergji është ndjerë mirë. Është ndjerë mirë sepse ne si organizatorë kishim vendosur me heshtë aty tek shtëpia e tij, mos me folë, mos me mbajtë fjalime e pallavra. Pse mos me folë te shtëpia e Fishtës?

Sepse nuk kishim cfarë t’i thonim Homerit tonë At Gjergjit.

Nuk kishim cfarë t’i flisnim për dashurinë e shtirme të shtetit ndaj tij dhe urrjetjen tërkuzë në thes për të.

Populli e do Gjergj Fishten më shumë se cdo shkrimtar tjetër shqiptar të vdekur a të gjallë sepse e di përmendësh poezinë e tij, e reciton edhe populli analfabet.

Por Gjergj Fishten shteti nuk e do ende. Ani se ai është kryepoet, është diplomat klasi, është deputet ekselent, është poeti i parë shqiptar i kandiduar nga të huajt për cmimin ‘Nobel’ në letërsi.

Nuk shtrohet fare cështja a bëhet apo nuk bëhet kjo shtëpi muze e Fishtës ku ai ka jetuar 3 apo 4 vjet. Aspak jo dhe nuk më intereson kjo se është biznes i vogël.

Cështja shtrohet cfarë e si të nderohet Fishta në Tiranë pasi ai, nuk është e as të mos e mendojë ndokush se është poet i Lezhës apo i katundit Fishtë, ai është Poeti ynë Kombëtar dhe shtëpinë e nderit ai e do në Tiranë e jo ferrave të Lezhës. Kjo nuk do të thotë që të mos i lartësohet kjo shtëpi muze këtu, por sic thashë kjo është gjë minore.

Shteti nuk e do, nuk e pranon në Tiranë Gjergj Fishtën. Ani në Lezhë le ta ketë një shtatore, por në Tiranë nuk mund ta ketë një bust At Gjergji?! Nuk pranohet ai të ketë bust në buzë të Bulevardit të Mbretit apo të Dëshmorëve të Kombit aty pranë sivëllait të tij Naim Frashërit. Nuk lejohet të ketë bust ai pranë Akademisë së Shkencave në Tiranë, as pranë Parlamentit të Shqipërisë ku ai ka qenë deputet që nuk mbërrihet kurrë.

Nuk e pranon shteti që të ketë një cmim kombëtar me emrin Gjergj Fishta sic e kemi cmimin kombëtar Naim Frasheri që e jep presidenti i vendit.

Se ne ende nuk kemi një memorial apo një pllakë të bronxtë të Mesharit të Buzukut, librit tonë të parë tek Universiteti i Tiranës apo kudo në bulevard.

Se ne ende nuk kemi asnjë bust apo komplesk bustesh në një kënd aty tek ‘Vëllezërit Frashëri’ psh të Gjon Buzukut, Pjetër Budit, Frang Bardhit, Pjetër Bogdanit që janë kolonat e kulturës dhe ekzistencës sonë kombëtare. Ende shteti do të na e mbushë mendjen se nuk kanë vlerë këto katër B të mëdha dhe as Homeri ynë, Gjergj Fishta.

Por shteti duke i ndaluar me hy në Tiranë këto pesë figura na nxit që të mos i harrojmë dhe nga ana tjetër nuk sjell paqe me këtë ndalim, nuk sjell pajtim e pranim të njeri – tjetrit në shoqërinë shqiptare dhe na thotë se ne jemi mbetje turke apo osmane, kur bota na njeh ndryshe e na njeh falë këtyre B-ve të famshëm të kolonave tona.

Buzuku, Bardhi, Budi, Bogdani, Gjon Nikolle Kazazi, Gjergj Fishta janë, kanë ekzistuar dhe ekzistojnë, nuk po i shpik askush. Po pse atëhere nuk kanë vendin e sheshin e tyre në Bulevardin e madh të Tiranës. Kush nuk i lejon me hy në Tiranë. Naim Frashëri jam i sigurtë që nuk i ndalon.

Jepen cmime me emra anonimësh dhe këta emra që përmenda nuk zihen në gojë nga askush.

Si mund të zihen në gojë kur deputeti i sotëm krahason veten me deputetin Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Fan Noli etj etj.

Pelegrinazhi i shkrimtarëve shqiptarë tek shtëpia e Gjergj Fishtës, organizuar nga Klubi i Poezisë, ishte i pesti në radhë pas dy pelegrinazheve në Kukës për bustin dhe shtëpinë e poetit të varur Havzi Nela, pas pelegrinazhit në Peshtan të Tepelenës për poetin e pushkatuar Trifon Xhagjika dhe pas pelegrinazhit në Bërzeshtë të Librazhdit tek shtëpia e Vilson Blloshmit e rrënojat e shtëpisë së Genc Lekës, të dy poetë të pushkatuar nga partia.

Askush askënd asnjëherë nuk ka penguar që të shkohet te shtëpia e Fishtës ku kaloi fëmijërinë apo te Obelisku në themelet e shtëpisë ku është lindur Gjergj Fishta.

Kjo u bë e mundur nga ‘Klubi i Poezisë’ që ka në program të nderojë shkrimtarët martirë, të pushkatuar apo masakruar nga partia, me mbështetjen e humanistit Flamur Hoxha.

Image may contain: 1 person, standing, mountain, outdoor and nature

Image may contain: one or more people, people standing, tree, grass, sky, outdoor and nature

Please follow and like us: