Albspirit

Media/News/Publishing

Shënime për triptikun me vargje satirike të Shpëtim Emirit

Image result for alizot emiri"

Shpëtim Emiri, ndonëse hyri me vonesë në rrugën e mundimshme, por edhe mjaft të bukur të letërsisë, me krijimtarinë e tij të begatë të viteve të fundit, duket sikur kërkon me këmbëngulje të fitojë sa më shumë që të jetë e mundur, kohën e “humbur”. Librat e shkruar prej tij, dëshmojnë padyshim se tek ai, tashmë është çliruar e zhvilluar muza e shkrimtarit, e ndrydhur deri vonë në thellësinë e ndërgjegjes së tij. E ndrydhur dhe e ‘burgosur’, ndofta për shumë arsye si: autocensura, mungesa e kohës së mjaftueshme dhe lodhja deri në rraskapitje nga telashet e pafund  të  punës e të jetës, befas u duk se u çlirua muza krijuese, fillimisht me shkrimin e librit homazh, në kujtim të babait, me titull: “Alizot Emiri – njeriu, librári e gazet fisnike”, botuar në vitin 2011. Shkrimi i këtij libri, së pari, ishte një obligim familjar për shpalosjen e jetës së vështirë e veprës së heshtur të babait të tij, Alizot Emiri, i cili, tashmë është nderuar me titullin “Qytetar Nderi i Gjirokastrës”, me motivacionin: “Personalitet i spikatur i inteligjencës gjirokastrite, me nje kontribut të shquar në promovimin e librit, dijes, artit, kulturës e emancipimit të shoqërisë”. Së dyti, shkrimi i këtij libri shënon vetiu edhe fillimin e një rruge të re në jetën e Shpëtimit, sa të vështirë, aq edhe rezultative rrugën e  krijimtarisë letrare, pasi nga pena e tij janë krijuar e botuar disa libra.

Image may contain: 1 person, smiling, text

Tre vite mbas botimit të librit të parë, Shpëtim Emiri na surprizon me botimin e librit “Kujtime me buzë në gaz”. Më tepër se një përmbledhje kujtimesh, libri është një mozaik rrëfimesh plot humor të këndshëm, ku përshkruhen me një gjuhë plot figuracion ndodhi nga jeta e shkollës, e universitetit, e punës në kantiere të ndryshme ndërtimi, etj. Libri përshkohet tërësisht nga vërtetësia jetësore, ku midis rreshtave, lexohen qartë elemente karakteristike të psikologjisë së kohës apo vendit, ku zhvillohen ngjarjet e përshkruara.

Libri përmban një galeri jo të vogël personazhesh të larmishëm e të ndryshëm, jo vetëm nga origjina, mosha, profesioni e pozita shoqërore e tyre, por sidomos nga karakteret e tyre të larmishme e me kolorit jetësor. Në morinë e ndodhive rutinë të jetës, Shpëtimi ka ditur të shkepusë e të ndriçojë ato momente apo situata të veçuara, të cilat, përbëjnë fabula të bukura e plot humor, njëlloj si gjeologët, që në grumbullin e madh të mineralit bruto, zbulojnë e nxjerrin pjesëza minerali me vlerë, të cilat, për t’i evidentuar, i pastrojnë me kujdes nga pluhuri e i ndriçojnë, në mënyrë që sipërfaqet e tyre të thepisura, të shkëlqejnë e të japin reflekset e tyre impresionuese.

Autori i ka portretizuar me mjeshtëri të spikatur personazhet, njeri prej të cilëve është edhe ai vet, si autori rrëfyes, duke mos i kursyer dozat e humorit dashamirës, apo të satirës therëse, të cilat, janë karakteristikë e stilit të tij.

Në vitin 2016, Shpëtimi boton vëllimin e dytë të librit “Alizot Emiri – njeriu, librári e gazet fisnike”, sepse duket se e ndjente se në librin e parë, mungonin edhe mjaft mbresa e kujtime të tjera për babain, të cilat, ishin aq të shumta dhe që qarkullonin gojë më gojë në njerëz të ndryshëm të Gjirokastrës e mjedise të tjera.

Siç thotë autori në pjesën hyrëse: “Dy fjalë për lexuesin”, libri i dytë u shkrua në respekt të atyre që ruajtën në memorie kujtime e mbresa të ndryshme për Alizot Emirin, si edhe nga dashuria e pa fund për qytetin e lindjes, Gjirokastrën magjike, ku babai i tij jetoi deri në fund të jetës.

Shpëtim Emiri na befason në vitin 2017 me botimin e monografisë “Përmendorja e munguar”, kushtuar jetës dhe veprës së mikut të afërt të Alizotit, mjekut kirurg Vasil Laboviti, që i shërbeu me përkushtim të jashtëzakonshëm të gjithë jugut të Shqipërisë.

Me librin e tij autori i ka ngritur përmendoren e merituar dr. Vasil Labovitit, për figurën e tij të shquar si intelektual e atdhetar, për profesionalizmin dhe humanizmin e pashembullt, të treguar në ushtrimin e misionit të tij fisnik si mjek kirurg, duke kryer mbi 50-të mijë operacione e duke shpëtuar mijëra jetë njerëzish. Dr. Vasil Laboviti e ka merituar përmendoren, sidomos për veprën e tij të pashembullt patriotike në kushtet e terrorit të egër nazist, për mjekimin e qindra partizanëve të plagosur, shpëtimin nga pushkatimi të qindra pengjeve të pafajshëm, si dhe për shpëtimin e qytetit Gjirokastër nga shkatërrimi e masakra shfarrosëse e bishës naziste. Libri nuk është thjesht një monografi me elemente dokumentare, por edhe një vepër me frymë dhe impresione letrare, e shkruar me një dramacitet drithërues, plot ankth e tension psikologjik, që do të ishte i denjë për një skenar filmi mjaft mbresëlënës.

Ndërsa gjatë vitit 2019, autori, tashmë i njohur në ambientet letrare, e sidomos nga lexuesit gjirokastritë, na ‘bombardon’ me tre libra të tjerë, tashmë me vargje satirike, të titulluar: Moj Gjirokastra “pa vulë”, “Sot ke qejf të vdesësh” dhe “Studentët janë të vonuar”.

Është një triptik me vargje satirike, nëpërmjet të cilave, i bëhet një skanim i imët trupit të sëmurë të shoqërisë shqiptare, e sidomos të racës pushtetare, në periudhën e tejzgjatur të të ashtuquajturit tranzicion.

…“Njerëzit sot s’lexojnë Shekspirin, 

e jo më Shpëtim Emirin”.

Me këto vargje autoironizuese, modestisht, e fillon autori librin e parë të triptikut, duke evidentuar me dhimbje fenomenin shoqëror, vrejtur sidomos te brezi i ri, dukuria e mosleximit, si një fenomen me pasoja të rënda kulturore për ardhmërinë e vendit. Sepse dihet që libri, ndriçon mendjen, ndërsa mendja e kulturuar ndryshon botën.                                                                                                                        

Leonardo da Vinçi ka thënë:“Kundër ashpërsisë së jetës humori të ndihmon të mbetesh i gjallë dhe të mos i nështrohesh pesimizmit”, prandaj autori ka zgjedhur humorin dhe satirën për të fshikulluar shfaqjet dhe fenomenet negative të shoqërisë.        

Image result for shpetim emiri"                                                                 

Thuhet se vendlindja është vendi ku rritesh, duke dëshiruar të largohesh, ndërsa plakesh duke dëshiruar  të  rikthehesh, prandaj tek Shpëtimi, spikat dashuria e dhemshuria pa kufi për Gjirokastrën, qytetin e tij të lindjes, nga i cili, ndonëse është larguar fizikisht qysh në rini, shpirtërisht ka jetuar përherë me nostalgjinë e veçantë për atë qytet të papërsëritshëm, gjë që evidentohet qartësisht në të gjithë krijimtarinë e tij letrare. Është kjo arsyeja, që libri i parë i triptikut me humor e satirë në vargje, i kushtohet pikërisht Gjirokastrës së dashur dhe titullohet “Moj Gjirokastra “pa vulë”.  

Në pjesën e parë të librit, nëpërmjet vargjeve satirike, autori përcjell shqetësim të madh për vendlindjen e tij të dashur. ‘Me vulë’ është cilësuar qyteti i Gjirokastrës, sepse koha e ka evidentuar për vlerat e jashtëzakonshme të trashëgimisë ndërtimore, historike e kulturore, të cilat, në vend që të ruhen e të pasurohen si thesare të pa çmueshme, fatkeqësisht po ia heqin ‘vulën’, duke e kthyer në qytet ‘pa vulë’, duke e  braktisur, zbehur e zhbërë për faj të injorancës e indiferentizmit te institucioneve, apo edhe më keq, për faj të veprimeve të papërgjegjshme të pushtetarëve.

Shpëtimi kujton me nostalgji Gjirokastrën e ndritur ‘me librarinë në ballë’, ndërsa me dhimbje të thellë qan ‘hallet e kalasë’ dhe kritikon ashpër projektin skandaloz të ‘By-pass-it’ të qytetit, i cili, nuk do të ishte vetëm ‘nje kular’, por do ta “zhbënte Gjirokastrën”! Nga thellësia e shpirtit të autorit dalin vargjet e trishtuara:

“Gjirokastra me vulë,

me kart’ e me mendje shumë,

më dukesh e rënë në gjunjë,

telashe kohët të prunë”!

Disa foto të banesave karakteristike gjirokastrite të shkatërruara, apo të projektit famëkeq të by-passit, janë dëshmi e hidhur e shkatërrimit në vazhdimësi të vlerave të trashëgimisë, pamje që janë jo vetëm trishtuese, por edhe tepër revoltuese. Kjo revoltë e brendshme legjitime, që lind tek çdo gjirokastrit i ndershëm e patriot, e ka detyruar autorin e librit ta kthejë dhimbjen në klithmë për fatin e Gjirokastrës së dashur.

Ka çaste në jetë kur heshtja bëhet faj, ndërsa të folurit detyrim dhe  kjo është e drejtë e çdo qytetari të përgjegjshëm, sepse e drejta nuk është diçka që dikush ta jep, por diçka që askush nuk mund të ta marrë.

Shpëtimi, në nderim të kujtimit të babait të tij, nuk mund të mos e plotësojë librin me disa “motive nga gojëthënat e librárit Alizot Emirit”, ndërsa në nderim të kujtimit të mikut të babait, shkruan me dhimbje: “Meditime në përcjelljen e poetit Dritëro Agolli”.                                                    

Me mjaft dashuri njerëzore ai shkruan vargje ‘miqësore’ për disa prej miqve të tij të mirë, ku veç humorit dashamirës e shpotive miqësore, spikat koloriti gjuhësor në dialektin lab.                                   

Për ta relaksuar sadopak lexuesin gjatë leximit të librit, autori radhit disa vargje ‘gazmore’ me motive ‘erotike’, si dhe për ‘moshën e tretë’. “Kurbeti”, kjo plagë e dhimbshme e familjeve shqiptare, që e ka dërmuar shoqërinë në të kaluarën, e që u rishfaq frikshëm si eksod, mbas rënies së sistemit totalitar e që përbën një brengë të thellë shoqërore , nuk mund ta lerë pa e shqetësuar autorin. Emigracionin e sotëm Shpëtimi e koncepton, jo si një fenomen të pashmangshëm demografik, por si një synim keqdashës të politikës antikombëtare për shpopullimin e Shqipërisë. Me zemër të coptuar nga dhimbja, shkruan vargjet drithëruese:

“Sot nënat shqiptare s’lindin komandantë,

plotesojnë nevojat thjesht për emigrantë!

“Bota është një vend i rrezikshëm, jo aq prej atyre që bëjnë keq, sa prej atyre që shohin dhe nuk bëjnë asgjë”, ka deklaruar Albert Einstein, prandaj Shpëtimi nuk mund të heshtë e të mbyllë sytë para bëmave e gjëmave të shtetarëve e pushtetarëve pa dallim ngjyre, sidomos të periudhës së tranzicionit famëkeq.

Ai e përfundon librin e parë të triptikut duke goditur ashpër disa fenomene negative, jo vetëm të pasojave të sistemit diktatorial, por edhe të demokraturës së periudhës së stërgjatur të tranzicionit, si “Prona dhe pronari”, “Shtetformimi”, apo kalvari i pafund i shpresës së humbur, i quajtur “Rruga drejt BE-së”. Autori e ka humbur plotësisht besimin dhe shpresën te politika e paskrupullt aktuale, prandaj e beson zgjidhjen e vërtetë për të ardhmen e Shqipërisë:

“Kur kjo shtresë politike të jetë fshirë

dhe tjetër farë si kjo të mos ketë mbirë”!

Image may contain: 1 person, text and outdoor

Librin e dytë me vargje satirike, të titulluar “Sot ke qejf të vdesësh, që  është një vështrim satirik i jetës shoqërore e politike të periudhës postkomuniste, autori e fillon me thëniet e njohura: “Shqipërinë e bëmë, tani të bëjmë shqiptarët” ! (E thënë pas shpalljes së Pavarësisë, më 1912). “Shqiptarët u bënë, o Zot, si t’i shpëtojmë nga politikanët”! (E dëgjuar pas viteve ’90).

“Në epokën e mashtrimit universal, të thuash të vërtetën është akt revolucionar” –  ka shkruar  George Orwell.            Shpëtimi nuk karakterizohet vetëm për ndjenjën e lartë patriotike, sepse e ndjen thellë dhimbjen e plagëve të Atdheut, por ka edhe kurajon që t’i thotë me forcë e herë-herë me britmë, të vërtetat e hidhura, që fatkeqësisht po e sakatojnë vendin. Dihet se e vërteta, sidomos kur është e hidhur, jo gjithmonë është e dëshiruar, ndërsa nevoja për të vërtetën e pa deformuar, është domosdoshmëri.

Autori, qysh në fillim shtron pyetjen “A mund t’i prihej demokracisë me këtë politikë?”, sepse morali i qeverisjeve të sotme është “T’i ndihmojmë te pasurit të pasurohen, se të varfërit e dinë vetë si të varfërohen”!

Shpëtimi, jo më kot, citon shkrimtarin amerikan Mark Twain, me thënien: “Politikanët janë sikurse pampersat e femijëve, prandaj duhen ndruar vazhdimisht për të njejtat arsye”. “Lëmsh hesapi”!thërret duke klithur autori për politikën aktuale shqiptare dhe, vetëm me katër vargje sintetike, i bën autopsinë asaj:

“Politikë horrash,

me synime sorrash,

ndjekur prej morrash,

prite, çfar të korrash”!

Autori fshikullon ashpër hipokrizitë e ndyra politike të deputetëve të pozitës dhe opozitës, si dhe fushatat e bujshme elektorale plot premtime e mashtrime:

Si në çdo fushatë zgjedhore,

blejmë dështimet për fitore”!

Shpëtimi godet me neveri farsën e votimeve, shitblerjen e vjedhjen e votave, formulat bajate bashkëqeverisëse, ‘check-up’-in, ‘tepsinë’ apo ‘timonin’ e qeverisjes e gjithë prapësitë e ‘Rilindjes’, që kanë si rezultat fatkeq rrënimin ekonomik, që imponon si rrugëzgjidhje të vetme braktisjen e vendit apo eksodin masiv, si pasojë e humbjes së shpresës, të cilën, për fat të keq, nuk është e zonja ta ngjallë as opozita. “Gjëja më e keqe që mund të ndodhë në një demokraci është humbja e shpresës tek e ardhmja”- ka thënë Hillary Clinton.

Për autorin është ulëritëse ‘Hajdutëria’ qeveritare nëpërmjet tenderave korruptive, konçensioneve fiktive, duke favorizuar një sistem oligarkësh, prandaj ai i godet ashper ato, si fenomene shkatërrimtare të shtetit e shoqërisë.

Ndërsa pa-aftësinë totale dhe pamundësine e shtetit përballë fenomeneve agresive të natyrës (‘përmbytjet’), autori e dënon me vargjet “Shkencës, studimit i shpallëm bojkotin”, si dhe “Zhdukëm shkencëtarët, shpikëm këshilltarët” !Fakti tragjik i inekzistencës së shtetit, fatkeqësisht u vërtetua me dy tërmetet e fundit shkatërrimtare e me shumë viktima, që goditen vendin tonë, pavarësisht se propaganda neveritëse rilindase edhe këtë dështim fatal në fatkeqësi, kuturiset ta shesë si sukses të qeverisë.

Image may contain: one or more people, crowd and text

Studentët janë të vonuar, titullohet libri i tretë dhe i fundit i triptikut me vargje satirike të autorit. Titulli i librit është kuptimplotë, mbasi ky libër është përmbledhje e emocioneve, shqetësimeve e sidomos  shpresës se revolta e shumëpritur e studentëve të dhjetorit 2018  për të drejtat e mohuara e të shkelura brutalisht nga pushteti e pushtetarët, do të çonte në ndryshimin total të klasës politike, gjë që, per fat te keq, nuk ndodhi.  Autori satirizon me vargje reagimet spekulative qeveritare ndaj protestës legjitime studentore, si dhe fshikullon ashpër shkatërrimin e sistemit arsimor.

“Në një shtet, ku gjyqi e ka humbur drejtësinë, mjekësia humanitetin, kurse arsimi kualitetin, ikni prej atij vendi! Është ferr!!!” – ka shkruar i madhi Albert Einstein. Autori ironizon me përbuzje ‘metamorfozën’ qesharake të tenderimeve drejt PPP-ve, si dhe degradimin e policisë së shtetit, që u vu totalisht në shërbim të kanabizimit të vendit. ‘Lëngimin e ekonomisë së tregut’ dhe sistemin fiskal agresiv ndaj popullit të thjeshtë e bisnesit të vogël e të pafuqishëm, autori e shikon me neveri, prandaj vargjet e tij kanë frymë revoltuese. ‘Qeverisja vendore’, e cila, në vend që të jetë në shërbim të qytetarëve, bëhet shërbëtore e paskrupullt e propagandës çorroditëse të pushtetarëve, e revolton autorin, prandaj vargjet e tij ‘Ekuilibër ekologjik’, janë një satirë shpotitëse:

Një pemë e mbjellë,

një pyll me fjalë,

një park i shkulur,

…lastar i tharë!

Autorin e shqetësojnë dhe e acarojnë dhimbjet në trupin e sëmurë të vendit, prandaj reagon me ashpërsi kundër gjitha simptomave e fenomeneve negative, si ‘drama e teatrit të dramës’, lënia e shtetasve pa mbrojtje përballë fatkeqësive natyrore, etj. Ndërsa shteti dhe mafia me PPP-të famëkeqe, po e shkatërrojnë ekonomikisht vendin dhe po e varfërojnë pa mëshirë popullin, autori shkruan me sarkazmë:

“Timonin kërkove,

Timonin të dhamë,

E lëshon pa duar,

Na bëre kurban…!

Ose:

Pensioni, futur në trastë,

humbet si gjilpërë në kashtë!

Shpëtimi i përjeton me dëshpërim edhe pasojat e ‘politikës së dhembsur me gjitonët’, apo të ‘karshillëkut të Europës”, të cilën e quan me përbuzje ‘kurvë e moçme’.                                                      

Por, plaga më e thellë e shoqërisë aktualisht, që i dhemb më shumë autorit, jo vetëm si qytetar, por së pari si patriot, është eksodi masiv, si fatkeqësi kombëtare. Eksodi i popullsisë është akti final i dramës së rëndë social-ekonomike që po kalon vendi, epilogu më i hidhur i saj, rezultantja e politikës se mbrapshtë të pushtetarëve ndaj vendit e popullit shqiptar.

Qeshëm u gajasëm

Nga ‘Mërgata e qyqeve’,

Qajmë, si s’pëlcasim,

Nga mërgata e shqipeve!!!

Si përfundim, të tre librat me vargje satirike janë, veçmas dhe në tërësi, shprehje e qartë e brengës së madhe dhe dhimbjes së thellë të autorit si qytetar dhe atdhetar për fatin e vendit e të shqiptarëve, si pasojë e politikave keq-qeverisëse të klasës sunduese politike, sigurisht pa dallim ngjyre. Klasa politike e periudhës sfilitëse të tranzicionit të pafund e ka përfunduar tashmë ‘misionin’ e saj, sepse qëllimi i vetëm i saj, për të cilin lufton verbërisht, është vetëm fitorja me çdo çmim e zgjedhjeve të ardhëshme dhe jo obligimi atdhetar për ardhmërinë e vendit dhe garantimi i një jete më të mirë për brezat e ardhshëm. Dihet se nuk ka tirani më të madhe sesa ajo që zhvillohet nën mburojën e ligjit dhe në emër të drejtësisë. Këtë lloj tiranie, mund ta përmbysë vetëm një popull i ndërgjegjësuar, që duhet ta përdore votën e lirë, si të drejtë legjitime demokratike, vetëm për fatin e vet e ardhmërinë e vendit  dhe  jo per pasigurine e fëmijve të vet e për fatkeqësinë e vendit.

Historia botërore na mëson  se demokracia e vërtetë mund të ekzistojë vetëm në ato vende, ku askush nuk është aq i pasur sa të blejë dikë tjetër, si dhe askush aq i varfër sa për t`u shitur.

Humor i zi, qesëndi përbuzëse e deri satirë e sarkazmë therëse në vargje, është reagimi dëshpërues e i ashpër i autorit Shpëtim Emiri ndaj fenomeneve negative me pasoja shkatërrimtare për vendin, si rezultat i politikave antikombëtare të qeverisjeve. Autori nuk pretendon që me vargjet e tij satirike,  apo sarkastike, do të shërojë plagët e infektuara të shoqërisë e të vendit, por përpiqet modestisht t’i zbulojë ato nga mbulesa mashtruese e propagandës  neveritëse, që, duke mos e mjekuar, por duke e maskuar plagën, e bën infeksionin edhe më fatal.

Autori, sigurisht që është i ndërgjegjshëm se me vargje satirike, nuk mund të sjellë ndonjë ndryshim, por ai jep shembullin se si duhet kundërshtuar e përbuzur me kurajo qytetare çdo padrejtësi. Ai udhëhiqet nga parimi se “Njeriu vdes së qeni qytetar, kur hesht  në kohën që duhet të flasë”, siç ka theksuar Martin Luther King, prandaj librat e triptikut mund të konsiderohen pa mëdyshje satirë politike.                                                                                          Triptiku i librave me vargje satirike, është një përmbledhje e emocioneve, shqetësimeve, pakënaqësive, brengave e deri revoltave të brendshme të autorit, të cilat, të shprehura në vargje nëpërmjet humorit, qesëndisë, satirës e deri sarkazmës, përcjellin te lexuesi emocione e mesazhe të fuqishme patriotike, se ardhmëria e denjë e atdheut nuk vjen vetiu, por duke luftuar me këmbëngulje e pa mëshirë politikën e neveritëshme me keq-qeverisjet e saj.                            “Në betejën mes valës se detit dhe shkëmbit, fiton gjithmonë vala… jo falë forcës së saj, por falë këmbënguljes”- ka shkruar E. Heminguei, prandaj këmbëngulja e valës popullore mund të shëmbë me siguri çdo qëndresë antipopullore, sado e pushtetshme që të duket.

Leximi i triptikut, në librat e të cilit Shpëtim Emiri, nëpërmjet vargjeve satirike, mban qëndrim të spikatur qytetar e atdhetar, ndaj fenomeneve të shumta negative të jetës social-politike të vendit, aq sa të trishton e të revolton për gjendjen në të cilën po e katandis politika Atdheun, po aq të shton atdhedashurinë  e të ndërgjegjëson për t’u bërë pjesë aktive e luftës kundër politikës së shëmtuar antikombëtare.

Vargjet e triptikut në përgjithësi rrjedhin natyrshëm, me një gjuhë të thjeshtë e me figuracion të spikatur, ndërsa herë-herë mesazhi përcillet në mënyrë mjaft lakonike, por plot nëntekst e domethënie.

Shtatë libra të botuara plotëson së fundmi autori, së bashku me triptikun me vargje satirike, gjë që dëshmon se krijimtaria letrare e tij është sa produktive në sasi, aq e larmishme në gjini.

Sëbashku me përgëzimet e përzemërta për krijimtarinë e fundit, triptikun e librave me vargje satirike, i përcjellim autorit Shpëtim Emiri, urimet më të mira për krijimtari të begatë e të suksesshme në vazhdimësi!

 

 

Please follow and like us: