Albspirit

Media/News/Publishing

Gjyqi 110 milionë euro/Arben Malaj publikon mesazhet e Veliajt për Becchettin

Ish-ministri socialist Arben Malaj ka publikuar sot disa mesazhe nga numri i telefonit të kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erjon Veliaj, në adresë të ish-pronarit të Agon Channel, i cili sapo ka fituar një gjyq ndërkombëtar me qeverinë shqiptare, që do t’i rëndojë buxhetit shqiptar të paktën 110 milionë euro. “Veliaj me papërgjegjshmërinë dhe arrogancën e tij ministrore me disa sms si kjo po u rëndon taksa-paguesve të varfër shqiptare një gjobë 110 milion euro”- shkruan Malaj duke postuar një foto ku duken mesazhet që adresojnë Agon Channel, në pronësi të Francesco Becchetti. “Shoh grup xhirimin e Agonit në Gjirokastër. Se kuptoj pse po ma bëni këtë, mendova se e latë marrinë me herën e fundit. Nuk e dua! Jam absolut tek kjo! Po më bëni armik me zor. Thuaji atij që do bëjë armiq gjithë qeverinë pa shkak! Është private dreqi ta hajë, respektojeni se po më del nga hundët ky muhabet me ju!”

Kjo është përmbajtja e dy mesazheve në whatsup që vijnë nga numri i telefonit të Veliajt si apel për Agon Channel.

Vetë Becchetti kishte folur për këtë mesazh kërcënues të Veliajt për gazeten britanike “The indipendent” ne shtator të vitit që shkoi. “Përplasjet mes qeverisë së Edi Ramës dhe stacionit filluan shumë shpejt. Në një incident, Erion Veliaj, një aleat i Ramës, që është tashmë kryebashkiak i Tiranës, ishte mërzitur nga mbulimi që i kishte bërë Agon dasmës së tij luksoze në shtator të vitit 2014”, shkruan gazeta. Disa ditë më parë Malaj gjatë emisionit Opinion bëri akuza ndaj Veliajt dhe tha se Shqipëria duhet të paguajë 110 milionë dollarë për Becchettin, pasi biznesmeni kishte marrë mesazhe kërcënuese nga kryebashkiaku. Sipas tij vendimi pro Becchettit në gjykatë është mbështetur tek mesazhet kërcënuese të Veliajt në adresë të tij. Në postimin e sotëm në faqen e tij në facebook Malaj fillimisht e akuzon Veliajn për arrogancë ndaj qytetarëve duke i gjobitur për parkimet në rrugë. “Vetëm në 6 ditët e para 2020 rezidentet e rrugës “Faik Konica” janë gjobitur 2 deri në 4 herë nga bashkia e Tiranës vetëm se bashkia e do rrugën bosh për betonierët e privatëve. Veliaj, ky shitës fiqsh dhe që bën dasmën në kala, Mazniku që fle me 900 euro nata, qeverisin me arrogancë dhe babëzi”, shkruan Malaj. Malaj, një ish-funksionar i lartë i PS-së u shkarkua me votat e socialistëve nga detyra që mbante si anëtar i Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë. Ai pretendon se shkarkimi ka ardhur pasi ka kritikuar publikisht Veliajn.

Please follow and like us: