Poeti Lulzim Tafa botohet edhe në gjuhën sllovene
Këto ditë shtëpia e njohur botuese sllovene “Amonit” ka botuar një përmbledhje me poezi të zgjedhura të poetit nga Kosova, Lulzim Tafa me titull “Ne kliči me v nedeljo” (“Të dielave mos më thirr”), i cili libër është përkthyer dhe botuar në disa gjuhë të botës. Libri ka zgjuar interesim te lexuesit e poezisë në Slloveni dhe është shpërndarë nga rrjeti më i madh i distribuimit të librit në Slloveni.
Parathënien e këtij libri e ka shkruar studiuesi i njohur slloven, profesori dhe shkrimtari i shquar Jože Brenčič i cili në parathënien e tij ndër të tjera shkruan:
Tafa është një poet që dramën e tij jetësore përpiqet ta përmbledhë, portretizojë dhe pastaj ta unifikojë me pamjen e botës përreth nesh. Mendimet e tij janë të qarta dhe koncize. Në mënyrë precize ai e bën të mundur vendosjen e një komunikimi të plotë dhe pothuajse të përsosur me lexuesit. Që në fillim kur bëhet fjalë për poezinë e këtij poeti, është e domosdoshme për të përcaktuar arritjet estetike dhe veçantitë e lirikës së tij.
Edhe pse përmbledhja me Poezi “ Të dielave mos më thirr” është e ndërtuar nga një larmi njësish të shkurtra konceptuale-tematike, megjithatë, ato arrijnë në një tërësi unike mendore dhe artistike, duke përfaqësuar poetin në çdo shkëlqim në gjithë opusin e tije krijues.
Kështu, në poezinë e tij me titull “Poetët” lexojmë vargjet e bukura e mbresëlënëse /kur zemërohen zotat/ lindin poetet/në të parën shenjë të jetës/protestojnë/ për të vazhduar /shpërndajnë afishe kundër vetvetes /nëpër qytet/dhe për ta përmbyllur /fëmija i tepërt i secilës nënë/ bëhet poet/
Pra, poetë janë disa njerëz të veçantë, me shqisa të mprehta që vërejnë gjithçka, vërejnë se shteti shpejt do të ju vërë /taksa për ëndrrat/për buzëqeshjet/ por që megjithatë ngushëllohen me vargjet se /sa mirë që nuk i takson dhembjet/shteti human/ (poezia Taksat).
Poeti nuk shkruan asnjë varg të vetëm kot, ai nuk vdes as kur i /vdes muza/,(poezia Epitaf) e as /kur i bie pika e vargjeve në zemër/ (Poezia Lament). Poeti gjithashtu është një kritik mendjemprehtë kur thotë çka po na duhen gjithë këta heronj dhe vëren se heronjtë tani prodhohen me bollëk dhe në /kushte të dobëta higjienike/ (poezia Laboratori).
Tafa në poezi ironizon edhe me të drejtat e njeriut kur thotë se, /këtu nuk shkelen të drejtat e njeriut/këtu shkelen vetëm kokat/ (poezia Reportazh) kurse për të drejtat e kafshëve thotë se /respektohen plotësisht/ në secilën kasaphane/(poezia Ligji për Kafshët).
Libri është i mbushur përplot me poezi edhe të dashurisë /Të dielën mos më thirr më/mund të mos zgjohem/përjetë të rri në gjumin e vdekjes/ mos i harro çastet e ngrira/veç të dielës/ zgjidhe ditën tënde/për ty kur të vdes/ pas shtatë bjeshkësh do ta gjejë emrin/ dhe për ta përmbyllur me /ah/pse nuk vjen ditëve të tjera/, kështu që na bënë të konstatojmë se në jetë vetëm momentet e këndshme numërohen.
Prandaj, të gjithë atyre që janë të interesuar dhe duan të njohin fjalë të bukura poetike me të cilat fjalë të bukura janë ndërtuar këto poezi dhe ky libër, unë iu rekomandoj leximin e këtyre poezive, pasi tani është e mundshme, ngase e kemi edhe në gjuhën sllovene, ka shkruar ndër të tjera Jože Brenčič./KultPlus.com